Nga Gazeta Si- Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka publikuar ‘Udhëzuesin për Mbrojtjen e të Dhënave të të Miturve’, një dokument informues dhe ndërgjegjësues për të ndihmuar fëmijët, prindërit dhe kujdestarët të kuptojnë më mirë të drejtat dhe rreziqet që lidhen me përdorimin e internetit dhe teknologjive digjitale.
Sipas udhëzuesit, të dhënat personale të fëmijëve përfshijnë çdo informacion që mund të përdoret për identifikimin e tyre, nga emri dhe data e lindjes deri te fotografitë, videot, vendndodhja apo aktiviteti në internet.
Për shkak të moshës dhe cenueshmërisë së tyre, të miturit gëzojnë një nivel më të lartë mbrojtjeje ligjore krahasuar me të rriturit.
Dokumenti thekson se, për fëmijët nën moshën 16 vjeç, përpunimi i të dhënave personale është i ligjshëm vetëm nëse autorizohet nga prindi ose kujdestari ligjor.
Njëkohësisht, ligji ndalon përdorimin e të dhënave të të miturve për marketing, profilizim apo monitorim, përveç rasteve kur ekzistojnë garanci të posaçme ligjore për mbrojtjen e tyre.
Një pjesë e rëndësishme e udhëzuesit i kushtohet të drejtave që gëzojnë fëmijët si subjekte të të dhënave personale.
Mes tyre përfshihen e drejta për informim, akses, korrigjim dhe fshirje të të dhënave, e drejta për transferueshmërinë e të dhënave, për të kundërshtuar përpunimin dhe për të mos iu nënshtruar vendimeve automatike që mund të ndikojnë në jetën e tyre.
Komisioneri vë theksin edhe te rreziqet që sjell ekspozimi i pakontrolluar në internet. Publikimi paralajmëron se informacionet personale mund të përdoren për profilizim, reklamim të synuar, mashtrime, bullizëm kibernetik apo edhe për cenimin e reputacionit të fëmijëve në të ardhmen.
“Fëmijët duhet të mësojnë që herët të kenë kontroll mbi identitetin e tyre digjital. Në një botë ku të dhënat personale janë kthyer në një nga asetet më të vlefshme, edukimi për privatësinë dhe sigurinë online është po aq i rëndësishëm sa edukimi tradicional”.
Udhëzuesi evidenton gjithashtu rolin e rëndësishëm të prindërve, mësuesve dhe institucioneve arsimore në krijimin e një mjedisi më të sigurt digjital për fëmijët, duke nxitur komunikimin, mbështetjen dhe edukimin e vazhdueshëm mbi privatësinë dhe sigurinë online.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje