Kosova

Serbia humbi nga tregtia me Kosovën 150 milionë dollarë

Nga Gazeta ‘Si’- Që nga qershori i vitit të shkuar kur Kosova vendosi 'sanksione' për mallrat serbe, Serbia ka humbur rreth 150 milionë dollarë duke kaluar nga vendi i parë në të tretin në renditjen si partner kryesor i Kosovës.

Në qershor të vitit 2022, vlera e mallrave të eksportuara nga Serbia ishte 40.7 milionë euro, ndërsa në të njëjtin muaj të vitit 2023 vlera e eksporteve ra në 16.7 milionë euro, 59 për qind më pak.

Kosova i largohet varësisë nga Serbia

Deri tani, Serbia ishte një ndër shtetet me praninë më të madhe të produkteve të saj në tregun e Kosovës. Por me vendosjen e ‘sanksioneve të mallrave’, produktet serbe në supermarket e Kosovës po zëvendësohen me ato rajonale.

Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka deklaruar se bizneset vendase kanë vazhduar të importojnë produkte nga brand-et e njëjta, por që kanë përfaqësi në shtete tjera në rajon.

Ai ndërmend rastin e Coca-Colës e cila më herët është importuar nga Serbia ndërsa tani ky import është riorientuar drejt Maqedonisë së Veriut.

“Dihet se shumë kompani që prodhojnë në Serbi i kanë riorientuar partnerët e tyre prej Kosovës që t’i blejnë mallrat nga kompanitë që i kanë simotra në Maqedoni, siç është CocaCola, e cila më herët është importuar nga Serbia, ndërsa tani është riorientuar në Shkup që është pronari i njëjtë e kanë orientuar të importohet nga Maqedonia shkaku i masës nga Qeveria”, ka thënë ai.

Rafuna citon se bizneset vendase kanë vazhduar të importojnë produkte nga brand-et e njëjta, por që kanë përfaqësi në shtete tjera në rajon

Importet e Kosovës para dhe pas ‘sanksioneve të mallrave serbe’

Gruri është një ndër produktet kryesore për të cilin Kosova ka patur varësi nga Serbia. Duke qenë se nuk arrinte të plotëosonte nevojat e tregut, referuar të dhënave të doganës, deri përpara vendosjes së masës Kosova importonte nga Serbia rreth 84-89% të grurit.

Ndërkohë, përpos grurit të prodhuar vetë, pjesën tjetër më të vogël të nevojshme e kompesonte me importe nga Kroacia dhe nga Hungaria.

Por me vendosjen e kësaj mase, Kosova është rioerientuar në shtete të tjera.

Përpos grurit, mielli, qumështi, uji, ëmbëlsirat, detergjentet, ilaçet edhe produkte të tjera kimike dhe ushqimore kanë ardhur në sasi enorme nga Serbia.  Tani të gjithë këto produkte janë ndaluar.

Megjithatë, masa e sigurisë u lehtësua vetëm disi në korrik duke lehtësuar importin e lëndëve të para, plehrave minerale, makinerive, pajisjeve dhe ushqimin e kafshëve.

Kosova, me “Besa besë” kundër produkteve serbe

Megjithatë, që para vendosjes së masës, në Kosovë kishte nisur një fushatë sensibilizuese për ndalimin e produkteve serbe. Pas fushatës, 13 pika të shitjes me pakicë nuk ofrojnë më produkte serbe në Kosovë. Gjithashtu janë edhe 7 restorante që nuk ofrojnë prodhime nga Serbia.

Sipas bizneseve në Kosovë kjo fushatë ka ngritur vetëdijen e qytetarëve.

Po ashtu, sipas përfaqësueve të fushatës, para nisjes së saj kishte ekzistuar vetëm një pikë që nuk kishte ofruar prodhime me origjinë nga Serbia.

Ndalimi i importit të mallrave në optikën e biznesmenëve

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, vlerëson se vendimi i Kosovës për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia “e ka përmbushur qëllimin e tij” dhe shton se të dyja palët tani duhet të punojnë për tejkalimin e mosmarrëveshjeve.

Ai ka treguar disa herë se përveç Serbisë, dëme pësojnë edhe biznesmenët kosovarë që importojnë lëndë të parë nga ky vend.

Ai thekson se Aleanca e tij për Biznesin e Kosovës po përpiqet t'i “bindë” të dyja qeveritë që të sigurojnë qarkullimin e lirë të mallrave dhe njerëzve.

Ndërsa Sasha Sekuliç nga Shoqata e Biznesmenëve Serbë në Kosovë thekson se kjo nuk është hera e parë që Prishtina zyrtare “sanksionon” mallrat nga Serbia dhe shton se në shekullin XXI “është diçka që s’mund ta marrësh me mend që të mos ketë qarkullim të lirë të mallrave dhe njerëzve".

“Dikush që aspiron të jetë anëtar i BE-së, nga ana tjetër, ndalon qarkullimin e mallrave. Ndalimi i importit të mallrave dhe Bashkimi Evropian nuk shkojnë bashkë”, vlerëson ky biznesmen.

Ai beson se ndalimi i importit të mallrave me origjinë nga Serbia prek kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, por thekson se dëme kanë pësuar edhe biznesmenët shqiptarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë