Shendet

Prindërit shqiptarë kundër vaksinimit të fëmijëve ndaj Covid-19

Varianti Delta po përhapet edhe mes fëmijëve dhe e gjithë bota po diskuton edhe vaksinimin e fëmijëve mbi moshën 12 vjeç. Por në Shqipëri, nga një vëzhjgim i i shkurtër që Gazetasi.al bëri në Tiranë, rezulton se prindërit nuk duan t’ua injektojnë vaksinën anti-Covid fëmijëve të tyre.
Ky proces ka nisur në disa vende të botës, si SHBA, Izrael, Britani e Madhe e tjetër, si një mënyrë për të rritur imunitetin e tufës. Ekspertët e huaj kanë shpjeguar se vetëm duke vaksinuar fëmijët do të kemi një imunitet kolektiv. Por prindëritt me të cilët foli Gazetasi.al, janë shumë skeptikë për këtë. Shumë të paktë janë ata që e konsiderojnë ta marrin parasysh si mundësi.

“Vaksinat që kanë pasur për t’i bërë fëmijët, ua kam bërë. Për këtë të Covid-19 nuk kanë dalë vaksina që mund t’u bëhen fëmijëve. Nuk kam pse t’i bëj”, tregon Albani, një qytetar në Rrugën e Kavajës në Tiranë, teksa mban për dore fëmijën e vet.
“Nuk ka asnjë lloj mundësie që ta bëjë fëmija im vaksinën. Është vetëm 11 vjeç. Çfarë vaksine t’i bëj atij, nuk ka kuptim. Këta duan të shesin vaksina dhe i nxorën edhe për fëmijët tani. Kjo është e pakuptimtë”, i tha Gazetasi.al Nimetja, një grua rreth moshës 45-vjeç.
Ajo thotë se ka lexuar raporte të ndryshme për vaksinat dhe mendon se “vaksinat mund të të lënë steril”. “Është një e keqe që nuk dua t’ia bëj fëmijës tim”, shton 45-vjeçarja.
Nga ana tjetër, me rritjen e infektimeve në Shqipëri, për shkak të të përhapjes së variantit Delta, është shtuar edhe numri i fëmijëve të prekur. Gazetasi.al ka mësuar se deri më tani në urgjencën infektive janë 7 fëmijë.
Ekspertët e shëndetit publik në vend kanë shpjeguar se manifestimet e simptomave tek fëmijët janë të ngatërrueshme me virozat e stinës, prandaj është i nevojshëm tamponi për të bërë dallimin e infeksionit.

Alban Ylli më herët ka shpjeguar për Gazetasi.al se Komiteti i Ekspertëve është duke shqyrtuar edhe vaksinimin e fëmijëve.
“Është hedhur si hipotezë; ka dalë Pfizer për moshat 12 deri në 15, Kina ka publikuar një studim për përdorimin e Sinovac mbi 3 vjeç. Ne po e shqyrtojmë s’kemi marr asnjë vendim dhe do shohim si do jenë praktikat dhe indikacionet e vaksinave të ndryshme në uljen e pragut të kësaj grup moshe,” ka thënë Shefja e Pediatrisë Infektive Gjeorgjina Kuli.
Nga ana tjetër mjeku Ylli shpjegon se fëmijët që e kanë kaluar COVID-19 një herë, nëse preken përsëri e kalojnë edhe më lehtë pasi përgjigja e tyre imunitare është më e mirë. Mjeku tregon se sipas një studimi të kryer nga Qendra Spitalore Pediatrike Universitare e Tübingen (Gjermani), ku kanë marrë pjesë 328 familje me të paktën një rast pozitiv në periudhën Maj-Gusht 2020, është vërtetuar se 11-12 muaj pas infektimit, fëmijët vazhdojnë të kenë më shumë antitrupa.
Për disa prindër me të cilët Gazetasi.al foli mund të diskutohet vaksinimi tek fëmijët por duhet të ketë rekomandime të forta.

“E kemi dëgjuar si mundësi por të them të drejtën jam pak skeptike. Unë vajzës time që është 6 vjeçe i bëj vaksinën e gripit çdo vit dhe mendoj se krijon mbrojtje edhe për Covid-19. Vjet për shembull nuk pata asnjë problem, por për vaksinën e Covid-19 duhet të ketë një bazë shumë të fortë se janë ndryshe fëmijët,” i tha Gazetës “Si” Artina.
Duket se edhe më skeptikë janë gjyshërit.
Ilmiu një burrë rreth të 60-ave i shpjegon Gazetasi.al se është e papranueshme që fëmijët të vaksinohen.
“Ata nuk janë si ne. Ne e kemi kaluar çdo gjë; nuk na bën më përshtypje, por unë nuk mund të lejoj që nipërit e mi të vegjël të vaksinohen për Covid-19 se kanë një jetë përpara nuk i dihet se çfarë u ndodh. Punë e madhe për ne … por jo për ata,” shprehet ai.
Autoritetet shëndetësore në botë parashikojnë se fillimi i vjeshtës do të jetë i vështirë dhe një ndër arsyet kryesore është fillimi i shkollave.
Ekspertët e Qendrave Shëndetësore në SHBA kanë shpjeguar se fëmijët kanë “ekskluzivitetin e shpërndarjes” së sëmundjeve infektive dhe pikërisht kjo është një arsye pse shtohen rastet në fillim të vitit shkollor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë