Ngjarje

Papa Françesku drejtuar artistëve: Na ndihmoni të shohim bukurinë që shpëton dhe mos harroni të varfrit

Papa takoi dyqind krijues, mes tyre Ken Loach, Ligabue, Marco Bellocchio dhe Manuel Agnelli

“Na ndihmoni të shikojmë dritën, bukurinë që shpëton”, u tha Papa Françeskut artistëve që takoi në Kishëzën Sistine: mbi 200 krijues, përfshirë piktorë, shkrimtarë, muzikantë, aktorë, arkitektë bashkëkohorë, nga 30 vende të botës.

Papa i krahasoi artistët me profetët: “Ju dini t’i shikoni gjërat në thellësi dhe në distancë, si rojet që ngushtojnë sytë për të skanuar horizontin dhe për të kuptuar realitetin përtej pamjes”.

Para se të largohej, ai u drejtoi atyre një ftesë: “Do të doja t’ju kërkoja të mos harroni të varfrit, të cilët janë të preferuarit e Krishtit, në të gjitha mënyrat në të cilat njeriu është i varfër sot. Edhe të varfrit kanë nevojë për art dhe bukuri. Disa përjetojnë forma shumë të ashpra të privimit nga jeta; për këtë kanë nevojë më shumë. Ata zakonisht nuk kanë zë për t’u dëgjuar. Mund ta interpretoni britmën e tyre të heshtur”.

Ka pasur shumë reagime pozitive nga të pranishmit, përfshirë regjisorin britanik, Ken Loach: “Po të ishte Papa në Partinë Laburiste në Britaninë e Madhe, ai ndoshta do të përjashtohej për atë që tha, sepse Partia Laburiste tani është kaq e djathtë, si të gjithë socialdemokratët”, komentoi ai, duke e cilësuar pjesëmarrjen e tij “një privilegj të madh dhe një nder të madh”.

Dhe më pas shtoi: “Ai tha se i kujton të varfrit dhe shpresoj që kujtimi i të varfërve nuk është vetëm bamirësi, por drejtësi, drejtësi sociale. Nuk ka të bëjë vetëm me dhënien e parave për një lypës në rrugë, por ka të bëjë me fuqizimin e klasës punëtore. Mendoj se kjo u nënkuptua në fjalët e tij”.

Luciano Ligabue nuk e fsheh se i bëri shumë përshtypje takimi: “Papa mbajti një fjalim të bukur, ishte vërtet emocionuese të ishe në kontakt me të dhe të dëgjoje fjalët e tij. Papa duhet të jetë një urë lidhëse midis andej-këtej dhe unë e shoh atë si një përfaqësues të madh, u emocionova shumë”.

Një tjetër artist, Manuel Agnelli, ishte gjithashtu në Vatikan: “Nuk e prisja kurrë një ftesë të tillë, megjithatë duhet të them se në fund fjalimi që bëri Papa, përtej përmbajtjes shpirtërore, ishte gjithashtu një diskurs politik shumë i fortë, sepse legjitimimi i figurës së njerëzve të kulturës, të artistëve në një moment kur kultura në të gjithë botën është vënë në një cep nga qeveritë dhe institucionet, më dukej një mesazh shumë i fortë dhe i domosdoshëm”, është shprehur artisti, duke shtuar se falënderon Papën për fjalët e tij.

“Papa më goditi shumë sepse ai nuk dëshiron të konvertohet, ai dëshiron një dialog midis atyre që besojnë dhe atyre që nuk besojnë. Është një lajm i madh. Ka nevojë që besimtarët dhe jobesimtarët të bashkëpunojnë sepse bota po shkon shumë keq. Jemi në një botë kaq të pasigurt sa duhet të gjejmë një mënyrë për të folur me njëri-tjetrin, duke njohur dallimet”, tha regjisori Marco Bellocchio, një tjetër i pranishëm në dëgjesë.

Takimi me Papën “është një njohje e rëndësishme ndërkohë që qeveritë e këtij vendi, por jo vetëm, nxjerrin në gjyq intelektualët. Është një zgjedhje e guximshme sepse qeveritë po delegjitimojnë gjithnjë e më shumë intelektualët që ‘marrin pjesë’ duke i konsideruar ata ‘të njëanshëm’ ose ‘ideologjik’. Sikur sot të ishte legjitim vetëm intelektuali asnjanës. Të jesh këtu është një njohje shumë e rëndësishme në këtë fazë të vështirë për lirinë e shprehjes”, është shprehur shkrimtari Roberto Saviano. /Il Corriere della Sera/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë