Ngjarje

Dëmtohet statuja e Skënderbeut në Zvicër, reagon Ambasadori Mustafa Nano: Ka njerëz që shqetësohen prej atij busti

Në orët e para të mëngjesit të së shtunës është dëmtuar busti i heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu që ndodhet në Gjenevë, buzë liqenit, vetëm disa metra përballë zyrave të OKB, ka raportuar gazeta zvicerane në gjuhën shqipe Le Canton27.ch.

Komuniteti shqiptar në Gjenevë ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me rastin, ndërsa thonë se kjo nuk është hera e parë që dëmtohet busti i Skënderbeut. Një reagim i tille ka ardhur edhe nga ambasada shqiptare në Zvicër, e cila ka dënuar ashpër aktin dhe u ka kërkuar autorititeteve kantonale te zbardhet dhe të dënohen autorët e kësaj vepre të pahijshme.

“Në Gjenevë është dëmtuar busti i heroit tonë kombëtar, Skënderbeut. Nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë, çfarë të bën të mendosh se në Zvicër ka njerëz që shqetësohen prej atij busti e prej simboleve kombëtare shqiptare të ekspozuara në publik. Kryetari i Bashkisë së Gjenevës ka reaguar sakaq, duke shfaqur kështu ndjeshmërinë e vet ndaj provokimeve që synojnë të nxisin tensione mes grupeve e pakicave etnike në qytetin e tij, dhe ky është një sinjal i mirë që u dërgohet shqiptarëve të fyer prej këtij gjesti”, thuhet ndër të tjera në reagimin e ambasadorit shqiptar në Bernë, Mustafa Nano.

Ne vazhdim të këtij njoftimi thuhet se policia ka filluar hetimet, dhe se duhet të presim përfundimin e hetimeve, “me shpresën se akti në fjalë është thjesht një vandalizëm urban, sido që është vështirë ta heqësh mendjen prej skenarëve të tjera me sfond nacionalist e antishqiptar”.

Komuniteti shqiptar në Gjenevë thotë se është për të ardhur keq që ngjarje të tilla ndodhin në Zvicër, vendin shembull të bashkëjetesës në diversitet.

“Është për ardhur keq gjithashtu që ka njerëz, të cilët nuk kanë ardhur në Zvicër për të nxënë e përfituar prej modelit të saj, por për të shpalosur e nxitur paragjykime, mllefe e animozitete, me të cilat janë mbrujtur në vendin e tyre të origjinës".

Ambasada e Shqipërisë e dënon aktin në fjalë jo thjesht se ai ka synuar të lëndojë dinjitetin kombëtar të shqiptarëve, ka reaguar Nano, “por edhe se e sheh këtë si një akt jomiqësor ndaj Zvicrës, që me modelin e vet rreket të përcjellë mesazhin e harmonisë, e jo të përplasjes, ndëretnike”.

Kryetari i bashkisë së Gjenevës, Alfonso Gomez

Një reagim ka ardhur edhe nga kryetari i bashkisë së Gjenevës Alfonso Gomez i cili ka shprehur keqardhje për ngjarjen. Ai është shprehur i befasuar kur ka mësuar se eshte sulmuar statuja e Skënderbeut dhe ka shprehur mbështetjen ndaj komunitetit shqiptar

"E dënoj ashper këtë akt vandalizmi dhe shpreh solidaritetin me komunitetin shqiptar të Gjenevës”.

Busti i heroit kombëtar të Shqipërisë është përuruar në Gjenevë më 1 nëntor të vitit 1997 nga veprimtarë të shquar Astrit Leka dhe Zaim Jashari. Bustin e heroit kombëtar e mundësoi Zvicra në shenjë falenderimi dhe respekti ndaj kombit dhe komunitetit shqiptar në territorin helvetik, numri i të cilëve besohet se është mbi 300 mijë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë