Gazeta Si – Gjykata e Lartë ka lënë në burg Erion Veliajn, duke rrëzuar rekursin e kryebashkiakut të Tiranës, i marrë i pandehur nga SPAK për disa vepra penale.
Veliaj kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’, për ta zëvendësuar atë me një masë më të lehtë sigurie ose përmes garancisë pasurore.
Kjo kërkesë e Veliajt, rrëzohet pas rishikimit që Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë i bënë vendimit unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e tij.
Vendimi i marrë në unanimitet parashikon se kufizimi më i rëndë i lirisë personale, masa e arrestit me burg duhet të merret pasi më parë të jenë shqyrtuar realisht masat e tjera alternative.
Po ashtu kërkohet arsyetim rast pas rasti për personin e përfshirë dhe që të jetë prokuroria ajo që të ketë barrën e provës për të justifikuar nevojën e masës ekstreme.
Përveç këtij rekursi, Gjykata Kushtetuese riktheu para tre ditësh në Gjykatën e Lartë një tjetër kërkesë për liri të Veliajt.
Sipas Kushtetueses, Gjykata e Lartë, në vendimin që do duhet të rimarrë për Veliajn, duhet të arsyetojë a është proporcionale masa “arrest me burg” në raport me pozicionin që Veliaj ka si kryebashkiak.
Gjykata e Lartë, do duhet të arsyetojë pse nuk prevalon e drejta për t’u zgjedhur dhe ushtrimi i detyrës si kryebashkiak, përballë masës ekstreme të sigurisë?
Ndërkohë, për Veliajn ka nisur gjykimi në themel pasi akuzohet për 5 vepra penale të kryera në 13 raste të ndryshme, duke përfshirë korrupsion pasiv në disa raste, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg.
Sipas SPAK, shumica e akuzave lidhen me marrje të përfitimeve të paligjshme, ku kompanitë e përfshira kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia Tiranë, në këmbim të favoreve monetare dhe pasurive të paluajtshme. Që prej 10 shkurtit të vitit 2025, ai mbahet në paraburgimin e Durrësit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje