Shendet

Pandemia shton shqiptarët me probleme të shëndetit mendor: Më shumë të rinjtë

“Isha e tmerruar kur mendoja se do të shkoja në një spital psikiatrik. Kisha dëgjuar gjëra të tmerrshme për spitalin psikiatrik dhe ata që shkonin atje dhe mendova se po të shkoja nuk do të dilja më kurrë.

Kur isha e vogël kam qenë shumë e ndrojtur dhe e tërhequr. Në familjen tonë unë isha vajza më e vogël pas dy vëllezërve më të mëdhenj.  Unë isha më e përkëdhelura e familjes.

Kur u rrita dhe u martova u përballa me probleme, që më parë as nuk i kisha menduar. Im shoq pinte dhe kaluam një periudhë të vështirë me shumë vështirësi ekonomike. Në këtë periudhë humba dhe fëmijën tim të parë.

Kjo ishte dhe koha kur fillova të kem shqetësime. Qaja shpesh dhe u mbylla krejtësisht në vetvete. Nuk më interesonte më asgjë. Kjo ishte hera e parë kur shkova në spital dhe që atëherë më duket se asnjëherë nuk e kam kapërcyer tamam këtë lloj gjendjeje.”

Ky është rrëfimi i L.M. një grua rreth të 50-ave, e cila vuan prej rreth 20 vjetësh nga shqetësime të shëndetit mendor.  E rritur dhe e martuar në një qytezë të vogël të Shqipërisë, ajo e ka pasur shumë të vështirë përballjen me opinionin publik dhe njerëzit, të cilët shpesh i dukej se e gjykonin.Tani ajo jeton në Tiranë, ku është zhvendosur së bashku me bashkëshortin dhe vajzën e saj, e cila është për të një lloj pike reference për t’u përshtatur me të përditshmen.

“Kur jam mirë ndjehem e qetë. Bëj të gjithë punët e shtëpisë dhe dal shëtitje me vajzën. Por kur jam e sëmurë, nuk arrij të çohem as nga krevati. Nuk mundem madje as të ha e jo më të bëj gjë tjetër. Kam dhimbje të mëdha koke dhe shpesh edhe ndjesinë sikur nuk mbushem dot me frymë”, - rrëfen ajo, teksa tregon se prej disa vitesh është bërë totalisht e varur nga ilaçet, dhe  herë pas here i kthehet edhe pavionit të spitalit, ku qëndron e shtruar për disa kohë.

Kjo situatë nuk është e vështirë vetëm për të, por edhe për vajzën dhe bashkëshortin.

“Edhe pse jam rritur nuk arrij dot të shmang ndjenjën e ankthit dhe shqetësimin që më kap sa herë që mamin e kap ndonjë krizë apo zhytet në gjendjen e saj të errët. Mendoj se ajo duhet të shëtisë më tepër, të komunikojë më tepër me njerëzit dhe të mos shqetësohet aq shumë për gjërat. Çfarë nuk do të jepja që ajo të ishte mirë”, shprehet E. , e cila sot është 23 vjeçare.

Ajo kujton se edhe më e vështirë ka qenë për të kur ishte e vogël dhe dëgjonte komshinjtë të shpreheshin me keqardhje për të ëmën apo më keq ta etiketonin si “e lënë nga mendja”.

“Kjo ishte goditëse për mua dhe mendoja se nuk ishte e drejtë. Herën e parë që dëgjova për mamin si “të sëmurë nga trutë” u trondita. Mami kishte ikur në spital, ndërsa dy komshije tonat po bisedonin mes tyre.”, kujton E.

Edhe sot ajo e ka të vështirë të flasë për të tilla momente, megjithësemendon se mentaliteti i shoqërisë fatmirësisht ka ndryshuar disi, ose të paktën nuk e ndien se njerëzit në Tiranë janë aq paragjykues.

Historia e L. është vetëm një nga shumë historitë dhe përjetimet personale e njerëzve që përballen me probleme të shëndetit mendor.

Pikërisht 10 tetori shënon Ditën Botërore të Shëndetit Mendor dhe Shoqata Shqiptare e Analizës në Grup (AGSH) organizoi  në Parkun e Liqenit të Tiranës një aktivitet ndërgjegjësues me qytetarë të Tiranës.

Jetojmë në një kohë, e cila na sjell më pranë rezistencave tona për të pranuar se nuk kemi kontroll mbi atë që ndodh jashtë nesh. Izolimi social në kushtet e pandemisë prej COVID-19 aktivizoi frikëra dhe ndjesi të cilat tronditën ekuilibrat tanë të brendshëm. Tashmë, endemi mes dilemave për të kuptuar atë që s’mundemi. Çfarë po ndodh me ne?”,-tha një prej përfaqëseseve të shoqatës.

Sipas psikiatres Arjana Rreli problemet e shëndetit mendor në Shqipëri janë shtuar së fundi. “Kjo vërehet jo vetëm në përditshmërinë tonë, pasi ngarkesa shtohet çdo ditë më tepër, por dhe krahasimisht me çfarë kemi përballuar në vitet e mëparshme, sidomos në çregullime të ankthit, që janë çrregullime minore, por hasen rëndom në popullatë”.

Arsyet për shtim të problemeve të shëndetit mendor, psikiatrja i lidh me situatën e COVID-19, si dhe me faktorë stinorë.

“Pranvera apo vjeshta kërkojnë një lloj përshtatjeje të organizmit dhe si rrjedhojë mund të shpërthejnë lehtësisht mekanizmat e ankthit”. 

Rreli tregon se problemet më të shumta, që ajo ka hasur gjatë punës së saj si psikiatre janë çrregullimet e ankthit, porse në të gjithë spektrin e problemeve të shëndetit mendor nuk mungojnë edhe probleme të tjera të lidhura me çrregullime të humorit, me çrregullime të të menduarit, të personalitetit etj.

Edhe sipas psikologut Ervin Hajdaraga, i cili shërben në Spitalin Infektiv pandemia e koronavirusit po kontribuon në shtim të rasteve me problemeve të shëndetit mendor.

Sipas tij, të sëmurët kalojnë stres para se të shtrohen në spital, ndërsa gjatë trajtimit u shtohet frika për jetën dhe e kanë të nevojshme praninë e psikologut.

“Kanë pagjumësi, mbartin stres para se të vijnë në spital dhe kjo sjell një gjendje shumë të rënduar. Por, me kalimin e ditëve kanë nevojë të flasin dhe kjo bën që ata të shkarkojnë emocionet”.

Specialistët e shëndetit mendor i bëjnë apel popullatës që vizitat te psikologu apo mjeku psikiatër duhet t’i konsiderojnë normale, veçanërisht në këtë periudhë. Gjatë këtyre muajve kur vendi po përballet me pandeminë e COVID-19, dy pacientë të shtruar në Sanatorium dhe në gjendje të rënduar psikologjike i kanë dhënë fund jetës.

Sipas mjekëve, 1 në 2 persona po përjetojnë ankth për shkak të frikës nga virusi dhe pasojave që mund të shkaktojë ai.

Të rinjtë më të prekurit

Grupmosha më e prekur nga probleme dhe sëmundje të shëndetit mendor është ajo aktive, nga 20-50 vjeç.  Ndërkohë, situata nga pandemia, sipas specialistëve, po përjetohet më keq nga të rinjtë e moshës 20-30 vjeç.  Sipas shkencëtarëve, pavarësisht se ende nuk ka studime të sakta, gjatë tre muajve të fundit është vënë re se koronavirusi shkakton pasoja në sistemin nervor të të prekurve. COVID-19 ndikon drejtpërdrejt në tru, duke krijuar jo vetëm dëmtime, siç është iktusi, por dhe çrregullime madhore të humorit apo çrregullime të mendimit, si deluzionet dhe psikozat.

Pse të rinjtë ?!

Sipas psikiatres Rreli është normale, që grupmosha aktive, 20-50 vjeç të jetë më e prekur nga probleme të shëndetit mendor, pasi “kjo është grupmosha që merr më tepër përgjegjësi dhe përjeton pasiguri, konflikte në vendin e punës etj.”

Megjithatë, ajo nënvizon se vitet e fundit është vënë re një shtim i madh i rasteve me ankth edhe te adoleshentët. Sipas psikiatres, kjo grupmoshë është mosha më e rrezikuar, jo vetëm përsa i takon përdorimit të substancave të ndryshme, por edhe sepse adoleshentët në shumë raste hasen me problematika të mëdha brenda familjes shqiptare.

“Pa dashur, familja i transferon konfliktet e saj dhe bën që adoleshentët të preken më tepër emocionalisht.”

Edhe përdorimi pa kriter i teknologjisë është një faktor, që ndikon negativisht në këtë drejtim.

“Të rinjtë qëndrojnë shumë më tepër pranë mjeteve të tyre elektronike, duke rritur nivelin e ankthit për shkak të përdorimit të tyre. Përdorimi i këtyre mjeteve elektronike dhe internetit, në jo pak raste servir modele dhe ideale, që nganjëherë krijojnë konflikte shumë të mëdha brenda individit, duke e predispozuar në shqetësime, që kanë lidhje me shëndetin mendor.”

Por në këtë periudhë edhe grupmosha e tretë ka përjetuar shqetësime të shëndetit mendor.

“Me rastin e pandemisë pamë se edhe grupmosha e tretë nuk u kursye të paktën nga çrregullimet e ankthit. Ishte kjo grupmoshë që u përball me imazhe, rrezikun imediat dhe kërcënimin e drejtpërdrejtë nga kjo pandemi, që mund t’u krijonte probleme deri në vdekje.”, shpjegon psikiatrja.

Imazh ilustrues

Në botë

Sigurisht çështja e shëndetit mendor nuk është vetëm një problem i shoqërisë shqiptare.

 “Nga afër askush nuk është normal”.  Kjo logo e Organizatës Botërore të Shëndetësisë i referohet shëndetit mendor dhe problemeve që gjithkush prej nesh mund të përjetojë në këtë drejtim.

Situata në të cilën po kalon gjithë bota për shkak të pandemisë së koronavirusit e bën edhe më të prekshme çështjen e shëndetit modern.

Për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, shëndeti mendor është shprehje e mirëqenies. Aktualisht mendohet se 10-20 % e adoleshentëve në mbarë botën vuajnë nga gjendje shëndetësore mendore të pamjekuara e të padiagnostikuara. Ndërmjet problemeve më të mprehta janë shqetësimet emotive, sjelljet foshnjore, shqetësimet ushqimore, psikozat, vetëplagosja dhe sjelljet, që vënë në rrezik vetë jetën.

Specialistët e shëndetit mendor nëse Covid-19 do të jetojë gjatë me ne, kura prioritare nuk do të jetë ajo për virusin, por për shëndetin mendor të njerëzve.

Pa statistika të qarta

Në Shqipëri nuk ka të dhëna dhe statistika të plota e të qarta  për të prekurit nga probleme të shëndetit mendor.

“Në fakt, në Shqipëri u referohemi ende statistikave që na vijnë nga bota dhe dihej që 1 në 4 persona do të kishte problematika të shëndetit mendor në vitin 2020, viti kur këto sëmundshmëri të shëndetit mendor do të ishin në vend të parë, për t’u pasuar nga problemet kardiologjike e të tjera.”, shprehet psikiatrja Arjana Rreli.

Kujdesi për shëndetin mendor është megjithatë në strategjitë dhe politikat e Ministrisë së Shëndetësisë.  Kështu në Tiranë ka tre qendra komunitare të shëndetit mendor, që mbulojnë të gjithë rajonet e Tiranës me shërbime.

“Për hir të së vërtetës këto qendra kanë një mbingarkesë, përsa i takon sa pacientë ka një mjek në trajtim, por edhe përsa i takon stafit.”, - pohon Rreli.

Një rol të rëndësishëm në këtë hallkë zë edhe mjeku i familjes, pasi “ai supozohet të dijë mirë problematikat e banorëve që ka në zonën e vet mund të bëhet një promotor i mirë, jo vetëm për të promovuar shëndetin mendor, por edhe për të kapur në kohë probleme për të mos i degraduar në ekstreme.”

Aktualisht problemet e shëndetit mendor trajtohen në mënyrë të specializuar në 13 Shtëpi të Mbështetura, 9 Qendra Komunitare të Shëndetit Mendor, 4 shërbime të specializuara të shëndetit mendor me shtretër dhe 2 qendra ditore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë