Drejtësia

Aeroporti i Vlorës, Gjykata e Lartë i jep të drejtë kompanisë së Pacollit

Gazeta Si – Gjykata e Lartë ka vendosur të rrëzojë kërkesën për sigurimin e padisë të paraqitur nga kompanitë “Vlora International Airport” dhe “2A Group”, e lidhur me biznesmenin Valon Ademi, duke i dhënë të drejtë për administrimin, biznesmenit Behgjet Pacolli.

Trupa gjykuese e Kolegjit Civil, vendosi të ndryshojë vendimet e mëparshme të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Gjykatës së Apelit Tiranë, të cilat kishin pranuar kërkesën për masë sigurimi padie.

Kjo masë kishte si qëllim pezullimin e përkohshëm të disa vendimmarrjeve dhe procedurave administrative brenda shoqërisë koncesionare që menaxhon projektin e Aeroportit të Vlorës.

Në thelb, mosmarrëveshja mes palëve lidhet me kontrollin dhe administrimin e kompanisë koncesionare “Vlora International Airport”.

Konflikti lindi pasi “2A Group” pretendoi se kishte fituar të drejtën mbi një pjesë të konsiderueshme të aksioneve të shoqërisë, ndërsa kompania “Mabco” e biznesmenit Behgjet Pacolli kundërshtoi këtë pretendim dhe kërkoi pavlefshmërinë e kontratës së transferimit të kuotave.

Përplasja mes ortakëve u shoqërua me procese gjyqësore, akuza reciproke dhe tensione për kontrollin e vendimmarrjes në shoqërinë që po ndërton aeroportin.

Kjo përplasje çoi më 16 maj në bllokimin e punës në aeroportin e Vlorës, ku shoqëria “A2 Group” nuk lejoi hyrjen në kantierin e ndërtimit të punonjësve dhe nënkontraktorëve të “Mabco”-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë