Njerez

Refugjatët e luftës enden rrugëve të Tiranës

Në sheshin përbri presidencës, Sulejmani së bashku me dy shokët Rahim e Mustafa është shtrirë në barin e lulishtes. Duket sikur nuk e shqetëson asgjë, as makinat e ushtrisë, dhe as boshatisja e rrugëve. As mungesa e njerëzve në qytet. Me shumë mundësi, as Covid 19. Dicka tjetër e brengos, është zhurma e stomakut bosh. 32 vjecari ka udhëtuar nga Palestina së bashku me familjen dhe miqtë. Duke qëlluar shputat e këmbëve si për të treguar odisenë që ka kaluar, Sulejmani i tregoi gazetës “Si” se, “kam udhëtuar 20 ditë, kemi ecur maleve në këmbë. Nga Palestina, drejt Turqisë, më pas në Greqi, dhe në fund në Tiranë. Synonim Francën, ne flasim frëngjisht, atje kemi njerëz. Por mbetëm këtu”.

Sulejmani tregon se ka tre ditë në Shqipëri. Dy shokët e tij Rahim dhe Mustafa vetëm tundin kokën. Të dy ata nuk preferojnë as të filmohen dhe as të fotografohen. Kur i pyetëm nëse kane frikë nga koronavirusi, në një cast të tre djemtë shpërthejnë në lot. Njëri prej tyre hap qesen e ushqimeve. Tregon një shishe qumësht: “Por unë nuk mund ta ha këtë, është për fëmijën tim që e kam në qendrën e Babrrusë”. “A ke dicka për të ngrënë?”- pyet djali tjetër. Ndërsa, më kurajozi për të folur, Sulejmani tregon një kokërr mollë dhe një kokërr portokall. Dikush ua ka falur përpara se të mbyllej në karantinë.

“Ne do flemë në rrugë, nuk besoj se jemi shqetësim për të tjerët, ja këtu në rrugë flemë. Nuk shkojmë në Babrru, atje ushqimi shumë i keq, I pangrënshëm, ka mbipopullim. Atje kam nënën dhe kemi fëmijët”. Asnjëri nuk është në gjendje të tregojë se sa do qëndrojnë në Shqipëri, por pesimizmi e ka bërë të vetën. Dyqanet janë të mbyllura dhe nëse dikush u fal ndonjë lekë, ato monedha gjatë këtyre orëve nuk ka asnjë vlerë. Sulejmani dëgjon zërin e lartë që vjen nga makinat e ushtrisë dhe shton: ” Nuk e di se cfarë thonë, por e di qe nuk është për mua, ne jemi të harruar”

Por, për shkak të epidemisë së COVID- 19, duket si e harruar kriza e sirianëve  që shënoi kulmin ne kufirin grek . Pavarësisht kësaj, pohon jo zyrtarisht për gazetën “Si” një burim policor pranë Departamentit të Kufirit, se në pikat kufitare ka më pak grumbullime shtetasish nga vendet e lindjes. Për shkak të bllokimit të transportit nuk janë konstatuar dhe as kapur shtetas që udhëtojnë drejt Bashkimit Evropian kryesisht nga Siria, Afganistani, Palestina dhe Irani. Por jo zyrtarisht thuhet se përsa kohë policia i ka kthyer sytë nga postblloqet për të ndaluar qytetarët që të dalin nga shtëpia, kjo gjendje ndikon në rënien e vigjilencës për kontrollin e kufirit të gjelbër. Gjatë 10 ditëve të fundit përpara se Shqipëria të karantinohej nga COVID, gazeta “Si” ka mësuar nga burimet e saj se në vendin tonë  hynin 80-100 emigrantë në ditë,  sirianë dhe shtetas nga vende të tjera në konflikt.

Menjëherë, me nisjen e 2020 por edhe gjatë verës dhe vjeshtës 2019, gazeta “Si” raportoi disa herë për fenomenin e përdorimit të Shqipërisë si korridor kalimi të sirianëve dhe jo vetëm. Madje në disa raste prokuroria nisi hetime referuar rrjeteve të mirë organizuara që sillnin fillimisht përmes kufirit të gjelbër shtetas sirianë dhe më tej i transportonin drejt Kosovës dhe Malit të Zi. Në muajt dhjetor dhe janar policia u detyrua të riorganizojë shërbimet, pasi u vërejtën shumë vjedhje me të dyshuar shtetas nga Afganistani, Siria dhe Pakistani. Grumbuj me refugjatë u panë lehtësisht nëpër rrugët e qyteteve kryesore të vendit. Disa të braktisur nga trafikantët dhe të tjerë të kapur nga policia. Të gjithë rrëfejnë se Shqipëria është vetëm një stacion për ta, por jo destinacion. Por sa kohë Shqipëria do të mbetet e mbyllur për shkak të COVID 19 shëndeti i tyre është në rrezik dhe mbeten një vatër mjaft e  ekspozuar rrugëve të Shqipërisë.

Më Shumë