Mendim

Një udhëtim në Washington: Kosova shkon në negociata për të cilat nuk di gjë

Nga Veton Surroi - Kosova tregohet konsekuente duke shkuar në negociata për të cilat nuk di gjë. Të njëjtën gjë e bëri në dhjetëvjetëshin e kaluar në Bruksel
1.
Një gjë dihet rreth takimit të ardhshëm në Shtëpinë e Bardhë në Washington, nëse mbahet më 4 shtator, ku janë të ftuar kryeministri i Kosovës dhe presidenti serb, Vuçiq. E ajo është se nuk dihet shumë, bile nuk dihet as pak.
Në fakt, ajo çka mund të dihet ndërtohet si deduksion prej mohimeve.
Pra, jo, ky nuk është proces i veçantë negociator, thotë ndërmjetësi i veçantë amerikan, Grenell, dhe sipas fjalëve të tij, takimi duhet të jetë një lloj mbështetjeje për procesin që zhvillohet në Bruksel, me ndërmjetësim të BE-së.
Pra, jo, ky nuk është takim ku diskutohet dhe dakordohet marrëveshja përfundimtare për normalizim Kosovë-Serbi. Kështu thotë ndërmjetësi Grenell dhe kështu pohon edhe presidenti Vuçiq.
Pra, jo, ky nuk është takim për të cilin është dakorduar njëri prej anëtarëve të koalicionit qeverisës, kryetari i AAK-së, i cili mendon se në Washington duhet nënshkruar marrëveshjen përfundimtare.
Dhe, pra, jo, ky nuk është takim ku palët e ftuara dinë saktësisht se çka do të diskutojnë. Kyeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë nuk kanë në duar një draft-ide të ofruar nga ndërmjetësi. Që të dy deklaruan pak a shumë se do të shkojnë në Washington për të folur ‘diçka për ekonomi’.
2.
Po ashtu, nuk dihet pse një administratë e cila nuk ka zhvilluar negociata mes Kosovës dhe Serbisë në katër vjet, do të bëjë gjë në fund të mandatit.
Apo nuk dihet, ndoshta a ka zhvilluar negociata apo jo. Herën e fundit në Shtëpinë e Bardhë kanë qenë presidentët Thaçi e Vuçiq, dhe sipas prononcimeve publike të presidentit Thaçi e aktorëve të tjerë politikë, në takimin e ardhshëm, i cili do të zgjaste tri ditë - nëse ndërrohet një këmishë në ditë - do të arrihej marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.
Pra, nuk dihet se a do t’i paraqitet kryeministrit Hoti një copë letre tashmë e dakorduar prej presidentit Thaçi muaj më parë, para se të shpërthente pandemia.
Administrata amerikane e fundit, e cila u përpoq të arrinte një marrëveshje mes palëve negociatore në fund të mandatit ishte ajo e presidentit Clinton, që mblodhi Izraelin e Palestinën, kryeministrin Barak dhe liderin Yasser Arafat. Aty u paraqit një draft të cilin palët e kishin parë në forma të ndryshme me vite të tëra. Dështoi, dhe njëra prej arsyeve ishte se bëhej në fund të mandatit.
Izraeli ishte sërish objekt negociatash në fund të mandatit, tash e kësaj administrate. Fillimisht nga Washingtoni iu akordua unilateralisht e drejta që kryeqyteti i Izraelit të jetë Jerusalemi, e pastaj edhe e drejta e aneksimit të një pjese të territoreve të pushtuara palestineze. Në negociatat Izrael-EBA, u bë prova e suksesshme e legjitimimit të së drejtës së aneksimit të territoreve dhe me shumë gjasa, Izraeli e Palestina u larguan edhe disa hapa prapa prej paqes.
Në fushatë zgjedhore amerikane, kjo mund të shitet si sukses. Sikur që mund të shitet si sukses çfarëdo që të nënshkruajnë Kosova dhe Serbia në Shtëpinë e Bardhë, qoftë edhe marrëveshje të ngjashme të ndërmjetësuara nga Grenell, që janë letra qëllimesh –letters of intent - për një linjë ajrore “low cost” mes Prishtinës e Beogradit, transportin hekurudhor apo kështu me radhë.
3.
Çfarëdo letre që kanë nënshkruar Kosova dhe Serbia ka koston e vet të presedencës diplomatike, është një shenjë e qartë leximi se ku gjenden shtetet dhe ku gjendet procesi. Në Bruksel, Kosova dhe Serbia nënshkruan Marrëveshjen e Parë –pastaj dhe të tjerat - dhe për një dhjetëvjetësh, Kosova është paralizuar duke u marrë me pasojat. Tash paralajmërohet që ndërmjetësimi i z.Lajçak do të merret edhe me zbatimin apo mungesën e zbatimit të marrëveshjeve të kaluara.
Por, edhe pa nënshkruar gjë, që tani krijohen presedenca. Pas një dhjetëvjetëshi negociatash jo shumë produktive ndërmjetësuar nga Brukseli, në të cilat Kosova hyri pa e pasur një kornizë të qartë parimesh e afatizimesh dhe në fund caqesh, ajo që tani, ka treguar se është e gatshme ta ripërsërisë. Pra, që tani, Kosova ka pranuar që të shkojë në Washington pa ditur se për çka do të bisedohet, pa ditur se cilat do të jenë parimet prijëse të këtij procesi dhe me çfarë afatesh. Dhe në deklarata kundërthënëse brenda Qeverisë, nuk është krejtësisht e qartë a po shkon të hapë një proces paralel në Washington që do të ishte paralel me atë të Brukselit, apo madje edhe duke e anuluar fare atë të Brukselit?
Ende pa hipur në avion, Kosova zyrtare ka treguar se nuk di pse shkon, nuk di çka kërkon saktësisht në atë takim, por di se e do shpejt.
Qeveria e Kosovës e zë veten duke përsëritur, në formë ultimative, se do të marrë pjesë vetëm në negociata përfudimtare mes dy shtetesh të barabarta. Por, me ftesën e parë, pranon të shkojë të bisedojë ‘diçka për ekonomi’.
4.
Në fakt, shkuarja e Kosovës në të panjohurën e Washingtonit ka vetëm një indikator të qartë - e ai është besimi i pafund dhe i pakufizuar nga racionaliteti, besimi që ka një shumicë e kosovarëve e shqiptarëve në përgjithësi ndaj SHBA-ve për shkak të rolit të saj të çlirimtarit. Në këtë besim, SHBA-të nuk janë administrata, njerëz të gjakut e mishit me të gjitha të mirat e të këqijat, politika që ndërtohet nga raporti i forcave shoqërore në vend - konflikte të panumërta narracionesh të njerëzve e interesave të tyre. Në këtë besim, SHBA-të marrin formë hyjnore, një krijesë omnipotente që rri si kujdestare e së mirës së kosovarëve.
Ky besim nuk flet për SHBA-të. Flet për Kosovën dhe kosovarët, të cilët duke mos pasur besim në veten, mendimin e vet kritik dhe kapacitetin për të mbrojtur interesat e veta, këtë kërkojnë t’ia dorëzojnë një fuqie hyjnore - në këtë rast atë që konsiderojnë se janë SHBA-të, administrata e tanishme, e cila mund të hyjë në histori si ndër më të dobëtat për një kohë shumë, shumë të gjatë.
Kështu, thellë-thellë qeveritarët kosovarë mund të përfundojnë duke besuar se punën e tyre duhet ta kryejë R.Grenell, si kujdestari në detyrë për interesat e Kosovës. Atëherë të tjerët - popullata e Kosovës, diplomatët perëndimorë, vetë ndërmjetësit amerikanë - mund të përfundojnë me pyetjen se përse janë të nevojshëm, përse ky udhëtim për në Washington?/ koha.net


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë