Politike

Shkarkimi i Malajt, Ruçi bëhet bllokadë: Të vijë kërkesa nga Qeveria

Merr tjetër rrjedhë shkarkimi i Arben Malajt nga posti i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka dalë kundër procedurës për shkarkimin e ish-deputetit dhe ish-ministrit socialist Arben Malaj. Një gjë e tillë është bërë e ditur menjëherë nga vetë kryeparlamentari Gramoz Ruçi, i cili ka saktësuar se procedura e shkarkimit nuk mund të bëhet me iniciativë të deputetëve, por të vijë nga vetë Këshilli i Ministrave.

"Lidhur me këtë çështje njoftoj nismëtarët dhe kuvendin se kërkesa nga ana ime i është përcjellë Këshillit të Ministrave për kompetencë, pasi në zbatim të nenit 47/1 të ligjit për BSH Këshilli i Ministrave është ai që nis procedurën dhe nëse ai e nis vihen në lëvizje procedurat e tjera sipas rregullores së Kuvendit, komisionet dhe mandej seanca e Kuvendit." u shpreh Ruci sot në fillim të seancës parlamentare.
Pikërisht ky nen duket se ka sjellë ndonjë shmangie të përplasjes brenda socialistëve ku Ruçi, si pjesë e “gardës” së vjetër të PS-së duket se ka dalë edhe kundër shkarkimit të Malajt.
Tashmë me këtë shtyrje, procedura për shkarkimin e Malajt, në rast se do të vijë mund të shtyhet për në muajin shtator, me nisjen e sesionit të ri parlamentar.

Arben Malaj


Më 16 korrik 28 deputetë socialistë depozituan në Parlament kërkesën për shkarkim me pretendimin se anëtari i këshillit të Bankës, Arben Malaj kishte shkelur kodin e Etikës së Bankës së Shqipërisë. Në shkresën e firmosur nga 28 deputetë me në krye kryetarin e grupit parlamentar Taulant Balla thuhej se Arben Malaj ka shkelur Kodin e etikës së Bankës së Shqipërisë pasi “në cilësinë e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës, në daljet publike ka trajtuar tema me natyrë thellësisht politike, në kundërshtim të hapur me kompetencat e pozicionit të tij”. Madje qëndrimet e Malajt në kërkesën e deputetëve u cilësuan si në dëm të imazhit të Bankës së Shqipërisë.
Por vetë Malaj e cilësoi nismën si një hakmarrje politike dhe se i akuzoi se do të padiste çdo firmëtarë për shpifje ndaj tij.


Reagimi i Bankës dhe ligji
Socialistët iu referuan Kodit të Procedurave Administrative për të hartuar kërkesën pë shkarkimin e Malajt. Ata sollën në vëmendje faktin që parlamenti në rezolutën për Bankën e Shqipërisë, të miratuar në Maj të këtij viti ka kërkuar që “Këshilli të marrë në shqyrtim zbatimin e Kodit të Etikës nga anëtarët e tij..”, por që deri më tani sipas tyre nuk është reflektuar në veprimtarinë e Këshillit. Për pasojë, sipas deputetëve socialistë, atyre u lind e drejta që “kur një detyrë nuk zbatohet, apo refuzohet të zbatohet nga zyrtari i ngarkuar me ligj, atëherë kompetenca mund të ushtrohet drejtpërdrejt nga organi që ka detyrimin ligjor për të vendosur në lidhje me çështjen”, shkruhej në dokument duke ju referuar Kodit të Procedurave Administrative.
Ndërkohë shkarkimi i një anëtari të Këshillit Mbikëqyrës, përcaktohet nga Ligji për Bankën e Shqipërisë, i cili parashikon se ata “…mund të shkarkohen nga Kuvendi me propozim të shumicës së anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, kur personi i propozuar për shkarkim gjatë ushtrimit të detyrës ka shkelur rëndë etikën e punës dhe ka cenuar thellë interesat e Bankës së Shqipërisë”. Ky përcaktim i ligjit nuk i lë hapësirë Parlamentit të veprojë pa pasur më parë një vendim nga vetë Këshilli. Për këtë procedurë të nisur nga deputetët e mazhorancës reagoi dhe vetë Banka e Shqipërisë. Një ditë më parë në deklaratën e lëshuar thekson se në Kodin e Etikës së miratuar nga Banka e Shqipërisë Kodi i Etikës përcakton shprehimisht se çdo veprimtari tjetër e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës, e cila kryhet jashtë detyrave të tij të përcaktuara në Ligjin për Bankën e Shqipërisë, nuk duhet të ketë ndikim negativ mbi detyrimet që ai ka ndaj Bankës së Shqipërisë dhe nuk duhet të dëmtojë imazhin e saj.

Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës


“Kodi i Etikës parashikon vetëm një rast kur anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës i lejohet të ndajë qëndrimet e veta nga ato të Bankës së Shqipërisë. Në publikimin e artikujve shkencorë, apo akademikë, anëtari mund të qartësojë se artikulli mund të mos përfaqësojë qëndrimin zyrtar të Këshillit Mbikëqyrës apo të Bankës së Shqipërisë (pika 2.3). Mbështetur mbi sa më sipër, Banka e Shqipërisë u ka bërë të ditur, në vazhdimësi, të gjithë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës detyrimin për të mbajtur parasysh se, që nga momenti i emërimit, deri në përfundim të mandatit, ata përfaqësojnë, në çdo situatë, organin më të lartë drejtues të institucionit dhe se me deklarimet apo veprimet e tyre mund të dëmtojë imazhin e tij”, thuhet në këtë deklaratë të BSH-së.
Ky qëndrim institucional sipas tyre është në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, të cilat u kërkojnë zyrtarëve publikë të kujdesen që gjatë përfshirjes në debate politike apo publike, të mos dëmtojnë besimin e publikut në aftësinë e tyre për t’i përmbushur detyrat me paanësi dhe besnikëri.

Nisma e deputetëve të PS për shkarkimin e Malajt e depozituar në Kuvend


“Mbi këtë bazë, Banka e Shqipërisë shprehet e vendosur në qëndrimin e vet se, gjatë ushtrimit të detyrave, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës duhet të respektojnë kufizimet e Kodit të Etikës mbi veprimtarinë e tyre politike dhe publike, të vendosura ligjërisht dhe për shkak të natyrës së veçantë të pozicionit dhe funksionit të tyre. Çdo qëndrim individual që bie ndesh me karakterin publik të rolit të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës dhe detyrimin e tyre për të promovuar besimin publik në integritetin, paanësinë dhe efektivitetin e Këshillit Mbikëqyrës, duhet detyrimisht të trajtohet si jopërfaqësues i institucionit dhe në kundërshtim me rregullat e Kodit të Etikës”, mbyllet Banka reagimin e saj.

Ligji “Për Bankën e Shqipërisë” Neni 47
Çdo anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, duke përfshirë guvernatorin dhe zëvendësguvernatorët pezullohet nga detyra nga Këshilli i Ministrave dhe shkarkohet nga Kuvendi, në qoftë se ai ose ajo:
Është në pamundësi për të shërbyer në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, sipas nenit 46;
Është dënuar nga gjykata për një vepër penale, për të cilën ligji parashikon dënimin me burgim;
Është në pamundësi për të paguar detyrimet monetare ose është deklaruar i falimentuar dhe nuk është rehabilituar;
Është ndaluar ose pezulluar nga gjykata të ushtrojë detyrën si nëpunës shtetëror apo në shërbimin publik ose të ushtrojë veprimtarinë apo mjeshtërinë;d) gjatë ushtrimit të detyrës, në mënyrë aktive merr pjesë në veprimtari politike.
Guvernatori dhe zëvendësguvernatorët e Bankës së Shqipërisë, si dhe çdo anëtar tjetër i Këshillit Mbikëqyrës, mund të shkarkohen nga Kuvendi me propozim të shumicës së gjithë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, kur:
personi i propozuar për shkarkim ka munguar për dy ose më shumë herë në vazhdimësi në mbledhjet e radhës të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, pa shkak të arsyeshëm
personi i propozuar për shkarkim është në pamundësi fizike ose mendore për të mbuluar funksionet e ngarkuara; ose
Personi i propozuar për shkarkim gjatë ushtrimit të detyrës ka shkelur rëndë etikën e punës dhe ka cenuar thellë interesat e Bankës së Shqipërisë.
Në rast se anëtari i Këshillit Mbikëqyrës, duke përfshirë guvernatorin dhe zëvendësguvernatorët, është pezulluar prej detyrës nga Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi nuk e ka shkarkuar brenda 30 ditëve nga pezullimi, atëherë ky pezullim shfuqizohet dhe anëtari i pezulluar rifiton të drejtat dhe detyrimet menjëherë.
Asnjë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, duke përfshirë guvernatorin dhe zëvendësguvernatorët nuk mund të largohet nga detyra për shkaqe ose procedura të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë