Gazeta Si – Dëshmia në GJKKO e Kleviol Ahmetit, reperi dhe tiktokeri i njohur si “Cllevio”, u shty pasditen e kësaj të enjteje për në 10 qershor, në procesin ndaj të akuzuarve si pjesë e një grupi kriminal të drejtuar nga Laert Haxhiu, i cili njihet ndryshe edhe si kreu i bandës së Lushnjës.
Seanca u shty për shkak se munguan disa prej dëshmitarëve, mes të cilëve edhe Rigels Rajku, i njohur me emrin Noizy, ndaj të cilit Laert Haxhiu dyshohet se urdhëroi shpërthimin me 1 kg tritol në lokalin e tij në Durrës, si hakmarrje për dhunën ndaj shokut të tij, Cllevio.
Ky i fundit ishte sot për të dhënë dëshminë e tij para togave të zeza. Pas shtyrjes së seancës ai foli për mediat, ku tha se ai ishte palë e dëmtuar në këtë proces pasi ishte dhunuar fizikisht nga Noizy.
Ai pati deklarata edhe më të rënda, duke pretenduar se qarkullon me makinë të blinduar, pasi sipas tij, Noizy është i gatshëm të paguajë para për ta eleminuar fizikisht. Më tej, shtoi se për këtë gjë ka dijeni edhe reperi tjetër, Stresi.
“Nuk kemi pasur konflikt, jemi prekur fizikisht… Që më ka gjuajt, më ka gjujt, më çuan te burgu. E kanë gjuajtur këtë me tritol, ku di unë ça problemesh ka ky, me kë i ka ky…? Nuk e di sesi i kam marrëdhëniet me të. Eci me blinda nga frika e Noizy-t se paguan lekë ai për të më vrarë. I kam raportuar, i di edhe Stresi. Nuk kam bërë kallëzim se nuk m’i merr njeri parasysh. Nëse ka ndonjë prokurori që m’i merr parasysh unë firmos. Kam patur konflikt me Noizy-n, e kam sharë në mënyrë artistike, siç na ka sharë dhe ai ne… Jo vetëm diss, por edhe në rrjete sociale. Sharje nga robt, siç shahen në parlament”,- u shpreh reperi mes të tjerash.
Cllevio i ka bërë thirrje Noizyt që të marrë pjesë në seancat gjyqësore, duke u shprehur më tej se mungesa e palës tjetër e shtyn procesin dhe se ai vetë është paraqitur rregullisht sipas thirrjes së togave të zeza.
Dy javë më parë ishte Bashkim Rajku, babai i Rigels Rajkut, “Noizy”, që dëshmoi në procesin ndaj 9 të pandehurve, të akuzuar si pjesë e një grupi kriminal të drejtuar nga Laert Haxhiu.
Rajku tregoi mbi shpërthimin e një sasie tritoli në një biznes në pronësi të tij në Durrës, në qershor 2022, nga i cili u shkaktuan vetëm dëme materiale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje