Shendet

“Paradoksi kilian”, pse vendi kampion i vaksinimit me ‘Sinovac’ i rikthehet izolimit

E quajnë "paradoksi kilian". Vendi i Amerikës së Jugut e mahniti botën për shpejtësinë e fushatës së tij të vaksinimit masiv kundër Covid-19: 4.6 milionë njerëz, nga 18 milionë banorë, kanë marrë tashmë dy doza, 7.2 milionë të paktën të parën; vetëm Izraeli, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Ishujt Seychelles kanë bërë më mirë.

Megjithatë, infeksionet vazhdojnë të përhapen me ritme rekord, veçanërisht tek të rinjtë dhe njësitë e kujdesit intensiv në spitale, kanë një mbingarkesë mesatare prej 95%.

"Buletini" i fundit mjekësor, flet për një total prej 1,076,499 raste të konfirmuara me Covid 19 dhe 24,346 vdekje që nga nisja e pandemisë marsin e shkuar.

Çfarë po ndodh në Kili?

"Paradoksi" ka më shumë se një shpjegim. E para, është se me lehtësimin e kufizimeve të udhëtimit dhe rihapjen e shkollave dhe dyqaneve, popullata ishte nën iluzionin se pandemia ishte vetëm një kujtim i largët.

Siç theksohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), imunizimi nuk zëvendëson parandalimin: "Ka nga ata që ndalojnë marrin masa të tilla, si distanca fizike, higjiena personale, ajrosja e hapësirave ose ndalimi i grumbullimeve", ka deklaruar Maria Van Kerkhove, kreu i njësisë teknike të OBSH-së kundër Covidi 19.

"Por vaksinat janë vetëm një nga mjetet për të ndaluar infeksionet dhe ne nuk mund të flemë në dafina vetëm sepse jemi të vaksinuar".

Efikasiteti (i dobët) i vaksinës kineze “Sinovac”

Një shpjegim tjetër, më shqetësues, i "paradoksit kilian", është efikasiteti i dobët i vaksinave të përdorura.

Një studim i kryer nga shkencëtarët e Universidad de Chile, mbi rezultatet e fushatës së vaksinimit, arriti në përfundimin se mbrojtja është mesatarisht 56.5% dy javë pas administrimit të të dy dozave të planifikuara dhe vetëm 3% pas dozës së parë.

Duke marrë parasysh, që vaksina kineze “Sinovac” (93%) përdoret kryesisht në Kili dhe “Pfizer BioNTech” për 7 për qind të pjesës së mbetur, e cila në Izrael ka treguar 94% efektivitet, studiuesit konkludojnë se efektiviteti i vaksinës kineze, është i fortë deri në 54%.

Një vlerë pak më e lartë se ajo e regjistruar në Brazil - ku situata është e komplikuar edhe nga qarkullimi i një varianti që duket në gjendje të shmangë të paktën pjesërisht mbrojtjen imunitare, natyrore dhe të induktuar.

Studimi i efikasitetit të Institutit Butantan, regjistroi një efikasitet prej 50.4%.

Konfirmimi, çuditërisht, erdhi edhe nga Kina. Gao Fu, drejtori i Qendrave Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, pranoi në një konferencë për shtyp të shtunën e kaluar, se vaksinat kineze aktualisht të disponueshme, "nuk kanë norma shumë të larta mbrojtjeje".

Ai më vonë pretendoi se komentet e tij, ishin "keqkuptuar plotësisht", por të dhënat e disponueshme tregojnë se vaksinat kineze janë në të vërtetë më pak efektive se “Pfizer” dhe “Moderna”, edhe pse janë më të lehta për tu ruajtur.

"Ne jemi në rrugën e duhur"

Kili pagoi 3.5 milionë dollarë për të "pritur" provën klinike të vaksinës kineze dhe më pas urdhëroi 60 milionë doza për të mbrojtur popullsinë e saj prej 18 milionë për tre vjet.

Serioziteti i krizës shëndetësore në Kili, është konfirmuar në fakt nga presidenti Sebastián Piñera dhe nga Kongresi, të cilët kanë vendosur të shtyjnë zgjedhjet për 6 javë në Asamblenë Kushtetuese, e cila do të duhet të shkruajë një Kushtetutë të re.

"Mbrojtja e shëndetit të bashkëqytetarëve tanë është përparësi", - tha kreu i shtetit. Sidoqoftë, autoritetet kiliane të dielën, mbrojtën përdorimin e vaksinës kineze “Sinovac” dhe gjithashtu hapën dritën jeshile për përdorimin e vaksinës “CoronaVac”.

Heriberto Garcia, drejtori kilian i shëndetit publik, tha se njerëzit nuk duhet t'i kushtojnë shumë vëmendje gazetave: "Numri i njerëzve që sëmuren dhe po shtrohen në spitale ka rënë, që do të thotë, se jemi në rrugën e duhur", tha ai në një intervistë për gazetën lokale, “La Tercera”.

Kili gjithashtu ka nënshkruar marrëveshje për furnizimin e vaksinave “Johnson & Johnson” dhe “AstraZeneca”, të cilat nuk janë dorëzuar ende.

Ndërkohë, shumë vende në zonën e Amerikës Latine po shikojnë me shpresë vaksinat kubane “Soberana II” dhe “Abdala”, të cilat kanë hyrë në fazën 3 të provës klinike dhe përdoren gjerësisht në ishull (tre të tjera janë në faza më të përparuara të eksperimentimit).

Havana ka premtuar se do t'i shpërndajë ato në vendet "simotra" me çmime shumë më të volitshme sesa amerikanët.

Burimi: “Corriere della Sera”; Përshtati: Gazeta "Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë