Politike

Raporti “Priebe” për Maqedoninë dhe disa paralele me Shqipërinë

Mentor Kasa - Në cilësinë e të ftuarit special nga Instituti Ndërkombëtar i Studimeve për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin në Ljubjanë të Sllovenisë, Lulzim Basha i këshilloi Bashkimit Europian që të nisë në drejtim të Shqipërisë një mision ekspertësh të ngjashëm me atë që bëri në 2015 në Shkup, të udhëhequr në atë kohë nga Reinhard Priebe, një jurist gjerman karriere, që në 2004-2005 kishte mbajtur postin e Drejtorit për Zgjerimin dhe Ballkanin në Bruksel.

Në 2014 ai u tërhoq nga detyrat në Bruksel, duke mbyllur një karrierë prej tre dekadash në shërbim të Bashkimit Europian. Si “pensionist”, Priebes iu ngarkua një detyrë e fundit nga Brukseli. Ajo ishte rekrutimi i një grupi ekspertësh të pavarur të të gjitha fushave nga vendet anëtare të BE-së. Mandati i tyre nuk ishte ndërmjetësimi i krizës politike dhe as gjetja e marrëveshjes së radhës mes tyre, por mbikëqyrja dhe mbledhja e fakteve mbi nivelin e demokracisë dhe të funksionimit të shtetit ligjor në Maqedoni.

- Basha: Mediat e kapura! Nuk flasin për krimin, drogën e korrupsionin
- Përgjimet për blerje vote, Rama: VOA kazan, por s'është Amerika
- Zgjedhjet, PS hap rrugën për ndryshimin e sistemit

Priebe dhe grupi i rekrutuar prej tij mbërrinin në Shkup në pranverën e 2015, pasi përpjekjet e diplomacisë zyrtare të Bashkimit Europian për të zgjidhur krizën politike kishin dështuar njëra pas tjetrës dhe kur tensionet ishin në kulmin e tyre, me opozitën e udhëhequr nga Zoran Zaev që publikonte serinë e përgjimeve të zyrtarëve të lartë të Qeverisë ‘Gruevski’ dhe shërbimeve sekrete. Opozita e Zaev kishte bojkotuar Parlamentin dhe kërcënonte me mospjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme nëse më parë nuk hetoheshin zyrtarët e përfshirë në përgjimet e publikuara, ku një pjesë e tyre lidheshin drejtpërdrejtë me shit-blerjen e votës.

Grupi i ekspertëve të pavarur zhvilloi tre misione fakt-mbledhëse nga prilli deri në maj të 2015. Atë që panë vetë në terren përmes vizitave në institucionet shtetërore dhe takimeve me zyrtarët e Qeverisë së asaj kohe, opozitës, medias dhe organizatave joqeveritare, grupi e përmblodhi me një raport të përqendruar prej 20 faqesh më 8 qershor 2015.

Ekspertët u përqendruan në fushat e çështjet për të cilat mendonin se kishte nevojë urgjente për të ndërhyrë. Ato ishin pesë, që nga çështja e përgjimeve telefonike, sistemi i drejtësisë, pavarësia e institucioneve, zgjedhjet dhe media. Grupi doli me rekomandime të posaçme për të gjitha këto problematika, ku në pjesën më të madhe thotë se nuk kishte nevojë për ndërhyrje në legjislacion, por ajo që nevojitej ishte vetëm interpretimi i pavarur dhe jotendencioz e i pandikuar nga politika të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

Raporti është relativisht i shkurtër për një mision të tillë, por ai është tepër i përpiktë dhe rezultoi një udhërrëfyes i vyer, jo vetëm për të nxjerrë vendin nga kriza politike, por edhe për të forcuar pavarësinë e institucioneve. Një mision të ngjashëm, pa mandat ndërmjetësimi për krizën politike kërkon sot, 4 vite më vonë Lulzim Basha për Shqipërinë. Por, le të analizojmë se çfarë rekomandonte raporti i Priebe dhe nëse situata aktuale në vendin tonë është e njëjta me atë që kaloi Maqedonia katër vite më parë.

Përgjimet

Nga 9 shkurt deri në maj të 2015, LSDM e Zoran Zaev kishte publikuar mbi 36 materiale audio-përgjime për një total mbi 500 faqe transkriptime ku përfshiheshin në afera korruptive e shantazhi që nga vetë Kryeministri i asaj kohe Nikolla Gruevski, anëtarë të kabinetit të tij, si ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska e deri tek kreu i shërbimit sekret, kryetarë bashkishë, deputetë, gjyqtarë, pronarë mediash, biznesmenë dhe udhëheqës të opozitës, mes të cilëve edhe kreu i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi.

Në Shqipëri, në vitet e fundit kanë dalë në dritë, ose përflitet se ekzistojnë përgjime të ngjashme. Pjesa më e madhe e tyre nuk është publikuar nga Partia Demokratike, por nga media, si në dy rastet e fundit për punësimet në administratën e burgjeve dhe për shitblerjen e votave. Por, në dallim nga Maqedonia e 2015, në Shqipëri zyrtarët e përfshirë, të paktën deri më tani, janë të një niveli më të ulët. I vetmi emër zyrtari të lartë aktual që ka dalë është ai i Vangjush Dakos, kryetar i Bashkisë së Durrësit dhe dy ish-deputetëve socialistë, Arben Ndoka dhe Arben Çuko.

Partia Demokratike thotë se fijet e lidhjes me krimin, korrupsioni dhe shitblerja e votave shkojnë deri në kupolën e shtetit, pra tek Kryeministri Edi Rama, që e akuzojnë si arkitekt të kësaj. PD deklaron se dosjet në fjalë po zvarriten nga drejtësia, të cilën e akuzojnë si të kapur nga Edi Rama përmes procesit të vettingut. Vetë Rama i mohon akuzat. Ai i cilëson akuzat dhe protestën e PD-së si frikë nga drejtësia e re për “zullumet” që kanë bërë gjatë qeverisjes së tyre para 2013.

Një paralele e plotë mes rastit të Maqedonisë dhe Shqipërisë nuk mund të hiqet edhe për shkak të cilësisë së provave. Përgjimet e publikuara nga Zaev në atë periudhë, edhe pse nuk ishin të autorizuara nga gjykatat, ishin të një cilësie të lartë dhe për autorësi mbanin shërbimin sekret maqedonas. Kjo çoi në dorëheqjen e dy ministrave të kabinetit qeveritar të Gruevskit dhe të kreut të shërbimit sekret në atë kohë.

Në Shqipëri, e vetmja dorëheqje është ajo e Fatmir Xhafajt. Ai u largua pak muaj pas publikimit të një përgjimi, që opozita pretendon se është i vëllai i tij, Agron Xhafaj duke folur me Albert Veliun për trafikimin e një sasie hashashi drejt Italisë. PD akuzoi se Agron Xhafaj, me dijeninë dhe mbrojtjen e të vëllait ministër të Brendshëm drejtonte këtë trafik nga brigjet e Vlorës. Vetë Xhafaj dhe Rama i mohuan akuzat dhe e cilësuan përgjimin montazh, megjithëse Agron Xhafaj u vetëdorëzua tek autoritetet italiane për të vuajtur një dënim për trafik droge të dhënë atje.

Por, dorëheqja e Xhafajt mbërriti pas operacionit “Vol-vo 4”, ku përfunduan në pranga mbi 25 persona dhe u shpallën në kërkim 19 të tjerë në një aksion të gjerë kundër trafikut të drogës të shtrirë nga Delvina deri në Shkodër. Ministrat e zyrtarët e tjerë të akuzuar nga PD si të përfshirë në afera korruptive dhe të lidhur me krimin janë larguar nga vetë Kryeministri Rama, pasi më parë u lëvduan për punën e kryer.

Drejtësia

Në Maqedoni, ekspertët e udhëhequr nga Priebe dolën në përfundimin se shkaku i të gjithë mosfunksionimit të drejtësisë ishte përqëndrimi i pushtetit të përgjimeve tek shërbimi sekret, UBK. Kjo fundit gëzonte me ligj monopolin e përgjimeve të personave në të gjithë nivelet, duke patur akses tek dosjet hetimore të prokurorëve dhe institucionet e tjera, e për rrjedhojë duke ndërhyrë në mbrojtje të qeverisë në pushtet.

Në Shqipëri opozita akuzon se përmes farsës së vettingut dhe emërimeve të reja në institucionet ekzekutive të sistemit të drejtësisë, si KLP e KLGj e ka kapur atë dhe po bllokon hetimin e denoncimeve të saj. Qeveria nuk e sheh të kapur, por “rilindje të drejtësisë që do t’i japë fund pandëshkueshmërisë dhe do të luftojë krimin dhe korrupsionin”. Këto janë dy qëndrimet e kundërta të politikës sa i takon reformës në drejtësi. Mes tyre janë raportet e disa organizatave, si Komiteti Shqiptar i Helsinkit që thotë se zvarritja dhe standardet e dyfishta po ulin besimin e qytetarëve tek procesi i reformës.

Raporti “Priebe” për Maqedoninë thekson se ka një atmosferë presioni dhe pasigurie në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që buron kryesisht nga aktiviteti i shërbimeve sekrete, që kontrollohen nga Ministria e Brendshme dhe Qeveria. Në Shqipëri, opozita thotë se po ushtrohet i njëjti presion, por në një tjetër formë. Partia Demokratike ka akuzuar drejtpërdrejtë disa herë vendime të gjyqësorit dhe të prokurorëve si të ndikuara nga frika e vettingut, proces që sipas saj, kontrollohet drejtpërdrejtë nga Edi Rama.

Priebe rekomandon në rastin e Maqedonisë depolitizimin e sistemit të promovimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në Shqipëria, mazhoranca mund të mbrohet duke thënë se procesi është i depolitizuar, se vettingu dhe emërimet e shkarkimet në prokurori dhe gjyqësor janë në dorë të institucioneve të pavarura prej saj, në këtë rast Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, apo Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Nga deklaratat e Partisë Demokratike dhe të Lulzim Bashës këto nuk mjaftojnë dhe s’japin garanci. Opozita thotë se sistemi i drejtësisë është në kolaps përsa kohë Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë janë jashtë funksionit. Për këtë, opozita akuzon drejtpërdrejtë Ramën.

Pavarësia e institucioneve

Në këtë pjesë të raportit, ekspertët e udhëhequr nga Priebe nënvizonin në atë kohë se kuadri ligjor maqedonas ishte i mirë, se garantonte pavarësinë e institucioneve dhe me pak ndërhyrje të vogla mund të përmirësohej duke e përforcuar këtë pavarësi.

Por, në rekomandimet që japin, ekspertët vërejnë se më shumë sesa ligjet e Maqedonisë në atë kohë, problematikë ishte zbatimi i tyre. Ekspertët flisnin për një kulturë të ngulitur tek institucionet e pavarura, që nën presionin e pushtetit keqinterpretonin ose shkelnin ligjet në fuqi.

Mekanizmi kryesor me të cilin qeveria e Gruevskit kontrollonte institucionet e tjera ishte shantazhi përmes përgjimeve të siguruara nga shërbimi sekret. Për këtë, ekspertët rekomanduan kufizimin e kompetencave të zgjeruara për këtë shërbim, që kishte akses tek çdo dosje hetimore. Ekspertët kërkonin që ky shërbim të siguronte akses vetëm tek dosjet që kishin të bënin me sigurinë kombëtare të vendit.

Presidenti, Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama, pas homazheve tek monumenti "Nëna Shqipëri" në Varrezat e Dëshmorëve, me rastin e 74-vjetori të çlirimit të Shqipërisë

Një rast analog i plotë nuk mund të gjendet në Shqipëri, të paktën deri më tani. Por, opozita ka artikuluar së fundmi akuza ndaj Shërbimit Informativ Shtetëror si të përfshirë në inskenimin e përgjimeve për dosjen “Babale”, ku në një bisedë, shtetasi Alfred Alizoti pohon se është ai që ka bërë zërin e Agron Xhafajt në përgjimin telefonik të publikuar nga PD. Pra, PD akuzon struktura shtetërore se me urdhër të Edi Ramës kanë montuar një përgjim për të rrëzuar një tjetër përgjim të publikuar më herët nga opozita, që mazhoranca thotë se është montazh.

Zgjedhjet

Priebe citon raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të 2014 në Maqedoninë e Veriut, kujton se në këtë raport zgjedhjet janë administruar me efikasitet, por thekson edhe problematikën e hasur, që nga mungesa e një ndarjeje të qartë mes aktiviteteve partiake nga partia në pushtet dhe atyre shtetërore, intimidimi i punonjësve të administratës shtetërore, e deri tek shitblerja dhe presioni për të votuar. Ekspertët gjetën përfshirje direkte të zyrtarëve të lartë në manipulimin e këtyre zgjedhjeve dhe rekomanduan adresimin e kësaj problematike si në nivelin ligjor, ashtu edhe në atë politik.

Problematikat zgjedhore të Maqedonisë së Veriut të gjetura nga ekspertët e udhëhequr nga Reinhard Priebe vlejnë edhe për Shqipërinë. Instituti i Studimeve Politike vëren në një raport të vetin të pak kohëve më parë shkrirjen e aktiviteteve partiake me ato shtetërore nga ana e mazhorancës aktuale, madje që tek ngjyrat dhe slogani. ISP qorton edhe përdorimin e platformave online me status të paqartë partiak apo shtetër për adresimin e problematikave të ndryshme të qytetarëve, duke dubluar institucionet shtetërore që kanë për kompetencë dhe detyrë ligjore trajtimin e këtyre problematikave.

per app

Shitblerja e votës është një problematikë që pranohet nga të gjithë në Shqipëri dhe përmendet edhe në raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 2017. Ndasia është përhapja e këtij fenomeni. Opozita thotë se janë blerë me paratë e krimit rreth 20 për qind e votave, ndërsa mazhoranca shfajësohet duke thënë se fenomeni nuk është i ri, se nuk e ka shpikur ajo dhe se ashtu siç thuhet në raportin e OSBE/ODIHR, votat e blera nuk ishin përcaktuese në rezultat.

Media

Për pjesën e medias, raporti i Priebe thekson se ajo garantohet në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut dhe nga marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara prej parlamentit vendas. Por, problematika është zbatimi i Kushtetutës dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Perceptimi është se media në vend është në një krizë që shkallë-shkallë është përkeqësuar në vitet e fundit. Disa hapa pozitivë janë ndërmarrë, si dekriminalizimi i shpifjes, por në indekset e lirisë së medias vendi ka pësuar rënie. Kjo reflektohet tek pesimizmi në komunitetin mediatik për t’u shkëputur nga kontrolli shtetëror, politizimi dhe degradimi ekonomik i medias”, thuhet në raportin e ekspertëve për Maqedoninë në 2015.

Ekspertët flisnin gjithashtu për një kulturë autocensure dhe atmosfere presioni e joshjeje nga ana e partisë në pushtet ndaj gazetarëve dhe pronarëve të medias. Këto dhe elementë të tjera, sipas raportit, e kishin përkeqësuar renditjen e Maqedonisë në indeksin e lirisë së medias duke e kategorizuar atë si pjesërisht të lirë.

Pjesërisht e lirë kategorizohet aktualisht edhe media në Shqipëri në indeksin e Freedom House, ndërkohë që opozita flet për një klimë akoma më të zymtë. PD thotë se me paratë e krimit dhe korrupsionit, Qeveria kontrollon mediat tradicionale dhe po mundohet që të kontrollojë edhe ato online, përmes nismave ligjore antikushtetuese.

Por, vetë Edi Rama ndan një tjetër kendvështrim. Ai thotë se media në Shqipëri jo vetëm që është e lirë, por abuzon aq fort me lirinë që gëzon sa e cilëson atë “kazan”.

Ky ishte thelbi i raportit të ekspertëve të pavarur europianë për Maqedoninë në qershor të 2015 dhe disa paralele të hequra me gjendjen aktuale në Shqipëri. Pjesa dërrmuese e këtyre rekomandimeve vlejnë edhe për vendin tonë. Ftesa e Lulzim Bashës ndaj Brukselit për një mision të ngjashëm në vendin tonë varet ekskluzivisht nga Brukseli, por ajo që mund të lexohet e fshehur në këtë mesazh të kreut të Partisë Demokratike është humbja e besimit të opozitës tek raportet që nxjerrin institucionet zyrtare ndërkombëtare në Tiranë dhe jashtë Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë