Shendet

Si të ulni në mënyrë drastike shanset për t’u prekur nga Alzheimer: 80 % e rasteve janë të parandalueshme

Sëmundja e Alzheimerit ndikon në jetën e miliona njerëzve në mbarë botën, por shkencëtarët tani kanë filluar të kuptojnë se çfarë e shkakton këtë sëmundje mizore dhe si ta shmangin atë.

Studiuesit kanë zbuluar tashmë se pothuajse të gjithë individët me dy kopje të një gjeni të caktuar, të quajtur APOE4, vazhdojnë të zhvillojnë shenja të gjendjes së bjerrjes së kujtesës.

Megjithatë, ekspertët thonë se vetëm një në 100 raste të sëmundjes së humbjes së kujtesës shkaktohet nga gjenet. Në fakt, rreth 80 për qind e rasteve të Alzheimerit mendohet se janë të parandalueshme.

Më poshtë, shkencëtarët kanë renditur zgjedhjet e stilit të jetesës që mund të ulin rrezikun e zhvillimit të sëmundjes.

Mos pi duhan

Nëse e lini duhanin, rreziku i sëmundjeve të mushkërive, sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru do të ulet ndjeshëm. Por gjithashtu mund të zvogëlojë rrezikun e zhvillimit të demencës dhe Alzheimerit, tregojnë studimet.

Kjo për shkak se pirja e duhanit rrit rrezikun e problemeve vaskulare të cilat janë gjithashtu të lidhura me Alzheimerin dhe demencën vaskulare.

Demenca vaskulare shkaktohet nga një sasi e reduktuar e fluksit të gjakut në tru, çka bën që qelizat e trurit të mos marrin oksigjenin dhe lëndët ushqyese që u nevojiten për të punuar siç duhet. Dhe, sipas Shoqatës Britanike të Alzheimerit, rrjedha e gjakut në tru ndikohet fort në sëmundjen e Alzheimerit.

Cigaret gjithashtu lëshojnë më shumë se 5000 kimikate kur digjen, shumë prej të cilave janë helmuese. Këto toksina që gjenden në tymin e cigares mund të shkaktojnë inflamacion dhe stres në qeliza, të cilat të dyja kanë qenë të lidhura me Alzheimerin.

Gjithsesi, për shkak se ka kaq shumë kimikate në cigare, është ende e paqartë se cilat ë shkaktojnë dëmin.

Autorët e Raportit Botëror të Alzheimerit në vitin 2014 thanë se ekzistonte një rrezik i dukshëm në rritje që duhanpirësit aktualë të zhvillonin demencë në krahasim me ata që nuk kanë pirë kurrë duhan.

Në vitin 2020, duhanpirja u theksua si një nga faktorët kryesorë të rrezikut të demencës në Komisionin Lancet për rrezikun e demencës. Studiuesit vlerësuan se ekziston një rrezik prej 30 deri në 50 për qind në rritje për zhvillimin e demencës nëse pini duhan.

Pini më pak alkool

Pirja e tepërt e alkoolit është treguar se rrit rrezikun e zhvillimit të demencës.

Udhëzimet aktuale të ekspertëve europianë të shëndetit publik thonë se nuk duhet të pini më shumë se 14 njësi alkool në javë. Nëse pini shumë, do të rrisni rrezikun e dëmtimit të organeve, duke përfshirë trurin tuaj.

Konsumimi i tepërt i alkoolit është i lidhur me një vëllim të reduktuar të lëndës së bardhë të trurit, e cila ndihmon në transmetimin e sinjalit midis rajoneve të trurit.

Nëse sinjalet nuk transmetohen siç duhet, truri do të luftojë të funksionojë siç duhet, shpjegon Shoqata e Alzheimerit.

Pirja e tepërt mund të rezultojë gjithashtu në mungesë të vitaminës B1 (tiaminë), e cila ndihmon trupin e njeriut të konvertojë ushqimin në energji.

Mungesa e kësaj vitamine mund të ndikojë gjithashtu në kujtesën tuaj afatshkurtër.

Mendohet se ulja e konsumit të alkoolit në mes të jetës mund të minimizojë rrezikun e zhvillimit të kushteve të lidhura me moshën, si rënia fizike apo mendore.

Kaloni kohë me miqtë

Takimi me miqtë dhe qëndrimi social mendohet se zvogëlon shanset për të zhvilluar demencë.

Pjesëmarrja në aktivitete sociale si vullnetarizmi, bashkimi në një grup interesi, luajtja e muzikës ose marrja me arte apo puna artizanale në grup, mendohet se të gjitha mund të nxisin atë që ekspertët e quajnë rezerva njohëse e trurit tuaj.

Ky është një term që ekspertët përdorin për të përshkruar aftësinë e organit për të përballuar kushtet që e dëmtojnë atë, lehtësojnë stresin dhe përmirësojnë humorin.

Shoqata Britanike e Alzheimerit shton se akti i të dëgjuarit të dikujt në bisedë, gjetja e mënyrës së duhur për t'u shprehur dhe kujtimi i gjërave që kanë ndodhur, janë të gjitha mënyra për të ushtruar aftësitë tuaja mendore.

Në fakt, izolimi social mendohet se rrit rrezikun e demencës me 60 për qind.

Një studim i vitit 2019 zbuloi se kontakti social ofron një 'efekt mbrojtës' kundër demencës.

Studiuesit matën kontaktin social të 10,000 pjesëmarrësve midis 35 dhe 55 vjeç me të afërm dhe miq që nuk bashkëjetojnë gjashtë herë gjatë 17 viteve duke përdorur një pyetësor.

Ata zbuluan se ata persona me kontakte të shpeshta sociale kishin një rezervë më të lartë njohëse, duke sugjeruar se kishin më pak gjasa të zhvillonin demencë.

Qëndroni aktivë

Aktiviteti në palestër, vrapi apo edhe një shëtitje e gjatë mund t'ju ndihmojë të parandaloni zhvillimin e demencës.

Kjo për shkak se aktiviteti i fuqishëm aerobik, si vrapimi, ndihmon për të mbajtur zemrën, mushkëritë dhe qarkullimin e gjakut të shëndetshëm, gjë që është e mirë për shëndetin e trurit.

Ekspertët vlerësojnë se ushtrimet e rregullta mund të zvogëlojnë rrezikun e zhvillimit të demencës me rreth 28 për qind. Për Alzheimerin në mënyrë specifike, rreziku reduktohet me rreth 45 për qind, sipas Shoqatës së Alzheimerit.

Një studim i vitit 2013, i Universitetit të Cardiffit, që vërejti sjelljet shëndetësore të më shumë se 2000 meshkujve të moshës 45 dhe 59 vjeç (për një periudhë 35 vjeçare), zbuloi se stërvitja e rregullt ul rrezikun e tyre të demencës me 13 për qind.

Edhe pse ata gjithashtu nuk pinin duhan, kishin konsum të moderuar të alkoolit dhe kishin një peshë të shëndetshme, nivelet e ushtrimeve u treguan se kishin efektin më të madh në uljen e rrezikut të demencës.

Pjesëmarrësit që plotësonin të gjitha këto krittere të stilit të jetesës ulën rrezikun e demencës me 60 për qind.

Edhe pse vrapi mund të mos ju përlqejë, një ecje e shpejtë dhe aktivitete të përditshme si pastrimi, kopshtari dhe gatimi, gjithashtu e mbajnë trupin aktiv dhe ndihmojnë në uljen e rrezikut të sëmundjes.

Lani dhe pastroni mirë dhëmbët

Mbajtja e higjienës orale duke larë dhe pastruar dhëmbët me furçë dhe fill dentar mund të parandalojë gjithashtu demencën (si dhe prishjen e dhëmbëve).

Mund të tingëllojë e çuditshme, por ekspertët kanë vënë re një lidhje midis baktereve dhe inflamacionit pasues të shkaktuar nga sëmundja e mishrave të dhëmbëve, me akumulimin e proteinave amiloide.

Këto proteina janë të lidhura me Alzheimerin, forma më e zakonshme e demencës.

Një studim i vitit 2020 në SHBA sugjeroi se njerëzit me sëmundje të mishrave të dhëmbëve dhe infeksione të gojës kishin më shumë gjasa të zhvillonin Alzheimer.

Megjithatë, shkencëtarët ende duhet të kuptojnë nëse bakteret ndihmojnë në nxitjen e gjendjes ose nëse sëmundja e mishrave të dhëmbëve dhe humbja e dhëmbëve ndodhin më shumë tek njerëzit në fazat e hershme të demencës.

Një faktor tjetër i mundshëm është se njerëzit me zakone më të dobëta të higjienës orale që çojnë në sëmundje të mishrave të dhëmbëve, mund të jenë gjithashtu përgjithësisht më të pashëndetshëm dhe në rrezik më të madh të zhvillimit të demencës nga faktorë të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë