Rend dhe Ligj

Dhuna në Zvërnec, arrestohet roja e sigurisë private. Hetim zinxhirit komandues të Policisë së Vlorës

Gazeta Si – Një ditë pas incidentit që ndodhi të shtunën, më 30 maj, gjatë protestës kundër projektit për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, policia ka njoftuar se ka arrestuar punonjësin e shoqërisë private të sigurisë së kantierit që goditi me grusht njërin prej protestuesve.

Sipas njoftimit zyrtar, veprimet hetimore nisën menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, ku shfaqej punonjësi i sigurisë duke goditur me grusht shtetasin me iniciale E.S.

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, u ngrit një grup i posaçëm hetimor për të analizuar dhe dokumentuar të gjitha ngjarjet e ndodhura gjatë protestës së banorëve të zonës.

Nga hetimet paraprake u identifikua dhe u shoqërua Gerald Biba, 32 vjeç, banues në Durrës. Në përfundim të veprimeve të para procedurale, ai u arrestua në flagrancë si i dyshuar për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

Sipas policisë, Biba fillimisht ka goditur me grusht E.S., dhe më pas, në bashkëpunim me shtetasit A.G. dhe G.V., të cilët janë proceduar penalisht, e kanë tërhequr me forcë drejt zonës së rezervuar për rojet e sigurisë, duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore.

Hetim disiplinor zinxhirit komandues të Policisë Vlorë

Ndërkohë, krahas hetimeve penale, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka urdhëruar edhe nisjen e një hetimi disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale për të gjithë zinxhirin komandues të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Hetimi do të fokusohet në masat e marra dhe mënyrën e menaxhimit të tubimit të zhvilluar në Portonovë.

Ngjarjet në protestën e djeshme kanë nxitur reagim, sepse rojet privatë të sigurisë që u shfaqën të maskuar, hodhën spraj me piper ndaj protestuesve, por edhe ndaj forcave të rendit, duke mos kursyer as uniformat blu.

Ata gjithashtu tërhoqën zvarrë për disa dhjetëra metra dhe dhunuan një prej protestuesve, i cili pretendonte se ishte pronari i ligjshëm i pronës.

Pezullimi i kryepolicit të Vlorës

Disa orë pas protestës, Policia e Vlorës reagoi për përplasjen në Zvërnec, duke thënë se mori masat e nevojshme, si për garantimin e tubimit, ashtu edhe për mbrojtjen e pronës private.

Në njoftimin zyrtar, policia tha se një grup protestuesish kanë kryer veprime të dhunshme. Në këto rrethana sipas tyre, njëri prej protestuesve, është futur brenda rrethimit të kantierit dhe është tërhequr me forcë nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë dhe ka mbetur i dëmtuar.

Por ky fakt i raportuar nga Policia e Vlorës, është mohuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, e cila tha se qytetari nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit.

Pas raportimit të gabuar, kreu i policisë së shtetit, Skënder Hita, ka pezulluar nga detyra drejtorin e policisë së Vlorës, Elidon Çela.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë