Mendim

Sfidat e financimit të energjisë së pastër në Shqipëri

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria vlerësohet si vend me kosto të ulët sa i përket tranzicionit drejt energjisë së pastër, nisur nga fakti që vendi prodhon thuajse 100 për qind të energjisë elektrike nga hidrocentralet.

Megjithatë, shndërrimi i vendit në një eksportues neto i energjisë elektrike pa dëmtuar edhe më tej me HEC-e rrjedhën e lumenjve të vendit kërkon një orientim tjetër drejt energjisë së prodhuar nga panelet diellore (fotovoltaike) dhe energjisë së prodhuar nga era (eolike).

Prandaj, ky tranzicion në vendin tonë mund të rezultojë me kosto më të ulët në raport me vendet e tjera të rajonit, por nuk është pa kosto.

“Projektet energjitike zakonisht kërkojnë një kosto paraprake të lartë, e cila rekuperohet në një periudhë të gjatë kohore. Deri më sot, donatorë dhe banka kanë luajtur një rol kyç në hapjen e tregut rajonal përmes financimeve afatgjata, asistencës teknike dhe incentivave të tjera”, thotë Lorenc Gordani, jurist i së drejtës në fushën e energjisë dhe pedagog e shef i departamentit të Masterave në “Tirana Business University”.

Lorenc Gordani

Parë në këtë këndvështrim, pyetja që ngrihet është se cilat janë sfidat aktuale të financimit të këtij sektori?

“Disa banka tregtare janë të kapitalizuara mirë dhe financojnë programe investimesh në energjinë e rinovueshme, megjithëse përgjithësisht në projekte të vogla. Ajo që është konsideruar si pengesë është perceptimi për kostot e larta të sistemeve të prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe nevoja për subvencione, rrjeti i amortizuar i transmetimit, që ka vështirësi në transmetimin e volumeve të mëdha të energjisë nga këto sisteme, pasiguria e rregullave, teksa vendi po ecën përpara drejt skemave mbështetëse konkurruese, tregu i pazhvilluar mirë i energjisë dhe ndërlidhja e kufizuar rajonale”, rendit eksperti Gordani në një analizë të tij për sfidat e financimit të energjisë së rinovueshme në Shqipëri.

Sipas Gordanit, autoritetet publike nuk po tregojnë të njëjtën shpejtësi me të cilën po ndodhin ndryshimet në tregun energjitik drejt burimeve të rinovueshme dhe kjo pengon financimin e sektorit privat nga bankat.

“Megjithatë, duke qenë se projektet bazohen në kontrata dhe këto të fundit në studime teknike, është gjithashtu thelbësore të përfshihet dhe të trajnohet sektori privat në përgatitjen e projekteve bankare të gatshme për të përfituar nga financimi i shpejtë nga bankat, veçanërisht për të kuptuar ato që gjenerojnë fitime të mëdha, ose të prekshme”, analizon eksperti.

Sfidë më vete mbetet edhe mungesa e liberalizimit të tregut dhe e të kuptuarit të legjislacionit dhe rregullave në fuqi.

“Duket qenë se vendi nuk e ka të liberalizuar plotësisht këtë treg, duhet të adoptojë rregulla të detajuara për çdo projekt që ndërtohet. Projektet duhet të aplikojnë një nga një, si shembull, edhe në rastet kur bëhet fjalë për projekte të vogla. Mbi të gjitha, ka një mungesë të të kuptuarit të legjislacionit në fuqi dhe kuadrit rregullator edhe për panelet diellore, si shembull, për përdorim vetjak e shtëpiak”, thekson ai.

Për tejkalimin e këtyre pengesave, eksperti Gordani propozon më shumë bashkëpunim mes institucioneve, kompanive e bizneseve, si edhe ekspertëve dhe të gjitha aktorëve të përfshirë në këtë sektor. Po ashtu, me rëndësi thelbësore, thotë ai, është edhe ngritja e një skeme për financim publik në formën e kredive të buta, granteve, apo programeve të tjera të garancisë, për projektet nga të cilat përfiton e gjithë shoqëria.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë