Mendim

Një lider për sot

Nga Alberto Andreu Pinillos* -Nuk është koha për lider të vegjël. Kur gjërat ecin mirë, vlen kushdo që nuk ngatërrohet shumë, sepse më e keqja që mund të bëjë është të humbasë mundësitë për të përmirësuar gjërat. Por kur gjërat vështirësohen, kur përballë është një problem serioz, një nga ata probleme ku mund të rrezikohet jeta, aty nuk ka vend për gabime; aty duhet ditur të jesh një lider dhe të dish si hidhet një hap përpara.

Gjatë jetës sime profesionale, e cila nuk është e vogël, kam pasur fatin të njoh njerëz “të lartësive” të ndryshme. Kam qenë në gjendje të kuptoj se liderët janë ata që në thelb kanë katër gjëra: një projekt ide, menaxhojnë besimin, dinë të trajtojnë atë që shpesh quhet “politikë” dhe të dinë të identifikojnë natyrën e çdo problemi. Por si?

Projekt ideja
Liderët e mirë janë në gjendje të përmbledhin një projekt kompleks në një ide të fuqishme, në një qëllim transformues. Ëinston Churchill bëri premtimin për të luftuar nazizmin me slloganin: I have nothing to offer but blood, toil, tears and sëeat (Unë nuk mund të ofroj asgjë tjetër, përveç gjakut, përpjekjes, djersës dhe lotëve). Martin Luther King bëri diçka të ngjashme me I have a dream (unë kam një ëndërr), një thirrje për lirinë e komunitetit afro-amerikan në Shtetet e Bashkuara. Në fushën e biznesit e bëri Steve Jobs, me Think Different (Mendo ndryshe), për të thënë se Apple ofroi një formulë ndryshe për të kuptuar teknologjinë. Ka shumë shembuj… por të gjithë kanë një fije të përbashkët: një ide e fuqishme për një projekt kompleks dhe iluzionues.

Menaxhimi i besimit
Larg asaj që disa mendojnë - se besimi është diçka e paprekshme, e bazuar në ndjenjën personale - besimi në botën profesionale dhe në jetën në përgjithësi, është krejtësisht i prekshëm dhe i menaxhueshëm. Për ta bërë këtë, duhet të bëni pak gjëra, por të qarta: të arrini rezultate; mbani fjalën e dhënë; të përmbushni angazhimet e bëra; të jeni transparent në procese; t’i bëni gjërat në mënyrë të arsyeshme; silluni me ndershmëri; dhe, mbi të gjitha, mos abuzoni me besimin që të tjerët vendosin tek ju. Shkurt: në jetën publike dhe profesionale, vlejnë të njëjtat kritere si në nivelin personal: ne u besojmë atyre njerëzve që nuk na dështojnë dhe që nuk na mashtrojnë. Kaq e thjeshtë është.


Trajtimi i politikës
Më 1927, Ortega y Gasset përcaktoi politikanin në një mënyrë mjeshtërore. Për të, një politikan është ai që ka inteligjencën natyrore dhe instinktin për të pajtuar të papajtueshmen. Nuk kam si qëllim të interpretoj Ortegan, por, për t’u kuptuar, menaxhimi i politikës në çdo organizatë nuk është asgjë tjetër përveç pajtimit të interesave legjitime konkurruese. Dhe për këtë duhet të dish se si të dëgjosh; të kuptosh dilemat e tjetrit; të heqësh dorë nga mbiemri; të menaxhosh armiqtë; të mos fitosh me penallti, t’i njohësh fitoren rivalit; të mos ecësh aq shpejt sa, në dëshirën për të vrapuar sa më shumë, të prishësh unitetin; të përcaktosh një hartë të përbashkët dhe respektojeni atë; bini dakord për pikat e përbashkëta (dhe për ato jo); dhe mbi të gjitha, kurrë mos i prishni urat personale dhe gjithmonë lini disa dyer të hapura.

Në një vizatim të mrekullueshëm nga Máximo, botuar shumë vite më parë në El País, me të cilin hapet ky artikull (dhe të cilin e kam mbajtur në tavolinën time për një kohë të gjatë) këto cilësi u pasqyruan shumë mirë. Në atë vizatim, lexohet ky dialog mes dy bashkëqytetarëve (për të reflektuar, kuptuar, mençurinë popullore):

- Nëse të mbështet vetëm 50%, nuk mund të qeverisësh sikur të ka mbështetur 100% - thoshte i pari.
- Dhe?- e pyeste tjetri.
- Duhet të qeverisësh me një skonto 49% mbi ëndrrat e tua të lavdisë – iu përgjigj i pari.
- Dhe?- ia ktheu sërish tjetri.
- Vetëm atëherë do të sundosh për 100% -  përfundoi i pari.

Si përfundim: administrimi i politikës nuk është gjë tjetër veçse të heqësh dorë nga një pjesë e aspiratave tuaja për të integruar një pjesë të atyre të të tjerëve.

Identifikimi i natyrës së problemeve
Dhe le të përfundojmë duke folur për identifikimin e natyrës së problemeve. Edhe pse kjo mund të duket si një çështje e vogël, e kam të qartë se identifikimi i mirë i natyrës së problemeve për një lider është aq thelbësore si për një mjek që të përcaktojë diagnozën e duhur të sëmundjes. Një diagnozë e saktë të ofron trajtimin e saktë; një identifikim i mirë i problemit, ndihmon të merren vendime të duhura.

Përvoja më ka mësuar që ka modele të zakonshme të gabimeve në identifikimin e problemeve. E para është se ngatërrojnë problemet e menaxhimit me problemet e komunikimit; shumë lider (të këqij), të paaftë për të kritikuar veten dhe për të njohur gabimet e tyre të drejtimit, priren të fajësojnë mjetet e komunikimit; dhe ata nuk e kuptojnë që faktet komunikojnë vetë më shumë sesa fjalët. Një gabim tjetër i zakonshëm është që t’ia atribuojnë gabimet e mungesës së bashkëpunimit të tyre marrëdhënieve të këqija personale, kur, si rregull i përgjithshëm, ky problem është për shkak të ekzistencës së tuneleve organizative të krijuar nga sistemet e kontrollit, stimulimit, buxhetimit dhe alokimit të burimeve. Në fund, një gabim tjetër tipik është te mendimi se duke ndërruar (ose duke pushuar) njerëzit rregullohet problemi, në vend që të mendohet se, nëse nuk ndryshohen mënyrat e të bërit të gjërave, kushdo që do të vendoset në atë pozicion do të dështojë.

Ky është vizioni im për drejtuesit që na duhen sot. Nuk është një apel për ndonjë në veçanti. Është një thirrje për të gjithë në përgjithësi. Sfida me të cilën përballet bota dhe Europa në përgjithësi, është aq e jashtëzakonshme saqë është më mirë për ne që të kemi liderë me aftësi për ta ecur përpara. Përndryshe… preferoj të mos mendoj për këtë.

*Alberto Andreu Pinillos, Profesor i Fakultetit Ekonomik


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë