Shendet

Kili publikon studimin: Vaksina kineze “Sinovac” 56% efektive

Universiteti i Kilit, ka  provuar në kohë reale një demonstrim të efektivitetit të vaksinës Covid-19 të kompanisë kineze “Sinovac”, me rezultatet e vaksinimit që tregojnë se është 56.5 për qind efektive dy javë pas dozës së dytë.

Gjetjet ishin në përputhje me rezultatet e provës së fazës 3 të vaksinës në Brazil, të cilat gjetën një normë efikasiteti prej rreth 50%, shkruan këtë të premte gazeta “South China Morning Post” (scmp.com).

Por studimi nga Universiteti i Kilit, gjithashtu zbuloi se një dozë e “Sinovac”-ut, ishte vetëm 3 për qind efektive kundër infeksionit, duke nënvizuar nevojën për t'u vaksinuar plotësisht. Efikasiteti rritet në 27.7%  brenda dy javësh pas injektimit të dytë, duke arritur në 56.5% dy javë më vonë, sipas shkencëtarëve të universitetit.

Kili ka vaksinuar 7.2 milionë njerëz deri më tani, me 4.3 milionë që kanë marrë dozën e tyre të dytë. Më shumë se 93% e atyre që kanë marrë dy doza, janë vaksinuar me “Sinovac”.

Vendi i Amerikës së Jugut, ka miratuar gjithashtu vaksinat “Pfizer-BioNTech” dhe “Oxford-AstraZeneca” dhe të mërkurën, ka nisur fushatën e vaksinimit me një dozë të vetme nga kompania tjetër kineze, “CanSino”, e cila është shtuar në listën e përdorimit emergjent.

Të enjten, Kili raportoi 8,195 raste të reja Covid-19 - numri i saj më i lartë ditor që nga shpërthimi.

Studiuesit vlerësuan efikasitetin e vaksinës “Sinovac” në mjediset e jetës reale në rreth 54%, pasi morën parasysh se 6% e kilianëve të vaksinuar plotësisht, kanë marrë vaksinën “Pfizer-BioNTech”. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pragu minimal i efikasitetit është 50%.

“Vaksinimi ul shumë ndjeshëm mundësinë e infeksionit. Nuk e eliminon atë, por e zvogëlon shumë, prandaj duhet të vaksinoheni”, - tha rektori i Universitetit të Kilit, Ennio Vivaldi për “South China Morning Post”.

Studimi gjithashtu bëri të qartë, se një dozë e parë "nuk ka ndonjë efekt të rëndësishëm pas katër javësh", që do të thotë se njerëzit që morën vetëm një dozë, ishin po aq të prekshëm ndaj infeksionit sa grupi jo i vaksinuar.

Profesori Jin Dong-yan, një virolog molekular në Universitetin e Hong Kongut, tha se gjetjet klinike të shkencëtarëve kilianë, ishin brenda pritjeve dhe theksoi rëndësinë e vaksinimit të plotë, në përputhje me rekomandimet e krijuesve të vaksinave.

Por, tha Jin, shkalla e ulët e efikasitetit të “Sinovac”-ut, e bëri atë në një pozicion më pak të favorshëm kur krahasohet me vaksinat e tjera.

Ai mori si shembull Hong Kongun, ku vaksinat “BioNTech” dhe “Sinovac”, janë në dispozicion. “Edhe nëse dikush është plotësisht i vaksinuar me “Sinovac”, mbrojtja është shumë më e dobët se një dozë e “BioNTech”. Mund të jetë më mirë, nëse qeveria jonë mund të blejë më shumë vaksina “BioNTech” dhe “Novavax", - tha Jin.

“Gjëja e duhur për të bërë me “Sinovac”, është t'i dhurosh ato në vendet me burime të kufizuara, para se ato të skadojnë dhe të mos shkojnë dëm. Unë nuk mendoj se Hong Kongu do t’i përdorë vaksinat e blera nga Kina”, - shtoi profesori Jin.

Burimi: “South China Morning Post”; Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë