Drejtësia

Padia ndaj Dados, Veliaj kërkesë Administratives: Transmetoni ‘live’ seancat

Gazeta Si – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka paraqitur një kërkesë zyrtare pranë Gjykatës Administrative për transmetimin “live” të seancave gjyqësore në procesin ndaj prokurorit të SPAK, Ols Dado.

Në kërkesë, Veliaj argumenton se parimi i transparencës së gjykimit duhet të garantohet në mënyrë reale dhe efektive, përmes lejimit të transmetimit të drejtpërdrejtë të seancave për publikun. Sipas tij, kufizimi aktual në ndjekjen fizike të seancave nuk përmbush standardin e transparencës që kërkon ligji.

Një nga argumentet kryesore lidhet me praktikën e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila tashmë transmeton live seancat publike, si standard për garantimin e transparencës dhe aksesit të qytetarëve në drejtësi.

Sipas Veliajt, kjo praktikë duhet të shërbejë si model për të gjitha gjykatat, pasi tregon se transmetimi i drejtpërdrejtë është plotësisht i pajtueshëm me solemnitetin dhe zhvillimin normal të procesit gjyqësor. Gjithashtu, është edhe një detyrim ndaj publikut dhe atyre që e kanë besuar dhe votuar Veliajn tri herë rresht, për të mësuar në kohë reale çdo fakt e të vërtetë rreth tij.

Ai thekson se, për shkak të funksionit të tij publik, interesit të lartë që mbart çështja, personave të shumtë të interesuar, aplikimi i një standardi më të kufizuar nga gjykatat e tjera do të cenonte të drejtën e publikut për të përçuar zhvillimin e çështjeve, besimin e publikut dhe do kompromentonte qëllimet e këtyre proceseve.

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka paditur në Gjykatën Administrative pavlefshmërinë sipas tij të dekretit të vitit 2008 të presidentit të Republikës së asaj kohe (Bamir Topi), për emërimin e prokurorit Olsi Dado.

Sipas tij, kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me një emërim individual, por prek një parim themelor: ligjshmërinë e burimit të pushtetit publik.

Veliaj ka kërkuar edhe në ILD dhe KLP procedimin disiplinor ndaj prokurorit Ols Dado, lidhur me shkeljet që pretendon se ka kryer në shqyrtimin e çështjes penale në ngarkim të tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë