Ngjarje

Sirianët/ Policia e pranon, kontingjente refugjatësh endacakë nëpër rrugë

Abdel Ofti doli para Gjykatës së Tiranës për akuzën e vjedhjes së dhunshme të mbetur në tentativë, si shumë shtetas të tjerë “që udhëtojnë” nga Lindja e Mesme dhe ngecin në rrjetat e policisë. Ai u kap nga një qytetar gjatë tentativës së tij për të vjedhur një makinë Toyota Yaris, një ngjarje që i kushtoi lirinë dhe dërgimin në polici e më pas në burg. Gjykata shpalli “arrest me burg” për 23-vjeçarin nga Siria, të cilit me shumë vështirësi ju gjet një përkthyes, teksa tha vetëm emrin, mbiemrin dhe pohoi adresën dhe numrin e telefonit. I zoti i makinës sipas prokurorit ishte duke pirë një cigare në ballkon kur pa një person të panjohur t’i drejtohej automjetit të tij dhe të përpiqej më pas duke i ardhur vërdallë që ta hapte. “U hodha nga kati i dytë rrëfeu më pas në polici shtetasi F. Shiqeri, i cili teksa kërkonte ndihmën e policisë është drejtuar nga hajduti që po tentonte të rrëmbente makinën e tij të parkuar në lagje. Prokurori tha në seancë se siriani u kap brenda makinës dhe kur u bllokua nga qytetari e më pas policia, ai rrëmbeu një biçak që gjendej në mjet dhe duke kërcënuar me të, bëri rezistencë me shpresën se kështu po i shpëtonte arrestimit. Ndërkohë në shkresën që gazeta “Si” disponon oficeri i policisë raporton “kur e kapëm konstatuam që nuk fliste shqip, ndonëse i folëm dhe e pyetëm. Kuptuam dhe që ishte nga kontingjenti i sirianëve që vijnë vërdallë nëpër Tiranë si endacakë”. Gjatë kontrolleve, policia i gjeti 23-vjeçarit vetëm 10 euro si dhe dy monedha metalike. Lidhur me problemin që bëri publik pak ditë më parë gazeta “Si”, policia shkruan pas ndalimit të shtetasit sirian “në pamundësi për të gjetur një përkthyes zyrtar dhe mbas komunikimit me prokurorin e gatshëm, kjo detyrë u la të kryhet gjatë ditëve në vazhdim”, një detyrë që u zbatua nga gjykata, e cila kohët e fundit po përballet me të rinj sirianë, afganë e palestinezë që ndalohen dhe dërgohen në polici.

A po bëhemi jotolerantë?

Por rasti i J. Bidki, i shoqëruar pak ditë më parë dhe i raportuar nga gazeta “Si”, tregon se qytetarët janë aq të alarmuar sa ngjan që po paragjykojnë edhe të pastrehë të tjerë, të cilët thjesht kalojnë mes për mes Shqipërisë për të udhëtuar drejt destinacioneve që kanë planifikuar. Kur një qytetar mendoi se dyqani dhe frigoriferi po boshatisej nga një sirian që kalonte shpesh në lagjen e tij, ai u besua nga policia. Ndaj J. Bidki, u mor në pyetje pasi të dhënat dhe identiteti i tij ishte përshkruar nga qytetari. Bidki pranoi se vuante për ushqim, por ndërkohë kur u gjet një përkthyes pas shumë orëve stërmundim deklarata e tij nuk ishte aspak nga ajo e mëparshmja. Bidki shprehet në shkresën që gazeta “Si” disponon se jeton pranë Spitalit Ushtarak dhe se ishte ulur për të pirë kafe në një lokal, pasi nuk kishte bateri. “Dola për të pirë cigare, pastaj lehu një qen, menjëherë më pas ndjeva një të goditur në qafë dhe personi nuk më la të largohem”. Burimet policore pohojnë për gazetën “Si” se vendi ynë nuk është i përgatitur për valën e migrantëve që pritet të përdorin edhe Shqipërinë. Pavarësisht se janë deklaruar disa qendra të bëra gati, vala e sirianëve të kthyer në endacakë, ngeli në provim edhe qendër e azilkërkuesve që në të vërtetë nuk ofroi kushtet minimale si ushqim dhe fjetje. Mes kushteve të këqija dhe jetës së rrugës që nga muaji mars shumë sirianë dhe afganë zgjodhën jetën e endacakëve dhe lypjen, duke hedhur poshtë pretendimin se në qendrën e azilit ka shtretër mjaftueshëm, edhe pse kapaciteti maksimal në këtë qendër nuk i kalon 300 shtretërit në kushte mbipopullimi. Njëkohësisht, edhe Ministria e Drejtësisë, pavarësisht listës me përkthyes që ofron për policinë dhe që duhet të jenë të licencuar, komisariatet po përballen me refuzimin e përkthyesve për çdo shoqërim që kryejnë. Edhe pse shumë herë policia prej javësh ka shkelur edhe kartën e të drejtave, ministria nuk ka reflektuar asnjë masë ndaj përkthyesve që futen në listën e përkthyesve zyrtarë dhe që janë njëlloj si avokatët e shtetit, duhet të jenë në gjykatë dhe në polici kur ata thërriten për ndihmë.

Qytetarët, gjithashtu, të ndodhur para sulmeve në rrugë  sipas burimeve policore, kanë krijuar gjithashtu stereotipet e tyre, të theksuara edhe nga situata e Covid-19. Kur vendi u fut në karantinë, rrugëve, të braktisur dhe të pangrënë dolën hapur migrantët që vijnë nga vendet me probleme. Episodi më i rëndë është ai që tregohet për gazetën “Si” përmes burimeve. Një burrë që jeton i vetëm, pasi fëmijët i ka në emigracion, doli nga banesa private për të blerë bukë. Kur Dedë Prenga u kthye në shtëpi, ai gjeti një mysafir, të panjohur. “E kapa nga jaka, e pyeta çfarë do këtu, më pa me sytë e hapur dhe filloi të fliste fjalë të pakuptueshme. Nuk mbante asgjë veç fliste në gjuhën e tij, u përpoq të ikte. Por kur bërtita, aty mbërriti komshiu”, rrëfen denoncuesi. Të dy burrat e kanë nxjerrë të panjohurin në rrugë, ndërkohë që njëri prej tyre telefonoi policinë. Kur i riu u dërgua në komisariat dhe u mbajt për orë të tëra aty derisa mbërriti një përkthyes, ai tha “kam dy ditë që kam ardhur përmes Greqisë, jam nga Libia. Quhem Rashid Eyub. Për shkak se nuk kisha asnjë dokument, nuk më pranuan në qendrën e azilkërkuesve. Ndaj dhe kam fjetur rrugëve”. Policët e pyetën të riun se përse kishte hyrë në banesë dhe ai u përgjigj: I rashë portës, nuk u përgjigj askush. Hyra për të ngrënë, kam dy ditë pa ushqim!

Copyright © Gazeta "Si"

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë