Gazeta Si – Pas dhunës skandaloze ndaj protestuesve në Zvërnec, ku njëri prej qytetarëve u tërhoq zvarrë nga rojet private të kompanisë së sigurisë, policia ka vendosur të heqë licencën për 2 kompanitë “Myrto Security 1.3A” dhe “Major Security”.
Hetimet e policisë kanë zbuluar se dy të dyja këto subjekte kanë kryer shkelje. Konkretisht “Myrto Security 1.3A”, nuk kishte marrë masat për sigurinë e objektit dhe nuk kishte zbatuar rregullat për regjimin e hyrje-daljes së personave e mjeteve në object.
Njoftimi i policisë thotë se persona të panjohur nga personeli i shërbimit hynë në brendësi të rrethimit dhe pa patur asnjë atribut ligjor, tërhoqën me forcë një qytetar duke i shkaktuar edhe lëndime trupore. Gjithashtu hodhën gurë e sende të tjera ndaj protestuesve.
“Ndaj këtyre shtetasve që kryen veprimet e dhunshme, punonjësit e ShPSF “Myrto Security 1.3A” nuk kanë kryer asnjë veprim parandalues apo për largimin e tyre”,- thotë policia.
Ndërsa Gerald Biba, punonjësi i licensuar i “Major Security”, së bashku me 2 persona të tjerë të cilët ishin të palicensuar, shpërdoruan detyrën duke goditur me grusht protestuesin të cilin më pas e morën zvarrë.
“Në përfundim të hetimeve administrative, për shkeljet e konstatuara në të dy subjektet, ShPSF “Myrto Security 1.3A” dhe ShPSF “Major Security”, referuar ligjit “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”, me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të dy subjekteve iu hoq licenca për ushtrimin e këtij aktiviteti”- shtohet më tej në reagimin e policisë.
Dhuna ndaj qytetarëve që protestuan ditën e shtunë në Zvërnec kundër projektit turistik që pritet të ndërtohet, ka sjellë zinxhir reagimesh këtë të diel, nga institucionet zyrtare.
Fillimisht ishte Policia e Shtetit, ajo që njoftoi mëngjesin e sotëm se ka arrestuar një nga rojet private dhe ka proceduar penalisht 2 të tjerë.
Edhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari e ka cilësuar të papranueshme indiferencën e policisë si dhe dhunën e ushtruar nga rojet private. Ndërsa kryeministri Edi Rama ka lajmëruar konferencë ditën e hënë (1 qershor) për këtë ngjarje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje