Mendim

BE s’i hap derën një Shqipërie e Ballkani të korruptuar

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria, janë “kapur” nga politikanë të korruptuar, të lidhur ngushtë me krimin e organizuar. Këto fakte janë dokumentuar nga raporte të ndryshme ndërkombëtare, që po ngrenë shqetësime të mëdha mes zyrtarëve të BE-së rreth procesit të integrimit europian në Ballkanin Perëndimor.

Si Shqipëria, ashtu edhe vendet e tjera të rajonit pritet të përmbushin standardet sociale, politike dhe të të drejtave të njeriut, si kërkesa themelore për t'u integruar në BE. Megjithatë, BE-ja po bëhet gjithnjë e shqetësuar nëse vendet e Ballkanit mund t'i përmbushin këto standarde, pasi korrupsioni është i ngulitur si në jetën shoqërore ashtu edhe sferën politike të rajonit.

Cornelia Abel, eksperte e Europës Juglindore, thotë megjithatë se përpjekjet për të çrrënjosur korrupsionin nuk duhet të ndalen, sepse anëtarësimi i Ballkanit në BE i shërben interesave gjeostrategjike të të dyja palëve. Sipas saj, lidhja mes politikanëve dhe krimit të organizuar në Balkan rrezikon sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushtetit .

Ndërkohë, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini u kërkuar udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor që të bëjnë më shumë për të luftuar korrupsionin, por thirrja e saj deri më tani nuk ka pasur rezultate.

Merkel dhe liderët e Ballkanit Perëndimor

Indeksi mbi Perceptimin e Korrupsionit (2017), thekson se shumica e vendeve të Ballkanit kanë bërë pak ose aspak përparim në luftën kundër korrupsionit. Gazetarët dhe aktivistët në Ballkan rrezikojnë çdo ditë në përpjekjet për të ekspozuar udhëheqësit e korruptuar.

Nga të gjitha vendet e Ballkanit, më e korruptuara është Maqedonia, duke u renditur e107-ta. Dy muaj më parë, ish-kryeministri maqedonas Nikola Gruevski, kërkoi azil në Hungari duke i shpëtuar burgur pavarësisht akuzave të rëndë me të cilat përballet në shtëpi.

Xhemal Ahmeti, një ekspert për çështjet politike në Ballkan, thotë se Maqedonia dhe vendet e tjera të Ballkanit janë të korruptuara, po aq sa edhe Nigeria apo ndonjë vend tjetër i Afrikës, ku korrupsioni ndodh prapa maskës së lidhjeve fisnore, familjare,. "Elitat gjithmonë kanë bërë përpjekje për ta bindur popullin se ‘ata janë akuzuar gabimisht për korrupsion nga perëndimorët”, thotë Ahmeti. “Prandaj, vëzhguesit e BE dhe vëzhguesit ndërkombëtarë në Maqedoni nuk do të kenë sukses në luftën kundër korrupsionit pa largimin e këtyre liderëve”, përfundon ai.

Kosova është vendi i dytë më i korruptuar në Ballkan i renditur i 85-ti në raportin e fundit të Transparency International. “Në Kosovë, ku papunësia arriti një shifër alarmante prej 30%, politikanët janë klasa më e pasur në vend. Shumë biznese të mëdha janë zgjeruar falë mbështetjes së politikanëve, të cilët marrin miliona në këmbim të përpjekjeve të tyre", bënë të ditur Lavdim Hamidi, kryeredaktori i gazetës “Zëri”

Prishtinë

Nga ana tjetër, Jeton Zulfaj, një zyrtar kaloi dy dekadat e fundit në Kosovë duke u fokusuar në strategjitë anti-korrupsion thotë se, që kur shpalli pavarësinë e saj në 2008, Kosova u ka shërbyer udhëheqësve të saj politikë që të bëhen jashtëzakonisht të pasur. "Pa marrë parasysh se ku shërbyen, të gjithë zyrtarët po përfitojnë shumë më tepër sesa paga e tyre. Zyrtarët e partive të nivelit të lartë u bënë aq të pasur sa filluan të punësonin shoferë dhe truproja personale pa deklaruar burimin e financimit ", thotë Zulfaj.

Sipas indeksit të korrupsionit, Shqipëria ra nga vendi i 83-të në vendin e 91-të. Sipas “Transparency International” vendi ynë ka bërë përparim në trajtimin e korrupsionit në sektorin publik, por ka ende një rrugë të gjatë përpara, veçanërisht në lidhje me korrupsionin në gjyqësor.

Sistemi i drejtësisë, duke përfshirë prokurorët dhe gjykatat, janë kapur nga elita politike. Politikanët përdorin pushtetin e pakufizuar të shtetit për të shantazhuar votuesit, ndërkohë që bizneset e mëdha private janë, deri në një farë mase, një zgjerim i sistemit politik.

Bosnja dhe Hercegovina nuk ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit përgjatë gjithë dekadës së fundit, duke u renditur një vend më poshtë se Shqipëria. Në Bosnje, korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisë mbetet një shqetësim serioz. Ambasadori britanik në Bosnjë dhe Herzegovinë, Matt Field, ka ngritur alarmin në dhjetor për korrupsionin në Ballkanin Perëndimor duke deklaruar se: Kostoja përfundimtare e korrupsionit është vështirë të llogaritet, por përfshin vjedhjen e miliona eurove nga qeveritë e korruptuara, qindra fonde të vjedhura dhe dhjetëra investime të huaja të humbura. Dhe ky çmim paguhet gjithmonë nga qytetarët, të cilët nuk marrin shërbimet publike cilësore për të paguajnë.

Abel quajti Serbinë si shembullin kryesor të një "sistemi politik të kapur", duke përmendur ndikimin e madh të presidentit Aleksander Vuçiç. "Serbia po shndërrohet në shembullin kryesor të sistemi të qeverisur nga një njeri i vetëm", tha ajo.

Mohgerini dhe liderët e Ballkanit Perëndimor

Mali i Zi gjithashtu ka bërë pak ose aspak përparim në luftën kundër korrupsionit dhe mbetet në vendin e 64-të. Ekspertët e Transparency International thanë se Brukseli i kërkon Podgoricës rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë politik si një nga kushtet kryesore për anëtarësimin BE.

Korrupsioni politik është një nga pengesat kryesore që ka ngadalësuar në mënyrë dramatike procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Duke pasur parasysh, se vendet e Ballkanit janë të etura për t'u bashkuar me BE-në dhe faktin që kjo e fundit është e interesuar t'i tërheqë në orbitën e saj dhe t'i distancojë nga Turqia dhe Rusia, të dyja palët duhet të marrin masa specifike për të adresuar problemin e korrupsionit.

BE-ja mund të përdorë buxhetin e saj për të ofruar investime, hua dhe qasje në tregun europian, duke e bërë kështu të pamundur të konkurrohet nga Rusia as Turqia. Në këmbim, Ballkani duhet të ndërmarrë reforma politike, ekonomike dhe sociale.

BE-ja duhet të insistojë gjithashtu për një transparencë dhe llogaridhënie më të madhe, e cila do të kufizonte korrupsionin e përhapur në sferën politike të rajonit. Për këtë qëllim, BE duhet të rifillojë një prani të zbatimit të ligjit dhe drejtësisë jo vetëm në Kosovë (që sapo përfundoi pas dhjetë vjetësh), por në të gjitha shtetet e Ballkanit që dëshirojnë të bëhen anëtarë të BE.

Shoqëritë civile në të gjithë Ballkanin kanë një rol të rëndësishëm duke protestuar dhe duke mbajtur tubime masive dhe duke kërkuar që t’i vije fundi i korrupsionit që ka infektuar të gjitha shtresat qeveritare, përfshirë gjyqësorin. Nëse qeveritë e vendeve të Ballkanit dështojnë të ndërmarrin hapa konkrete dhe vendimtare për të luftuar korrupsionin, publiku duhet të përdorë mosbindjen civile duke organizuar greva punëtorësh apo marshe studentore. Trajtimi i problemit të korrupsionit në Ballkan është thelbësor për interesat gjeostrategjike të BE-së, si dhe për mirëqenien e ardhshme të qytetarëve të saj. Hyrja e Ballkanit në BE duhet të shihet si një martesë e domosdoshmërisë që do të rrisë ndjeshëm sigurinë e tyre kolektive, ndërkohë që përmirëson ndjeshëm cilësinë e jetës dhe respektin për të drejtat e njeriut në të gjithë Ballkanin. "The Globalist"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë