Shendet

Mësimi do të nisë në shtator, por çfarë do të bëhet me mbrojtjen e fëmijëve nga Covid-19

Në datën 1 shtator fëmijët do të kthehen në shkollë por ende nuk dihet si do të sigurohet mbrojtja e tyre nga Covid-19. Një fakt ky  tepër i rëndësishëm kur është vërtetuar se Varianti Delta është i transmetueshëm tek fëmijët e të rinjtë.

Numrat e infektimeve po vijojnë të rritën dhe impakti i variantit Delta ka filluar të ndjehet. Epidemiologet si Ilir Alimehmeti, Laidon Shapo, Alban Ylli edhe të tjerë kanë shpjeguar për Gazetasi.al edhe më herët se vjeshta do të ketë një shtim të rasteve.Ekspertët kanë thënë më herët se në vjeshtë do të rriteshin rastet për shkak të mbulesës së ulët vaksinale dhe mos respektimit të masave gjatë verës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, më herët ka thënë se me fillimin e shkollës po punohet për hartimin e udhëzimeve të reja, duke shtuar se masat e thjeshta si mbajtja e maskës, ruajtja e distancës dhe higjienës, duhet të respektohen, por deri më tani nuk ka ndonjë udhëzim të ndryshuar.

Genc Sulçebe

Ndërkaq virlogu Genc Sulcebe në një status të fundit në rrjetet sociale ka shpjeguar se duhet një imunizim i shpejtë dhe i plotë për të gjitha grupmoshat.
“Një problem i veçantë paraqitet me fëmijët mbi 12 vjeç që do të frekuentojnë se shpejti mësimin në klasë. Ngjitshmëria e variantit Delta është e ngjashme me virusin e varicelës, pra ajo është të paktën 3 deri 4 here me ngjitëse se virusi i gripit. Kjo rrit rrezikun e shpërndarjes së shpejtë të infeksionit nga Covid-19 te fëmijët që do të frekuentojnë klasat. Për rrjedhoje duhet të mendohet fillimi i imunizimit te fëmijët mbi moshën 12 vjeç me të paktën 1 dozë vaksine te ata fëmijë që nuk kane kaluar infeksionin,” ka shkruar më tej ai duke theksuar rëndësinë e imunizimit.
Çfarë tregojnë studimet për transmetimin e variantit Delta tek fëmijët?
Studime të ndryshme të Qendrave për kontrollin Shëndetësor në SHBA dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mutacioni Delta është më ngjitës tek të rinjtë dhe të pa vaksinuarit. Më herët ekspertet e shëndetit publik në Britani kanë këshilluar që të vaksinohen edhe fëmijët e moshës mbi12 vjeç për shkak të transmetueshmërisë së virusit dhe që të arrihet imuniteti i tufës.

Foto ilustruese

Ndërkohë, pre 3 javësh tashmë Izraeli, Franca dhe SHBA kanë filluar përdorimin e vaksinës Pfizer në grup moshën 12-18 vjeç.
"Me valën e shkaktuar nga qarkullimi i variantit më të transmetueshëm Delta, çdo vonesë ka gjasa të ketë pasoja të rëndësishme në shëndetin publik. Meqenëse këto vaksina janë treguar të sigurta për 12 deri në 18 vjeç dhe kanë përfitime të qarta direkte dhe indirekte, ka kuptim ta hapni programin e vaksinimit për këto grup mosha", tha Aris Katzourakis, një virolog në Universitetin e Oksfordit.
Ndërsa Stephen Griffin, një virolog në Universitetin e Leeds, tha se mos vaksinimi i fëmijëve dhe të rinjve do të bëjë të mundur që virusi të infektojë më shumë njerëz. Ai shpjegon se për këto grupe, burimi kryesor i mbrojtjes vjen nga mbulimi i lartë i vaksinave dhe kufizimi i transmetimit komunitar.
Një seri studimesh të botuara në revistat shkencore si “Science”, kanë treguar se varianti Delta shton edhe ngarkesën virale tek të pa vaksinuarit.
"Unë mendoj se fëmijët sapo janë përfshirë në këtë luftë dhe transmetueshmëria është më e lartë në zona me mbulesë vaksinale të ulët,” shton Peter Hotez një tjetër ekspert i shëndetit publik i cili është dekan i Shkollës Kombëtare të Mjekësisë Tropikale në Kolegjin e Mjekësisë Baylor,SHBA.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë