Politike

Bardhi lë të hapur bashkëpunimin: Pro integrimit me vepra jo me letra, për Komisionin e Posaçëm flasim kur të futet në Kuvend   

Duke e filluar fjalinë se, “kemi qeverinë dhe kryeministrin më të korruptuar në Europë”, kryetari i grupit parlamentar dhe nënkryetar i PD-së së Rithemelimit, Gazment Bardhi, bëri dallimin për bashkëpunim edhe me mazhorancën kur qartësoi se opozita mbetet e hapur të kontribuojë në realizimin e reformave që kanë si synim integrimin europian. Në kushtet kur dokumenti konfidencial i zbatimit të reformave të propozuar nga kryeministri Edi Rama (me qellim integrimin) është 'jetësuar' në letër  (një kopje të së cilës Gazetasi e disponon) Gazment Bardhi tha për mediat se, Shqipëria bëhet evropiane jo me letra, por me vepra.

“Por të tilla vepra Rama nuk i ka në historikun e tij”, vërejti Bardhi, duke kujtuar eksperiencën e deritashme që sipas tij lidhet nga shkelja e pavarësisë së pushteteve e deri tek mungesa e kontrollit parlamentar ndaj qeverisjes.

Kjo sa i përket qëndrimit për dokumentin e propozuar nga Rama përmbajtjen e së të cilës e komentoi edhe Ambasada e ShBA duke e cilësuar si propozim premtues. Duke u pyetur për këtë dokument nga media dhe nese ka pasur negociata me diplomatet, Bardhi nuk e mohoi, por nuk komentoi përmbajtjen e tyre. “Nuk bëhem zëdhënës i takimeve ku marr pjesë”, tha ai.  

Lidhur me pjesën e dytë të dokumentit, ajo më e rëndësishmja që çon në domosdoshmërinë e ngritjes së një komisioni të posaçëm parlamentar ku ftohet edhe PD, Bardhi e devijoi përgjigjen direkte, duke e lënë të hapur pjesëmarrjen në një moment të dytë.

“Kur kjo çështje të jetë çështje e procedurave parlamentare padiskutim që do të keni edhe qëndrimin e grupit të PD-së. Kur të jetë jetë pjesë e axhendës së Kuvendit do të keni përgjigjen tonë, nuk e dimë se çfarë është komisioni i posaçëm, nuk mund të përgjigjem për një gjë që nuk është në procedurë, nuk mbajmë qëndrime mbi retorika politike por iniciativa konkrete në Kuvendin e Shqipërisë”, tha disa here Bardhi pas këmbënguljes nga media.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë