Rend dhe Ligj

Sa më të informuar mbi vettingun, aq më shumë mosbesues

Sa më të informuar të jenë qytetarët për reformën në drejtësi, aq më shumë humbasin besueshmërinë tek ky proces. Komiteti Shqiptar i Helsinkit publikoi sondazhin e tij në lidhje me perceptimin e publikut, sidomos për procesin e vettingut.

KShH thotë se vëmendja mediatike, institucionale dhe pesha që ka patur ky proces në fjalorin publik e politik u kanë dhënë qytetarëve një informacion përgjithësisht të bollshëm sa i takon reformës në drejtësi, e veçanërisht procesit të rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Sondazhi është kryer në muajin shkurt dhe KSH thotë se njohja e publikut me vettingun ka ardhur në rritje, ndërkohë që besimi i tij është ulur, duke mos qenë më në nivele të kënaqshme.

Rezultati i anketes: A mendoni se jeni të informuar sa duhet, për procesin e Vetting-ut?

Anketa është zhvilluar përmes kanaleve online të komunikimit, ndaj rezultati i saj nuk duhet marrë si krejtësisht i mirëqënë.

“Edhe në komentet e tyre (qytetarëve) bie në sy që shumica e personave janë mosbesues ndaj procesit të Vettingut. Kjo për disa arsye. Për një pjesë të komentuesve, vettingu ka ndikime të natyrës politike për të goditur kundërshtarët. Për një komentues i gjithë procesi është “formal”. Në lidhje me zhvillimin e procesit ka vërejtje për sa i takon ritmeve e tij të ngadalta dhe faktit se, kryesisht, është përqendruar te komponenti i pasurisë, duke anashkaluar 2 komponentët e tjerë shumë të rëndësishëm, përkatësisht komponentin e figurës dhe të aftësive profesionale. Për komentues të tjerë ata gjyqtarë, apo prokurorë që janë konsideruar gjithmonë “të paprekshëm”, vazhdojnë të mbeten të tillë, pavarësisht Vettingut. Një bindje e tillë përforcohet nga një komentues tjetër, sipas të cilit në kontrollin e figurave përdoren “standarde të dyfishta” si në rastin e disa subjekteve, të cilët edhe pse nuk e kanë justifikuar pasurinë, vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë”, thotë KShH.

Rezultati i anketes: A e kuptoni mjaftueshëm këtë proces nëse e keni ndjekur?

Pakica e të anketuarve shprehin besimin se ky proces do të përmirësojë sistemin e drejtësisë dhe do të ndihmojë në hapjen e negociatave të anëtarësimit, por kërkohet përshpejtimi i procesit, që deri më tani vlerësohet jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga ekspertët si tejet i ngadaltë.

Një kategori tjetër që KShH identifikon në sondazhin e kryer, është ajo e pesimistëve që vlerësojnë reformën në drejtësi dhe vettingun, por shprehen se krimi dhe nivelet e larta të korrupsionit mund të kapin edhe drejtësinë e re.

Rezultatet e anketes: Nëse e keni ndjekur procesin, a keni besim se ky proces është i drejtë, nisur nga rezultatet që ka pasur deri tani?

Sondazhi reflekton rënien e besueshmërisë tek një proces që pak pasi nisi gëzonte mbështetjen e mbi 90 për qind të shqiptarëve, të paktën sipas disa sondazhe. Këtyre të dhënave u referohej edhe ish-ambasadori amerikan, Donald Lu kur kërkonte me ngulm votimin e reformës dhe nisjen e procesit të vettingut.

Rezultatet e anketes: A mendoni se Vettingu do të pastrojë vërtet sistemin e drejtësisë dhe do të bëjë këtë sistem më të mirë dhe të besueshëm për qytetarët?

Më Shumë