Kosova

Kurti: Kosova nuk e pranon Asociacionin si kusht për anëtarësim në KiE

Nga Gazeta 'Si'-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngulur këmbë të mërkurën se Qeveria e tij nuk do ta pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).

Duke folur në mbledhjen e Qeverisë në Prishtinë, Kurti tha se Kosova është duke u përballur javët e fundit me “një kusht të ri, i cili nuk ka të bëjë aspak me anëtarësimin” në Këshillin e Evropës.

“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ne bisedojmë në Bruksel, e jo në Strasburg”, tha Kurti.

Franca dhe Gjermania i kërkuan Kosovës të bëjë hapa drejt themelimit të Asociacionit pak kohë pasi në fund të prillit Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dha dritën jeshile për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

KiE - lidere në Evropë për të drejtat e njeriut - mund të votojë për pranimin e Kosovës më 16 maj.

Kurti nguli këmbë se Kosova e meriton anëtarësimin, pasi i ka “plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme tashmë”.

“Ne dëgjuam se ka kryeqytete që tash po e kushtëzojnë finalizimin e procesit të anëtarësimit me dërgimin e një dokumenti në gjykatën Kushtetuese të Kosovës... Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese dokumente, të cilat nuk i ka pranuar dhe të cilat nuk janë zyrtare. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde”, shtoi Kurti.

Kosova dhe Serbia u pajtuan për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe qysh në vitin 2013.

Megjithatë, qeveri të njëpasnjëshme të Kosovës refuzuan ta zbatojnë marrëveshjen, duke shprehur frikë se asociacioni i tillë njëentik mund të ndikojë në funksionalitetin e duhur të shtetit.

Pas trysnisë së vazhdueshme, diplomatët perëndimorë hartuan një draft-statut të këtij asociacioni, të cilin ia dorëzuan Kosovës dhe Serbisë në fund të vitit të kaluar.

Kurti tha të mërkurën se u kishte thënë diplomatëve perëndimorë dhe të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, “qysh tetorin e kaluar se Qeveria e Kosovës nuk e pranon këtë draft-statut”.

“Kosova ka ofruar që ai dokument të bëhet pjesë e pakos së Marrëveshjes Bazë të Brukselit, dhe të Aneksit të Ohrit, dhe të nënshkruhet që të bëhet ligjërisht i obligueshëm dhe i zbatueshëm. Ai u refuzua nga Serbia”, tha Kurti, duke iu referuar marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë që u arrit në fillim të vitit të kaluar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë