Shendet

‘Shpëtuam 6.5 milionë jetë’. AstraZeneca tërheq vaksinën kundër Covid që mund të shkaktojë mpiksje të rrallë gjaku

AstraZeneca tërheq vaksinën Covid-19 në mbarë botën, duke përmendur se ka një tepricë të vaksinave të krijuara.

AstraZeneca ka njoftuar se po tërheq vaksinën e saj Vaxzevria kundër Covid-19 muaj pasi pranoi në dokumentet e gjykatës se ilaçi mund të shkaktojë mpiksje të rrallë gjaku.

Sipas njoftimit të kompanisë, vaksina nuk do të mund të përdoret më në Bashkimin Europian. Kërkesa për tërheqje është dorëzuar më 5 mars dhe ka hyrë në fuqi nga dje, më 7 maj.

Sipas AstraZeneca, vaksina po tërhiqet për arsye komerciale pasi “është tejkaluar nga vaksinat e rinovuara që adresojnë variantet e reja të Covid-19”. Kjo, sipas njoftimit, ka sjellë rënie të kërkesës për vaksinën e AstraZeneca, e cila nuk po prodhohet më dhe as nuk tregtohet.

“Sipas raporteve të pavarura, vetëm në vitin e parë të përdorimit të kësaj vaksine u shpëtuan 6.5 milionë jetë dhe u shpërndanë gjithsej 3 miliardë doza në mbarë botën. Përpjekjet tona janë njohur nga qeveritë në mbarë botën dhe janë parë si kritike për t’i dhënë fund pandemisë globale. Tani do të punojmë me ligjvënësit dhe partnerët tanë për të patur një mbyllje të pastër të këtij kapitulli dhe kontributin e rëndësishëm në pandeminë Covid-19”, tha kompania në një deklaratë.

“Sipas vlerësimeve, mbi 6.5 milionë jetë u shpëtuan vetëm në vitin e parë të përdorimit dhe mbi 3 miliardë doza u shpërndanë globalisht”, thuhet në deklaratë.

Megjithëse vaksina u zbulua se ishte e sigurt dhe efektive në përgjithësi, ajo mbartte rrezikun e një efekti anësor të rrallë, por serioz, të njohur si trombozë me trombocitopeni, ose TTS. Sindroma e rrallë ndodhi në rreth dy deri në tre persona për 100,000 që ishin vaksinuar me vaksinën Vaxzevria.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë