Shendet

Alimehmeti: Fëmijët kanë 11-12 muaj antitrupa pasi e kalojnë Covid-19

Fëmijët e kalojnë shumë më lehtë COVID-19, si rrjedhojë përgjigja e tyre imunitare duket më e mirë. Duke u bazuar në një studim të fundit nga një sërë institucionesh gjermane, mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti ka shkruar se rezultatet flasin për sëmundje shumë të lehtë te fëmijët dhe për përgjigje më të fortë të antitrupave në krahasim me të rriturit.

Mjeku tregon se studimi i kryer nga Qendra Spitalore Pediatrike Universitare e Tübingen (Gjermani), është aktualisht studimi më i madh multicentrik që krahason përgjigjen e antitrupave të fëmijëve dhe të të rriturve në të njëjtat familje.

Në studim kanë marrë pjesë 328 familje me të paktën një rast pozitiv në periudhën Maj-Gusht 2020, nga të cilët 726 ishin të rritur dhe 553 fëmijë. Studimi tregon se të infektuarit ishin 33.8% e fëmijë dhe 57.9% e të rritur.

Alimehmeti shkruan se vërtetohet edhe një herë që fëmijët kanë më pak gjasa që të  infektohen dhe të kalojnë sëmundjen pa simptoma.

Sipas ekspertit, pavarësisht nga fakti që janë më shumë asimptomatikë, 11-12 muaj pas infektimit, fëmijët vazhdojnë të kenë më shumë antitrupa.

“Sipas të dhënave 96.2% e fëmijëve kanë antitrupa 11-12 muaj pas infektimit, dhe 82.9% e të rriturve kanë antitrupa 11-12 muaj pas infektimit. Infeksionet asimptomatike prodhonin të njëjtat nivele antitrupash si infeksionet simptomatike, qoftë te fëmijët, qoftë te të rriturit! Autorët dalin në përfundimet se megjithëse fëmijët kanë ecuri klinike më të lehtë ose krejt asimptomatike pas infektimit me SARS-CoV-2, ata krijojnë një përgjigje imunitare antikorpale të fuqishme dhe të qëndrueshme në kohë,” thotë eksperti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë