Ne rrjet

“Babalja”, SHISH, Prokuroria. Kush po bën konspiracion?

“Në filmin “Babale 1”, kemi bashkëpunim me elementë të krimit të organizuar, të burgosur për krim të organizuar, kemi korrupsion, kemi përfshirje të drejtpërdrejtë të partisë politike në bashkëpunim dhe me oferta korruptive dhe kemi edhe më shumë se kaq, sepse filmi është konceptuar dhe skenari është shkruar në dy skuta të shtetit shqiptar, unë do ju ftoja që të jepnit një ndihmesë për publikun që kjo shfaqje ekstreme e brutalitetit të politikës më të ulët ndaj opinionit publik të mos kalojë si një nga shfaqjet e radhës”.

Kjo ishte deklarata e Edi Ramës e lëshuar dy ditë më parë  nga selia e Qeverisë, e cila shkaktoi një bujë të madhe, pasi publikohej një konspiracion nga vetë strukturat shtetërore për rrëzimin nga karrigia e kryeministrit. Madje shefi i Qeverisë premtoi “që shqiptarët do ta mësojnë nga A-ja tek ZH-ja, jo me institucionet, por me emra e me mbiemra, kush është përfshirë në këtë konspiracion të mirëfilltë për rrëzimin e qeverisë, se i tillë është”.

Pas kësaj deklarate, SHISH duket se u vu në shenjëstër nga kryeministri për regjistrimin e videos. Kjo për shkak të aparaturave që u përdorën për përgjimin e “Babales” me vëllanë e ish-ministrit Fatmir Xhafaj, që më pas nga hetimi, prokuroria deklaronte se ishte Fredi Alizoti, që kishte imituar këtë zë, gjatë bisedës me Albert Veliun, i njohur ndryshe me pseudonimin "Babalja". Kjo në këmbim të dhënies së 200 mijë eurove.

Por, mediat kanë raportuar gjatë këtyre ditëve se për Babalen ekziston një raport i SHISH të dërguar në Prokurori, ku presupozohet që Albert Veliu kishte informacion për një grup të strukturuar. Përgjimet e SHISH dalin edhe në fashikujt e Prokurorisë, ku Babalja është regjistruar gjatë vitit 2017.

Vetë Babalja kishte deklaruar se kishte bashkëpunuar me dy punonjës të SHISH për realizimin e këtij përgjimi me “vëllain e Xhafajt”, duke marrë një pajise përgjimi tip çelësi makine tip “Audi”. Në shkresën e përgjigjes thuhet se kjo agjenci, pra SHISH, nuk dispononte përgjim të bisedës së zhvilluar midis shtetasit Albert Veliu dhe personit të pretenduar prej tij, si Geron (Agron) Xhafaj, por dispononte një regjistrim bisede mes shtetasit Albert Veliu dhe shtetasit Agron Laver Hyseni. Pra del në skenë një tjetër emër pas atij të Fred Alizotit. Në shkresën e përgjigjes ndaj Prokurorisë thuhet se “kjo agjenci nuk dispononte përgjim të bisedës së zhvilluar midis shtetasit Albert Veliu dhe personit të pretenduar prej tij, si Geron (Agron) Xhafaj, por dispononte një regjistrim bisede mes shtetasit Albert Veliu dhe shtetasit Agron Laver Hyseni”.

Këto përgjime mund të prekin edhe ndonjë segment të prokurorisë, ku aludohet se kjo mund të jetë edhe "skuta" e dytë që përmendi kryeministri. Përballë këtij qëndrimi të qeverisë, në anën tjetër, në kampin opozitar, Prokuroria është vënë nën shënjestër. Demokratët po akuzojnë prokurorinë për manipulim dhe fabrikim provash dhe faktesh.

Akuza së Prokurorisë për Babalen, për nxjerrjen e emrit të Fred Alizotit si imitues të zërit të vëllait të ministrit të Brendshëm, për opozitën është një përpjekje për të fshehur të vërtetën.

Ndërsa opozita iu kundërpërgjigj hetimit të prokurorisë, me nxjerrjen e një videoje të dytë, ku Fredi Alizoti, i filmuar me kamera të fshehtë, flet për kërcënim nga strukturat e lartë të policisë, me qëllim për të dëshmuar se e kishte imituar zërin e Agron Xhafajt në këmbim të pagesës.

Kryedemokrati Lulzim Basha iu kundërpërgjigj veprimeve të fundit të prokurorisë, institucion që ka përfshirë për të dëshmuar edhe deputetin demokrat Ervin Salianji, si përpjekje për të mbrojtur vëllanë e ministrit të Brendshëm.

“Edhe pse nuk u përmendën me emër, drejtues dhe pjesë të kësaj strukture dhe këtij inskenimi janë pa asnjë dyshim edhe Fatmir Xhafaj dhe Arta Marku. Pra, kryeministri, Ministri i Brendshëm, kreu i grupit parlamentar, Prokurorja e Përgjithshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë kanë komplotuar së bashku, drejtpërdrejt për të manipuluar të vërtetën, për të mbrojtur një trafikant droge Agron Xhafajn, dhe vëllanë e tij Ministrin e  Brendshëm. Shteti privat i Edi Ramës vendosi që të fabrikojë dëshmitarë për të sulmuar dhe përndjekur gazetarët dhe denoncuesit, opozitarët me një qëllim: për të shpëtuar trafikantin e dënuar Agron Xhafaj dhe mbrojtësin e tij Fatmir Xhafaj”, do të deklaronte Basha në konferencën për shtyp.

Si Rama, ashtu edhe rivali i tij politik Basha, flasin për teori konspirative apo dhe komplote, duke akuzuar institucione të një rëndësie të veçantë siç janë strukturat e shërbimeve sekrete shqiptare apo dhe prokuroria. Teza këto si pjesë e strategjisë së opozitës dhe të maxhorancës përballë çështjes “Babale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë