Politike

Përgjimet për blerje vote, Rama: VOA kazan, por s’është Amerika

Mentor Kasa - Në mungesë të Kryeministrit Edi Rama, socialistët shpërfillën artikullin e publikuar nga Zëri i Amerikës për shit-blerjen e votave dhe përgjimet e prokurorisë, që provojnë lidhjet mes krimit dhe të zgjedhurve vendorë e qendrorë në radhët e tyre dhe u përpoqën që të zhvillojnë një seancë normale parlamentare.

Por, mungesa e Kryeministrit u vu re nga demokratët. Lulzim Basha dhe deputetët e tjerë demokratë kërkuan që i pranishëm në seancë të ishte shefi i qeverisë dhe në rend të ditës të ishin për diskutim vetëm përgjimet e publikuara nga mediat.

Seanca u ndërpre për të rinisur sërish e zhurmshme. PD këmbënguli në praninë e Kryeministrit në sallë, ndërsa socialistët në vazhdimin e rendit të ditës.

“Gjëja e parë që duhet bërë, kjo seancë duhet ndërprerë dhe njeriu që ka përgjegjësinë për shndërrimin e këtij parlamenti nga tempull i demokracisë në një bodrum të krimit, ku kemi deputetë që nuk kanë marrë asnjëherë fjalën, sepse nuk kanë asgjë për të thënë, sepse arsyeja e vetme se përse janë këtu, është marrëdhënia e tyre me Avdylët, me Keçët, Shullazët, Dajtët, Bandën e Lushnjes, Bandën e Vlorës, Bajrët e Shkodrës”, tha Basha.
Mes emrave që dalin në përgjimet e prokurorisë në dosjen mbi shit-blerjen e votave në Qarkun e Dibrës del ai i Ymer Lalës. Lulzim Basha mori si shembull rastin e këtij të fundit për të ilustruar, sipas tij, lidhjet e forta të Ramës me krimin.

“Ai (Rama) më parë takon Ymer Lalën sesa ministrin e Financave. Më shpesh takon Ymer Lalën se ministrin e Financave, e thënë kjo nga vetë ish-ministri i Financave (Arben Ahmetaj)”, deklaroi Basha.

“Ministri përkatës është këtu, zv.Kryeministri po ashtu, ndaj s’është e nevojshme që të jetë edhe Kryeministri. Ju e dini si të përballeni me Kryeministrin, keni interpelancën për këtë”, deklaroi kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Në rend të ditës ishte dhe akti urgjent normativ i Qeverisë për buxhetin e shtetit 2018, ku trajtohen edhe një pjesë e kërkesave të studentëve. Mes përplasjesh PS-PD për vazhdimin me rendin e ditës apo për diskutimet për përgjimet e prokurorisë për shit-blerjen e votave, LSI zgjodhi një rrugë të mesme.

“Akti është çoroditje totale e qeverisë, arrogancë dhe padije, që nxjerr zbuluar menaxhimin që u bëhet financave, hipokrizinë që u ofroi kjo qeveri studentëve. Akti thuhet me urgjencë për qeverinë që merrni pjesë, por unë nuk shoh fjalën student tek kjo urgjencë”, deklaroi deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj.

Megjithatë, deputetët e kësaj partie mbështetën parimisht kolegët e PD për përgjimet, por vijuan me rendin e ditës duke i drejtuar disa pyetje ministres së Financave, Anila Denaj. Kur ministrja mori fjalën e parë në foltore, deputetët e PD-së e rrethuan atë dhe kërkuan që në sallë të ishte Edi Rama. Ministrja vijoi me fjalimin e saj, duke folur për aktin normativ.

Pas saj foli kreu i PD-së. “Ka 5 vjet që Partia Demokratike denoncon këtë, dhe tani, gjithçka që kemi thënë është faktuar, gjithçka kemi thënë është botuar dhe është transmetuar nga mediat më serioze të vendit dhe të botës, nga Zëri i Amerikës. Ju pretendoni se s’ka ndodhur asgjë, ndërsa kryeautori i asgjësimit të zgjedhjeve, ai që e ka shndërruar këtë parlament në një kuplara të krimit, nuk denjon as të vijë sot këtu. Ne sot nuk mund të pretendojmë se jemi në një seancë normale, e po ndjekim procedura normale parlamentare”, shtoi kreu i PD-së.

Fjala e ministres nuk kënaqi as LSI-në. Kreu i grupit parlamentar të kësaj force, Petrit Vasili, pasi u përplas me Ulsi Manjën, e cilësoi tallje dhe shfaqje të mazhorancës të gjithë seancën.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/339038663389834/

Vasili kërkoi që të jepen përgjigjet për pyetjet e adresuara në lidhje me aktin normativ dhe se si ky akt adreson shqetësimet e studentëve.

Mungesa e një qëndrimi të unifikuar nga ana e opozitës në këtë seancë u vu re nga Taulant Balla. Kreu i Grupit Parlamentar socialist ironizoi gjatë replikave drejtuar Monika Kryemadhit dhe Lulzim Bashës. “Më vjen keq që nuk keni rakorduar qëndrimet sot. Mona, koordinohu pak me Lulin”, tha ai.

Kryeministri mbërriti në sallë pak pas mesditës dhe në foltore gjeti të bijën e Ymer Lalës, Reme Lala, deputete e Kuvendit, që u zgjodh nën siglën e PDIU-së, por që deklaroi që ditën e parë mbështetjen për socialistët në parlament.

“Kur t’u përmend familja iu drejtove Taulant Ballës se do ta fus me grusht. Por unë nuk do të përgjigjem kështu. Unë do të të pyes vetëm sa herë ke kërkuar të takohesh me Ymer Lalën, me data dhe vite?”, deklaroi deputetja, Reme Lala, e bija e Ymer Lalës.

Kjo ishte përgjigja për Lulzim Bashën, ndërsa për Edi Ramën deputetja e Qarkut të Dibrës kërkoi ndërhyrjen për të bllokuar ndërtimin e një HEC-i, pasi sipas saj shkatërron llixhat e Peshkopisë.

Heshtjen e socialistëve ndaj përgjimeve të publikuara nga Zëri i Amerikës e theu Kryeministri Edi Rama. Qysh në fillim ai u kujdes që të mos “ngatërrohej” Zëri i Amerikës me shtetin dhe qeverinë amerikane. Rama përsëriti akuzën “kazan” edhe për Zërin e Amerikës, ashtu sicc e cilësoi herën e parë pas artikullit mbi punësimet në sistemin e burgjeve.

“Domethënë e tha Zëri i Amerikës, domethënë e tha Amerika? Fatkeqësisht është e dyta herë në një periudhë kohore të shkurtër që Zëri i Amerikës bëhet zëdhënës i kazanit të Tiranës. E dyta herë në një kohë shumë të shkurtër. Herën e parë ne e demostruam me qindra faqe të dokumentuara, të gjithë gënjeshtërsinë e lajmit të dhënë mbi rekrutimet e punonjësve në burgje. Këtë herë asgjë e re nga fronti juaj”, deklaroi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë