Mendim

Paradoksi kinez

Kur nisi përhapja masive e rrjeteve sociale, imuniteti i shoqërisë kineze ndaj këtij fenomeni ra. Por, autoritetet reaguan duke vendosur atë që njihet si “Muri i madh i censurës”, një mekanizëm artificial nëpër filtrat e të cilit kalon çdo faqe interneti e rrjet social për përdoruesit kinezë.

Filtri i quajtur “Great Firewall” ja ka dalë mbanë që të censurojë gjithçka që nuk shkon me linjën e autoriteteve komuniste dhe Francis Fukuyama, kryeredaktor i China Digital Times paralajmëron se vendi po shkon drejt epokës së një “shteti digjital totalitar”.

Por, edhe kjo censurë e kontroll i rreptë i autoriteteve, ashtu si çdo fenomen, ka dy anë të medaljes. E para është censura dhe kufizimi i lirisë për t’u informuar dhe shprehjes në internet, e dyta është kontrolli dhe reagimi i autoriteteve ndaj fenomeneve negative që cekin shoqërinë.

Teknologjia dhe rrjetet sociale janë përdorur në këtë rast nga strukturat ligjzbatuese të qeverisë kineze për të ndëshkuar çdo kundërvajtje, penale e administrative. Telefonët sot edhe në Kinë nuk janë thjesht një mjet komunikimi, por shpesh janë shndërruar në porta denoncimi ndaj korrupsionit dhe keqqeverisjes.   

Duke e ditur fuqinë e kësaj, Partia Komuniste ka riorganizuar strukturat e saj duke i dhënë përparësi botës digjitale dhe në shënjestër nuk janë vetëm postimet e qytetarëve të pakënaqur, por edhe denoncimet e tyre ndaj zyrtarëve shtetërorë, apo sipërmarrësve abuzues me ligjin e ashpër vendas.

Rastet e ndëshkimeve të zyrtarëve qendrorë e vendorë që janë akuzuar për korrupsion, mitmarrje e keqqeverisje në botën e rrjeteve sociale janë me qindra. Pyetja që lind është se ç’e shtyn Partinë Komuniste që njërin vesh ta mbajë nga rrjetet sociale, një fenomen i sistemeve perëndimore, për të ruajtur legjitimitetin e saj?

“Kina po shndërrohet gradualisht në një demokraci fantazmë, ku paradoksalisht frika e Partisë Komuniste sot nga një sistem demokratik real e ka shtyrë atë drejt një menaxhimi politik që e ka vendosur në funksionin elektoral në çdo kohë”, thotë John Keane.

Paradoksi në këtë mes qëndron në faktin se liria e fjalës në rrjetet sociale nuk po e kërcënon pushtetin e Partisë Komuniste, përkundrazi, po e forcon atë. Të kuptuarit e këtij paradoksi është çelësi i zgjidhjes së enigmës se përse sistemi politik kinez po rrëzon pritshmëritë e teoritë perëndimore se ai do të shembet, pasi nuk është një demokraci liberale.

“Përveç kontrollit të rreptë dhe censurës, autoritetet kineze dëgjojnë e regjistrojnë me vëmendje çdo ankesë nga publiku në botën online, janë interaktivë në biseda me ta dhe mjeshtërisht ja dalin mbanë që të angazhojnë publikun përmes rrjeteve sociale”, thotë Maria Repnikova.

Dy janë platformat digjitale më të përdorura nga kinezët, Weibo, që është versioni kinez i Facebook dhe WeChatt, një aplikacion telefonik. Në të dy këto platforma organet qendrore të Partisë Komunisti nxisin regjistrimin dhe angazhimin e zyrtarëve të tjerë. Në qershor, numri i profileve zyrtare në Weibo ishte mbi 140 mijë dhe vazhdon që të rritet me shpejtësi. Po ashtu, mbi 100 mijë kanale e profile zyrtare janë hapur në WeChat.

Në këto dy platforma dhe në gjithë platformat e tjera që kanë marrë dritën jeshile për të operuar në vend përdoruesit postojnë problematika nga më të ndryshmet, që nga higjiena e banjove publike e deri tek prishja e shtëpive, varfëria dhe cilësia e ujit të pijshëm. Thuajse për çdo ankesë ata marrin një përgjigje, pasi në të kundër zyrtarët përgjegjës mund të ndëshkohen. Madje është ngritur një sistem i brendshëm brenda partisë që vlerëson zyrtarët më të angazhuar në rrjetet sociale. Kështu, çdo javë gazeta “Populli sot”, organ i Partisë Komuniste publikon në faqet e saj zyrtarët dhe zyrat që kanë zgjidhur më shumë problemet e qytetarëve pas ankesave në rrjetet sociale.

“Dilema e madhe e qeverisë kineze po luhet mes përpjekjes për të përshkallëzuar kontrollin ndaj botës online dhe dëshirës për të patur më shumë interaktivitet me publikun”, mendon Maria Repnikova.

Deri më tani po ruhet balanca dhe duket se sistemi po funksionon. Por, mbetet për t’u parë në të ardhmen se kush do të prevalojë.

Burimi “Washington Post”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë