Mendim

Nevoja për një moral të ri seksual në kohën e internetit

Nga Zhaklin Lekatari- Sot seksualiteti ka nevojë për një moral të ri dhe ndërtimi i këtij morali është detyrë qytetare. Është e rëndësishme që të bëjmë një gjë të tillë, sepse nëse nuk e bëjmë ne, do e bëjë tregu kaotik në të cilin veprojmë.

Morali i ri nuk duhet të jetë larg realitetit në të cilin jetojmë i cili po plazmohet dhe modelohet gjithnjë e më shumë nga teknologjia dhe zhvillimet e saj dinamike. Për shembull, nuk mund të  krijojmë një moral të ri që nuk merr parasysh faktin që tashmë çdokush mund të xhirojë me telefon momentet e dikujt tjetër dhe t’i  shpërndajë ato në botën virtuale të internetit. Kur një video bëhet virale, kjo ndodh sepse ajo merr vëmendjen e publikut,  e miliona personave,  dhe të gjithë e dimë tashmë që komentet ndaj një video-je virale mund jenë masakruese. Megjithatë është pothuajse e pamundur sot ta zhdukësh si dukuri. Djemtë e klasës që xhirojnë një tjetër djalë në klasë që është i pafat, apo  momente intime që ke kaluar me të dashurin që më pas shpërndahen në faqe për adultë. Ajo që më parë qëndronte e mbyllur dhe në rrethin e ngushtë, sot përfshin gjithë njerëzit që kanë një lidhje me internetin.

Zhaklin Lekatari

Po çfarë mund të bëjmë ? Çfarë mund të themi ? Mund të çensurojmë një person sepse tall dikë tjetër ? A mund ta bëjmë këtë dhe me gjithë komentet agresive me të cilat përballemi në rrjet ? E vështirë për t’u bërë dhe unë këtë e di mirë, sepse kjo situatë është tashmë një realitet. Disa mund të mendojnë që është një realitet depresiv sepse tregon një pasqyrim të trishtë, por në fund është realiteti që kemi,  realiteti që kemi krijuar dhe askush nuk i ikën dot realitetit  vetëm sepse nuk e pëlqen.

 Ndërkohë nuk duhet të harrojmë gjithë bisedën mbi seksualitetin e cila duhet të përballet me këtë realitet, një bisede  që mundet  por dhe duhet të zhvillohet.  Shumë prej jush do pyesin: po pse kemi nevojë pë një moral të ri rreth seksit ? Pse morali i vjetër nuk përkon me realitetin ? Sepse të gjenerosh një moral të ri do të thotë të luftosh dhe moralizmin apo tendencën e shëmtuar për të gjykuar me standarde të dyfishta, me kritere të ndryshme gjykimi. Një shembull shumë i mirë mund të jetë gjykimi që e bën “kurvë” një grua e cila përfundon në rrjet duke bërë seks me të dashurin e saj. Tani, pjesa më e madhe e njerëzve e duan seksin. Atëherë pse kur shohim një grua që e bën e dënojmë ? Kush është ai që nuk e praktikon këtë aktivitet ? Seksi ka një natyrë eksituese dhe pavarësisht çdo rregulli, seksi krijon aksion dhe energji  pikërisht nëpërmjet eksitimit. Prandaj,  çfarë kuptimi ka të gjykosh çdo sjellje apo çdo akt seksual i cili ka si qëllim rritjen e eksitimit ? Pse të gjykojmë te të tjerët atë që bëjmë dhe ne vetë ? Të gjithë burrat dhe gratë ( pothujse të gjithë) e praktikojnë seksin. Të gjithë ata që kanë dhe role të tjera shoqërore, si mami, babi, djali, vajza, tezja, halla. Duhet të mësohemi që ta marrim për të mirëqënë këtë gjë dhe ta zbatojmë në jetën tonë të përditshme. Pikërisht për këtë arsye na duhet një moral i ri kolektiv. Doni prova të tjera që të bindeni për nevojën e një morali të ri të përbashkët ? A mund ta pranojmë pedofilinë ? Po seksin me kafshë ? Po seksin me të vdekur  ? Jo për gjë, por në Kanada ka ndryshur ligji për seksin me kafshë i cili lejohet nëse nuk ka penetrim. Në disa shtete në USA nuk lejojnë seksin oral, por lejojnë seksin me të vdekur. Në shumë vende të botës lejohen martesat me të mitura dhe kjo është totalisht e ligjshme.

Prandaj çështja e seksualitetit është shumë e rëndësishme dhe serioze. Për këtë arsye duhet ta trajtojmë në mënyrë që të krijojmë një moral të ri që të jetë i pranueshëm, që të jetë në koherencë me botën reale dhe i pranueshëm ligjërisht. Pa këtë lidhje të qënësishme, morali do të shndërrohej në shtypje dhe represion duke mos u trajtuar si një sjellje homogjene dhe bashkuese.

Në ditët e sotme, te seksi shohim një përballje me moralin  që do mundohem të grupoj sa më qartë:

  1. Morali puritan: që vjen nga morali borgjez i viteve’800 që pranon një ndarje të qartë midis asaj që është publike dhe private.
  2. Morali libertarian: ku seksi është i hapur ndaj çdo lloj deformimi pornografik dhe lira e individit nuk ka kufij.
  3. Morali progresiv: Ka marrë një pjesë të mirë  të moralizmit nga morali puritan, por publikisht mbron lirinë e sjelljeve seksuale, duke mësuar privatisht një lloj “common sense”.

Çështja që më duket më e rëndësishme është fakti që morali që rrjedh nga mësimet xhudaiko-kristiane ( që janë baza e çdo vendi perëndimor apo të zhvilluar) apo fetare ( në shtete sekulare), ndonëse në rënie, ndonëse kryesisht maskiliste dhe paragjykues, reziston ende sot pavarësisht goditjeve që merr nga të gjitha anët. E thënë me fjalë të thjeshta, një pjesë e mirë e shoqërisë ka shkuar përtej këtij morali, duke u kthyer në realitet dhe duke mos qenë më e margjinalizaur apo në kufijtë e shoqërisë ( shiko dokumentarin mbi  papa Franceskon dhe deklaratat e tij). Kjo sjellje i bën të pavlefshme ato moralizma apo ato gjykime që kam përmendur deri tani.

Në ditët e sotme nëse hyn në ndonjë sexy shop (ose Loveshop si quhen disa prej tyre sot), në USA, Angli, Itali, Francë, do të shikosh hapësira të pastra, miqësore, ku zhvillohen takime kulturore mbi seksualitetin dhe gjithëpërfshirjen në edukim seksual. Gjen persona dhe vende në të cilat mund të pyesësh, mësosh, këshillohesh,  për njohuri por dhe për aksesorin e duhur që do të të ndihmojë ty dhe marrëdhënien tënde.  I gjithë ky informacion dhe kjo liri mendimi, nëpërmjet internetit, në majë të gishtave, hyn dhe në shtëpitë e atyre ku seksi është ende tabu. Ajo çka është e rëndësishme të themi është që ideja që seksi është një aktivitet i pisët që duhet gjykuar është anakronike dhe obskure. Seksi është një akt që di per se nuk është i pisët, është mendja njerëzore dhe perceptimi mbi të cilin gjykojmëë, që e bëjnë atë të tillë.

 Do thoni ju ku qëndron problemi pra ? Problemi qëndron te mungesa e unifikuar e vullnetit dhe dëshirës për të krijuar një moral të ri. Nëse largojmë moralin e vjetër pa një plan të vërtetë do të thotë që çdo gjë do të jetë në dorë të rastësisë dhe të vetë tregut që po prodhon gjithnjë e më shumë pornografi, duke rritur konsumin në masë dhe duke e shndërruar në produkt të përditshëm. Rreziku qëndron te fakti që tregu ka vetëm një moral: produktin.

Prandaj në ditët e sotme të pranosh të flasësh për temën e seksualitetit do të thotë që duhet të pyesim veten se kush jemi dhe se çfarë mund të behëmi, pa e pyetur veten se çfarë duam të jemi. Morali rrjedh kur pasqyrohemi si grupim njerëzor dhe kur e njohim veten në këtë pasqyrim kolektiv. Të pyesim veten se çfarë duam të jemi pa marrë parasysh realitetin, nuk do të ndihmonte shoqërinë, sepse do të evitonte përgjigjen e pyetjes, “kush jemi?”.

Nuk jam e bindur që shkolla është vendi i vetëm dhe më i duhur për të edukuar gjeneratat e reja me edukimin seksual, bullizmin apo cyberbullizmin. Nuk dua absolutisht të minimizoj rolin e edukimit që është i qënësishëm, por në rastin tonë, shkolla është vendi ku gjeneratat e vjetra mesojnë ato të rejat. Ndërkohë që ajo për të cilën kemi nevojë është ndërtimi i diçkaje të re, që nuk ka ekzistuar më parë, prandaj shkolla do të kishte vështirësi në zbatimin e kësaj detyre. Ajo që mund të bëjë shkolla është të shoqërojë këtë proçes në mënyrë sa më të shëndetshme dhe të vërtetë.

Jetojmë në një botë ku neologjizmat dhe nevoja për identitet të ri seksual rritet në mënyrë progresive. Jetojmë në një kohë kur çdo gjë konsumohet shpejtë dhe ndahet më të gjithë nëpërmjet internetit. Jetojmë në një kohë ku skandalet janë të shpeshta, ku ato prodhojnë  komente dashakeqe, pa reflektim dhe proçes mendimi, komente që shpesh herë harrohen shpejtë. Për këtë arsye është e nevojshme që të shohim seksualitetin me një vështrim të ri, gjithëpërfshirës.

Të krijosh një moral të ri mbi seksin është një pushtet i madh, por nuk është baza e legjizlacionit apo legjitimitetit. Prandaj sot ndonëse ndonjëherë ankohemi, nuk habitemi që morali i seksit i është lënë tregut i cili po e lufton me shumë force, moralin puritan. Prandaj edhe më shumë është e nevojshme që të vlerësojmë si fillim se çfarë është seksi, duke pasur parasysh teknologjinë dhe menyrën si ajo është pjesë e aktivitetit seksual dhe në përfaqësimin që na bën si individë dhe si shoqëri.

Synimi ynë duhet të jetë zhbërja e moralizmave dhe e stadardeve të dyfishta. Pranimi i realitetit virtual dhe integrimi i tij në këtë moral të ri, pranimi i seksit si një akt eksitues, që shkëmben energji dhe që dhuron  jetë. Është e rëndësishme që të jemi real dhe mos kemi përplasje midis asaj që realisht jemi dhe asaj që mendojmë se jemi. Gjetja apo përcaktimi i një morali të ri seksual është një aksion politik, një sfidë eksituese, por dhe shumë urgjente.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë