Mendim

Partitë e reja për ‘ndryshimin’… pse nuk po bindin

“Vendi ka nevojë për shpresë, eja bashkohu me ne”, është slogani i Lëvizjes për Ndryshim, e cila pritet të prezantohet në datën 28 Tetor. Nëse Jozefina Topalli, ish-nënkryetarja e PD-së, nuk do të kish deklaruar publikisht se do t’i bashkohej kësaj lëvizje, “pasi kishte marrë një ftesë”, atëherë një nismë e tillë pak kujt do t’i kishte rënë në vesh apo do të kishte marrë  vëmendjen e medias.

Sepse përmbajtja e këtij slogani nuk ndryshon as nga sloganet e përditshme që po trumbetojnë partitë kryesore në vend.

E as ato me të “rejat” që po themelohen përditë. Nuk dihen as drejtuesit, dhe nuk sqarohet nëse do të kthehet në një parti politike për zgjedhjet e 25 Prillit.

Ajo që dihet është se aty për herë të parë do të jetë përballë tyre duke i dëgjuar edhe Jozefina Topalli e cila deri më tash nuk i është bashkuar as partisë së Myslim Murrizit, as partisë së Rudina Hajdarit madje as partisë së Astrit Patozit.

Pse? Sepse në Partinë Demokratike prej vitesh ka pasur rrjedhje emrash shoqëruar me parti politike të iniciuara kryesisht nga përplasjet direkte me kryetarin e partisë. Dhe jo vetëm. Shumica prej tyre (përveç do partive rreth viteve 1999-2003 ) nuk morën me vete as kapital njerëzish.

Dikur kishte sens partia e Neritan Cekës, Abdi Baletës, Dashamir Shehit, apo edhe e Genc Pollos. Pati kuptim në fakt deri në 2005-ën, kur Sali Berisha i thirri të gjithë në shtëpinë e parë.    

I gjithë konfigurimi dhe skema më tej u bë bajate. U përpoq Bamir Topi me një parti të re, por mbeti zë vetëm ai. Së fundmi po dalin parti që synojnë votat e të djathtës nga secili deputet i qejfmbetur. Dikush se u përjashtua padrejtësisht nga Basha e dikush tjetër që nuk ia doli.

Do të kishte më shumë sens sikur të gjithë këto rryma emrash në PD të krijonin një parti të vetme, pasi eksperienca si nga e djathta ashtu edhe nga e majta (përveç LSI) ka treguar se vitet e mëvonshme ato ose kanë pushuar së ekzistuari ose janë shkrirë me partinë “mëmë”.

Ato nuk kanë bërë asgjë tjetër përveçse kanë marrë do vota të pakënaqurish, pa arritur të bindin në elektorat e mandej të çajnë rrethimin e hambarit të votave të dy partive të mëdha.

Ky fenomen pati kuptim për klasën politike deri para 2005-ës, atëherë kur Sali Berisha me një lëvizje dinake u ofroi të gjithë të pakënaqurve të ndarë në partiza nga një post ministror, duke zhvlerësuar për pasojë edhe aksionin e tyre politik  prej vitesh.

Ndaj dhe ky fenomen nuk pi më ujë as në elektorat.

Partitë e reja që po lindin nga e djathta (që po trumbetohen më së shumti nga e majta, dy ditë më parë nga Erion Veliaj) po kërcasin jo pak në këtë periudhë parafushate se sa ndikim do të kenë, për çfarë qëllimi po ngrihen, dhe kush do të jenë figurat “frymëzuese”  sepse të dalësh me një slogan formal se vendi ka nevoje për shpresë, siç po del edhe lëvizja më e fundit është më e pakta naive të mendosh se do të jetë ndryshimi.

Megjithatë, ka një arsye se pse ka bindur Jozefina Topallin e cila nuk i është bashkuar deri me tash as partisë së Myslim Murrizit e më herët as partisë së Astrit Patozit, jo më shumë për çështje programi, por për ata që e drejtojnë.

Kështu që, të presim të mërkurën nëse do të surprizohemi. Deri atëherë pikëpyetjet mbeten. /N.P 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë