Politike

Zgjedhjet, PS hap rrugën për ndryshimin e sistemit

Partia Socialiste po përballet me refuzimin jo vetëm të PD-së për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, por edhe të deputetëve të rinj të “opozitës së re” për të qenë pjesë e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore. Ndryshimi i Kodit Zgjedhor, është një nga kushtet kryesore të Komisionit Europian për t’u plotësuar në dobi të çeljes së negociatave me BE-në. Por deputetët e rinj të opozitës, si Rudina Hajdari e PD-së dhe Ralf Gjoni i LSI-së kanë vendosur një kusht për pjesëmarrjen në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore, atë të ndryshimit të sistemit zgjedhor.

Mos plotësimi i 9 vendeve që i takojnë opozitës në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore, ka vënë në vështirësi mazhorancën, e cila po kërkon realizimin e ligjit zgjedhor përpara se Komisionit Europian të hartojë raportin vjetor për çeljen ose jo të negociatave.
Për të zhbllokuar këtë situatë, Partia Socialiste po mendon të ndryshojë objektin e punës së komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, duke ofruar edhe ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Kjo ofertë u bë pikërisht nga bashkëkryetari socialisti Damian Gjiknuri, i cili në seancën parlamentare të së enjtes deklaroi se mazhoranca është e gatshme të nisë diskutimet për ndryshimin e sistemit.

Damian Gjiknuri

“Duke adresuar si një fazë të parë jo në mënyrë emergjente thjesht për ta kaluar në Kuvend, por për ta adresuar ato pika që kanë të bëjnë me elementët teknikë të sistemit, pra ato që janë në prioritetin e rekomandimeve të OSBE-se dhe ODIHR dhe çështjet që kanë të bëjnë me votën e emigrantëve, votimin elektronik, çështjet e sistemit, por edhe elementë të tjerë të teknologjisë përfshirë edhe reformimin e partive politike le t’i adresojmë direkt pas zgjedhje vendore. Ju i keni të gjitha këto drejta, por edhe ata që janë jashtë nuk mund t’ia mohojmë, sepse në fund të fundit përfaqsojnë edhe elektoratin e tyre, por në fund të fundit komisioni i Reformës Zgjedhore është tavolina e duhur ku ne po negociojmë edhe për ndryshimin e sistemit politik”, deklaroi Gjiknuri në Parlament.

Pra këto ndryshime do të realizohen sipas PS-së vetëm pas zgjedhje lokale të 30 qershorit, duke i hapur rrugë ndryshimit të sistemit, apo qoftë dhe numërimit dhe votimit elektronik.
Pro ndryshimit të sistemit është shprehur edhe kryedemokrati Lulzim Basha, i cili ka ka avancuar më tej, duke kërkuar ndërhyrje jo thjesht në ligjin zgjedhor, por edhe në Kushtetutë.
Kryedemokrati ka propozuar që Kuvendi të jetë me 100 deputetë, si dhe të krijohet një sistem bikamerial, një Parlament dhe një Senat (pra parlament dy dhomësh si modeli italian).

Ndryshimet e sistemeve zgjedhore gjatë pluralizmit
Zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri u mbajtën më 31 mars të vitit 1991. Sistemi elektoral i aplikuar në këto zgjedhje ishte mazhoritar me 2 raunde. Nëse asnjë prej kandidatëve për deputetë në zonat njëemërore nuk merrte 50%+1, dy kandidatët më më shumë vota shkonin në balotazh. Fituesi në raundin e dytë quhet kandidati që kishte fituar numrin më të madh të votave. Kuvendi kishte gjithsej 250 vende.

Në zgjedhjet e vitit 1996 në ligjin “Për zgjedhjet e Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë” përcaktohej se Kuvendi përbëhej nga 140 deputetë nga të cilët 115 zgjidheshin drejtpërdrejt në zonat zgjedhore një emërore, kur se 25 mandate ndaheshin në skemën proporcionale, nga votat që merrnin subjektet politike. Ky ishte një sistem miks mazhoritar dhe proporcional kombëtar.

Në vitin 2009 u vendos ndryshimi i sistemit zgjedhor. Sistemi maxhoritar dhe proporcional me të cilin ishin zhvilluar të gjitha zgjedhjet e kaluara parlamentare në Shqipëri lejonte që ky vullnet të shtrembërohej dhe rezultati të kontestohej nga pala humbëse. Kështu u vendos një sistem proporcional rajonal, duke hequr sistemin maxhoritar, duke përdorur formulën e De Hontit, e cila favorizonte koalicionet zgjedhore, partinë që mbledh më shumë vota. Por edhe ky sistem po kontestohet, pasi veç krijimit të listave të mbyllura të deputetëve, në të u përfshinë edhe kandidatë me të shkuar kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë