Politike

“Ekzekutimi i një socialisti të vjetër”- A është Arben Malaj një rebel?

Bledar Hoti - Socialistët kanë vendosur që të shkarkojnë ish-ministrin e tyre, Arben Malaj nga posti i anëtarit të Këshilli Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Lajmi konfirmohet nga burime brenda grupit të PS-së, ku janë mbledhur firmat e 28 deputetëve për shkarkimin e Malajt si anëtar të Këshillit të Bankës së Shqipërisë.

Arsyetimi i socialistëve është se Malaj ka shkelur etikën dhe se për këtë nuk duhet të qëndrojë në detyrë. Mësohet se kërkesa e socialistëve do të shqyrtohet në seancën parlamentare të së enjtes. Në kërkesën për shkarkim që Gazeta “Si” disponon theksohet se “nëse analizon secilën prej daljeve publike mund të arrihet në përfundimin se në asnjërin prej rasteve ato nuk i kanë shërbyer interesit më të mirë të përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë, si dhe të gjithë sistemit bankar në Shqipëri”. “Në asnjë prej rasteve nuk është marrë parasysh karakteri publik i funksionit që ushtron si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës dhe natyrisht kjo sjellje nuk i ka shërbyer aspak ruajtjes dhe nxitjes së besimit publik lidhur me institucionin e bankës së Shqipërisë”, thuhet në kërkesë.

Faksmile e dokumentit

Ndër konstatimet e tjera është se Malaj, sipas 28 firmëtarëve, me temat e trajtuara në media nuk ka reflektuar dhe qëndrirmet e mbajtura mund të kenë ndikim negativ mbi detyrimet që ai ka ndaj Bankës dhe se ato dëmtojnë edhe imazhin e institucionit.
“Secila prej daljeve publike të Malajt dhe të gjitha të nxjerra së bashku mund të çojnë në konkluzionin se temat e trajtuara mund të kenë ndikim negativ mbi detyrimet që ka ia ndaj Bankës dhe duke qenë se këto qëndrime dhe vlerësime janë pjesë e analizave politike të lidhura me grupime politike, besojmë se ato dëmtojnë edhe imazhin e Bankës”, thuhet në nismën e 28 socialistëve të siguruara nga Gazeta “Si”.
E vetmja liri për socialistët për anëtarët e Këshillit është e liria akademike, e megjithatë ajo vendoset me kushtin që artikujt të mos përfaqësojnë mendimin e institucionit, por atë vetëm atë personal.
“Daljet dhe prononcimet publike për tema thellësisht politike kanë qenë të vazhdueshme dhe gjatë periudhës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Ky fakt përbën argumente të shtuara për sjellje jo etike, në konflikt të hapur me funksionin, me manualin e Monitorimit të miratuar me Vendim Kuvendi dhe me standardet e vendosura të paktën në dy zgjedhjet e fundit. Në përfundim të kësaj analize, vlerësojmë se anëtari i Këshillit është në kushtet e ndalimit të mëtejshëm të ushtrimit të funksionit, sipas rastit të parashikuar nga neni 47/pika 2 e ligjit”, mbyllet kërkesa e PS-së.

Firmëtarët kërkesës për shkarkimin e Malajt

Reagimi i Malajt,akuza ndaj Taulant Ballës
Malaj ka reaguar pas njohjes së nismës së propozuar nga ana e PS-së që kërkon shkakrimin e tij nga posti i anëtarit të Këshillit Mbikëqyës. “E para dhe thelbësorja - vendit tim i kam shërbyer në çdo kohë me integritet të lartë, profesionalizëm të thellë dhe dashuri të madhe. Të treja këto vërtetohen gjatë përvojes 32-vjeçare në çdo angazhim akademik, shoqëror dhe politik. Ju ka kam paralajmëruar që u bënë përpjekje maksimale për të mos më rizgjedhur. Për interesat dhe emrat konkretë do të flas fillimisht në procesin e ballafaqimit parlamentar. Në respekt të institucionit të Bankës së Shqipërisë nuk do të bëj asnjë deklaratë specifike përpara nisjes së ballafaqimit institucional”, shkruan Malaj në Facebook.

Reagimi i Malajt në Facebook


Ndërsa bën të ditur se ka pasur kërcënime publike gjatë ushtrimit të detyrës së tij anëtar i Këshillit. “Kërcënimet paralajmëruese m’i ka dërguar Taulant Balla pas mospranimit të ndërhyrjes së tij edhe me SMS me rekomandime partiake në proceset e përzgjedhjes në Bordin e Bankës së Shqipërisë. Shqetësimi është i protokolluar në mbledhjen e Bordit të BSH. Fakti që pas shkarkimit nga Erdogan të Guvernatorit të Bankes së Turqisë, ky mund jetë rasti i dytë që maxhorancat e gjithëpushtetshme shkarkojnë një anëtar Bordi të Bankës Qendrore, vetëm profesionalisht më trishton. Veprimi i tyre është i pastër politik, sepse shkeljet etike materializohen me cenim të reputacionit apo efiçencës së Bankës së Shqipërisë, gjë që sipas vlerësimeve edhe të institucioneve ndërkombëtare nuk konstatohen të tilla. Por edhe në 7 mbledhjet e Bordit gjatë vitit 2019, pas mandatin të ri, (mandatin e parë ishte zëvendësues rreth dy vite) nuk ka asnjë shqetësim të shprehur ndaj meje për shkelje etike. Mbledhja e fundit ishte në 3 korrik 2019”, shkruan Malaj.
Ai thekson se do të bëjë padi individuale për çdo abuzues me statusin e deputetit që cenon integritetin e tij dhe i këshillon të kërkojnë asistencë juridike përpara se të shpifin. Ndërsa e mbyll reagimin me një këshillë për ish-kolegët e PS-së: “E dini shumë mirë që midis lirisë dhe karrigeve kam zgjedhur dhe do të zgjedh lirinë, sepse pa të nuk i shërbej dot vendit tim”.
Malaj u rizgjodh në dhjetor të vitit 2018 si anëtar i Bankës së Shqipërisë me 72 vota pro dhe 2 kundër. Ai u zgjodh edhe në këtë këshill së bashku me ish-ministrin e Financave të PD-së, Ridvan Bode dhe si dhe të anëtarëve të tjerë Suela Popa, Edlira Luçi, Artan Hoxhës dhe Luljeta Minxhozi.
Ai do të zgjidhej si anëtar i Këshillit në vitin 2016, duke rimarrë besimin e socialistëve të cilët e kishin përjashtuar nga Partia Socialiste. Ai do të zgjidhej në vend të Ermelinda Meksit, si mandat zëvendësues të koleges së partisë së tij. Pro kandidaturës së do të votonin 104 deputetë, duke përfshirë edhe votat e PS dhe të LSI-së. Meksi asaj kohe dha dorëheqjen, pasi siç përflitej, ishte e pakënaqur, ajo synonte postin e guvernatores së Bankës së Shqipërisë.

"Rebeli" Malaj kundër PS
Me rikonfirmimin në anëtar të Këshillit Mbikëqyrës, Arben Malaj nisi të shfaqte një profil tjetër, atë të kritikut ndaj Qeverisë, duke mbajtur qëndrime hera-herës tejet të ashpra. Ndër përplasjet më të forta do të ishte qëndrimi i mbajtur kundër kryebashkiakut Erjon Veliaj, të cilin e sulmonte për gjobat që vendoste Policia Bashkiake nëpër parkingje.
“Qeveriset me zemër dhe jo me arrogancë. Qeveriset duke rritur barazinë e mundësive dhe jo duke rritur gjobat dhe penalizimet. Bashkia e Tiranës është modeli më i keq i arrogancës dhe babëzisë. Veliaj “ndali” arrogancat, gjobat, dhunën përpara zgjedhjeve dhe u kthye në mënyrën me arrogante dhe abuzive sapo “fitoi”. Por politika është sfidë afatgjatë”, do të shkruante Malaj në Facebook.

Rama dhe Malaj


Por jo në pak raste Malaj do të mbante qëndrime kritike edhe për sa i përket krizës politike në vend, duke qenë në favor të propozime të opozitës për të krijuar një qeveri tranzitore dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare.
“Nuk na duhet zgjedhje pa zgjidhje. Nëse flitet se do të ketë qeveri tranzitore asaj i duhen një vit ose 6 muaj të bëjë reformë politike. Pa reformë të mirëfilltë politike, pa e hequr atë lakun që i është vënë çdo njeriu që ti mund të kandidosh vetëm kur të dojë kryetari i partisë dhe gjithë individët i zgjedhin sipas preferencave personale. Është marrë një nismë por po nxitet apo po vritet. Unë po ta kisha kopjen këtu do ta kisha firmosur. Është e pamundur të jemi në 2019 dhe të kemi këtë lloj krize. Nëse do të shkohet në një qeveri tranzitore, palët duhet të tërhiqen dhe platformat duhen ndërtuar nga grupe ekspertësh ku ata ndikojnë. Nëse futen në një negociatë, unë kam platformën time, ti tënden dhe hajde të gjejmë një zgjidhje. Unë besoj se nuk do të jetë zgjidhje, por kompromis i momentit që të mbijetojmë", do të shprehej Malaj në një intervistë televizive.

Malaj pas rikthimit në PS, duke bërë fushatë për zgjedhjet lokale të 10 viteve më parë

Madje ai nuk do të ngurronte që t'i bënte thirrje Ramës që të tërhiqej. “Apeli im është publik edhe për Ramën. Ai mund të bëjë çfarë të dojë me pushtetin e tij, por nuk qeveriset më pas zgjedhjeve pa pjesëmarrjen e opozitës. Në 2005 PS kishte mundësinë të merrte mandatin e tretë dhe është lëvizur për 2-3 vota dhe në balotazh. Ne kemi diskutuar brenda PS-së dhe ishte koha që ne vajtëm në zgjedhje me protesta, nuk u votuan ministrat e PS-së, vendi ishte në një situatë të vështirë politike. Gjëja më e mirë për vendin ishte rotacioni politik, më shumë sesa mbijetesa jonë me mandat të tretë. Kjo është përgjegjshmëri qytetare dhe politike”, do të shprehej Malaj. Ai nuk do të ngurronte që t'i kujtonte Ramës edhe mënyrën e qeverisjes së Erdogan, ku sipas tij, pushteti absolut të korrupton.

Akuzave të lëshuara do t’i përgjigjej kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, i cili do të shprehej se Malaj i kishte kërkuar favore, leje ndërtimi për pallate.
“Të gjuash me gurë nga ekranet është një zgjedhje, por për dikë që pretendon që e bën më mirë duhet të ofrohet ta bëjë më mirë. Dhe një gjë që ia kam bërë të qartë edhe zotit Malaj, por edhe shumë të tjerëve është që unë nuk pranoj gjoba. Nuk ka sot një media, një njeri publik ose një politikan që mund të më kërkojë të bëj gjëra të paligjshme duke më vënë gjobë. Nuk e di çfarë pretendon, por ia kam bërë të qartë edhe zotit Arben Malaj edhe zotit Basri Malaj, nuk marrin dot leje në Mjull-Bathore në tokë të gjelbër, në tokë ullishte, në tokë që nuk është truall, në tokë bujqësore ku nuk ndërtohet duke më vënë gjoba në televizor. E kanë provuar shumë, por meqë më pyetët kjo vlen për zotin Malaj, për vëllain e tij, pallat në tokë bujqësore ullishte unë nuk jap sepse është e paligjshme”, do të deklaronte Veliaj. Kreu i Bashkië theksonte se pavarësisht angazhimit të përbashkët në strukturat e Partisë Socialiste, ai nuk mund të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme diçka që nuk i takon.
“Unë nuk kam ndërmend as të shkoj në burg, as nuk kam ndërmend të shkel ligjin. Ia kam thënë në sy me dëshmitarë. Vendosi të aplikojë gjobën. Unë kam katër vjet këtu, nëse më gjen një njeri nëse arrin me presionin në media të marrë diçka të padrejtë unë iki nga bashkia. Të gjithë marrin një përgjigje, Erion Veliajt nuk i vë dot gjobë njeri, jo Ben edhe Basri Malaj, por asnjë njeri tjetër në botë”, do të deklaronte Veliaj më 17 maj, i cili i kërkonte të mos abuzonte me faktin se ishte anëtar i Bordit të Bankës.

Konflikti me Ramën dhe përjashtimi nga PS
Arben Malaj do të ishte ministri i Financave pas vitit të mbrapshtë 1997, pasi skemat piramidale rrënuan dhe shkatërruan ekonominë shqiptare. Ai do të ishte kryefinancieri i qeverisë socialiste me kryeministër Fatos Nanon. Një politikan me karrierë në ngjitje, i njohur si njeriu i Nanos, Malaj shpesh do të ishte edhe “kurban”i kësaj mbështetjeje të pakufishme që ai i jepte liderit të socialistëve. Ai do të mbante për një vit postin e Ministrit të Financave dhe në konfliktin mes Nanos dhe Metës ai do të mbante anën e liderit të PS-së. Ai do të përballej në KPD-në e famshme edhe me Ilir Metën për postin e kryeministrit. Edhe pse u mbështet nga Nano, aleanca e Metës me Ruçin do të sillte një humbje të madhe të nanoistëve. Por Malaj do të rikthehej në qeveri me post ministri menjëherë pasi Nano të merrte frenat në dorë dhe të rizgjidhej kryeministër. Në vitin 2002-2003 do të ishte Ministër i Ekonomisë, ndërsa sërish Ministër i Financave në vitin 2003-2005. Pas humbjes së zgjedhjeve nga socialistët, Rama do të ishte njeriu që do të merrte drejtimin e PS-së pas vitit 2005. Tashmë lideri i ri i PS-së kishte një betejë të re; të përballej me grupimin e nanoistëve, pjesë e të cilit ishte edhe Arben Malaj, Kastriot Islami, Ben Blushi, Marko Bello, Andis Harasani etj.

Lëvizja për Mendimin Ndryshe brenda PS-së do të krijohej me grupin e nanoistëve, që mbështeste Malajn si kandidat për kreun e PS-së. Por papritur Malaj do të jepte dorëheqjen nga kandidimi, duke akuzuar Ramën për mospasjen e një gare të ndershme. Ky vendim do të merrej dy ditë pas vendimit të Kongresit. “Gjatë Kongresit të 29 gushtit, shpresova se Rama do të mbante përgjegjësinë e humbjes dhe nuk do të rikandidonte, duke zbatuar një standard që duhet të ndiqet nga të gjitha partitë shqiptare”, u shpreh Malaj, duke shtuar se “kjo më bëri të tërhiqem, pasi kisha shpallur platformën time para delegatëve të Kongresit”.

Arben Malaj dhe ish-kryeministri Fatos Nano, gjatë një konference shtypi, ku Malaj çeli zyrtarisht fushatën elektorale si kandidat për deputet i pavarur ne Qarkun e Vlorës në vitin 2013


Jo të pakta ishin përplasjet në Partinë Socialiste mes nanoistëve dhe Ramës dhe mbështetësve të tij, tashmë kishte një luftë brenda PS-së, ku në shenjëstër ishin Islami, Malaj dhe të tjerë, të cilët mbanin edhe poste kyçe në forume socialiste. Pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2009, Rama do të vihej përballë sulmeve të socialistëve të cilët kërkonin largimin e tij si kryetar. Në kongresin e jashtëzakonshëm të PS-së, Arben Malaj do të shpallej si kandidat për postin e kryetarit të PS-së, një sfidues i Ramës, i cili asokohe drejtonte Bashkinë e Tiranës.

Ndërsa përplasja do të finalizohej me moskandidimin e tij si deputet në vitin 2013, ku edhe pse anëtar kryesie të PS-së, ai u përjashtua. Kjo bëri që nga kjo goditje, Malaj të dilte si i pavarur në zgjedhjet parlamentare për Qarkun e Vlorës. Tashmë për ish-ministrin socialist të Financave kjo është përplasja e dytë me Ramën e kësaj here në rrugë institucionale dhe jo partiake.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë