Njerez

‘Nën’ retroperspektivën e të birit/ Endri Keko, kineasti i parë shqiptar që ‘nuk iku’ as pas vdekjes

Nga Megi Iskurti- “Në fillim të viteve ’70, jo rrallë mbrëmjeve bisedonim në shtëpi për filma, skenarë e shfaqje teatrale. Dalëngadalë këto biseda filluan t’u ngjajnë atyre mbledhjeve të Këshillave Artistikë ku gjallonin ide për dokumentarë, pa rënë kurrë në biseda rutinore”.

Me këtë fjali i ndërmend Ilir Keko netët me të atin Endri Keko, një nga themeluesit e kinematografisë shqiptare, padyshim firma e parë e filmit dokumentar shqiptar, i cili sot do të ishte 100 vjeç (1924 – 1989).

Në një rrëfim krejt personal për Gazetasi.al, i biri rreket ‘të shpjegojë’ Endri Kekon jo vetëm si artistin që nën presione ideologjike pasqyroi me mjeshtëri fine momente të rëndësishme kthesash të shoqërisë shqiptare porse dhe Endrin si shok e mbi të gjitha, si atë.

Në foto Endri Keko, e shoqja Xhenfise Keko dhe dy djemtë Iliri dhe Teodori teksa diskutojnë për filma dhe skenarë

Për të, padyshim si për shumë të tjerë, Endri Keko ishte një shkollë krijimtarie.

“Unë e kam ndjekur thuajse në të gjitha proceset krijuese, nga xhirimi, montimi e deri tek incizimi. Jo rrallë ndodhte që debatonim lidhur me ndërtimin e episodeve të veçantë apo dhe ritmin e filmit. Sigurisht, ai kishte shumë më tepër se unë argumente, megjithatë im atë nuk imponohej dhe mbaj mend që, e mbyllte diskutimin me shprehjen ‘edhe mund të kesh të drejtë’”, tregon për Gazetasi.al Ilir Keko i cili ndërsa përmend disa nga filmat më të rëndësishëm të babait të tij thekson se në secilin prej tyre ai pasqyroi drejtë frymën e kohës.

Ndonëse e nisi punën pas Luftës së Dytë Botërore, atëbotë kur, duhet theksuar, vendin e kishte rrethuar një tis optimizmi dhe shqiptarët nisën të ndihen të barabartë nën regjimin socialist, në qendër të filmave të Endri Kekos ka qenë kurdoherë njeriu dhe transformimi i vendit.

Për filmat dokumentarë të realizuar në epokën e socializmit, shpesh të konsideruar si mjet në dorën e propagandës së kohës, Ilir Keko gjykon se nga largësia e viteve duhen parë ftohtë duke patur parasysh kohën, hapësirën, rrethanat dhe mundësitë e krijuesve.

Regjisorët e asaj kohe nuk mund të bënin desidentët në një terren që ende nuk e njihnin ndërsa nga ana tjetër duhet të afirmonin besimin që vendi i tyre u kishte dhënë duke i shkolluar në shkollat më të mira të filmit të atyre viteve.

Endri Keko, moment pune me operatorin Jani Nano, 1956

“Kinemaja, veçanërisht filmi dokumentar ka qenë një mjet në dorën e propagandës. Por, edhe sot ashtu është. Filmi dokumentar nuk i shpëton dot propagandës. Direkt apo indirekt, ai propagandës së ditës i shërben. Në një film dokumentar, dokumentimi i frymës së kohës mbetet parësor. Nëse nuk pasqyron saktë kohën dhe frymën e saj, vështirë të quhet film dokumentar vepra që ti realizon”, vijon ai mandej për Gazetasi.al ndërsa shton se për të gjithë rrethanat, Endri Keko shkroi gjatë në ditarin e tij.

Ditari me të cilin Kekon e lidhte një miqësi e vjetër që prej kohës së luftës, mbeti shumë i çmuar për të.

Ai nuk mbante ditar në kuptimin klasik të fjalës- rrëfen i biri- por mbante shënime për momente të rëndësishme të jetës së tij e të familjes së tij.

“Ndërkohë, shënimet për filmat e realizuar janë të fiksuara në dhjetra blloqe. Ato janë shkruar thjesht dhe kanë informacion të bollshëm për kohën dhe njerëzit me të cilët e lidhte puna. Eshtë interesant po, pas daljes në pension, dëshira për t’i kthyer shënimet mbi filmat në kujtime e për t’i botuar ato, u bë gjithnjë e më e madhe. Disa prej tyre, për fat arriti t’i botonte në formën e kujtimeve. Ndërkohë, mbajtja e shënimeve vazhdoi deri në fund të jetës, madje edhe në ditët kur ishte i sëmurë rëndë në Vjenë”, tregon ai mandej ndërsa shton se të fundit shënime datojnë më 31 dhjetor 1988 ndërkohë që ai ndërroi jetë më 8 prill 1989.

“Tani që ditarin e kam nëpër duar, rikonfirmoj një gjë që e kam ditur me kohë. Im atë e donte shumë jetën dhe njerëzit...”

“Në borxh” me Endri Kekon

Duke qenë se i është dashur të merrej për vite me radhë me krijimtarinë e nënës së tij Xhanfise Keko nisur ngakërkesat e distributorëve nga shumë vende të botës që kishin interes për të shfaqur filmat e saj, Ilir Keko thotë me peng se ndihet disi “borxhli” ndaj të atit.

Megjithatë, “Ditari i një kinoregjisori”, libri në dorëshkrim që la Endri Keko dhe që Iliri ka dashur ta botojë që nga viti 1989 kur ai ndërroi jetë, ka qenë vazhdimisht në tavolinën e tij të punës.

“Për arsyen e përmendur më lart por edhe se kam menduar se shoqëria shqiptare nuk është ende e përgatitur për të pranuar të vertetat e kohës së shkuar, e kam lënë për ‘vitin tjetër’. Kështu kaluan plot 35 vjet dhe tani, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së tij, vendosa t’i plotësoj dëshirën tim eti pasi vetë përsëri mendoj që nuk ka ndryshuar asgjë dhe shoqëria shqiptare vazhdon të jetë e papërgatitur për të pranuar të vërtetat e kohës së shkuar. Shumë shpejt ky botim voluminoz që hedh dritë jo vetëm mbi jetën private, familjare e artistike të kinoregjisorit Endri Keko do të jetë në dorën e lexuesit. Sigurisht, meqenëse bashkëkohësit e tim eti, bashkëpunëtorët e tij në filma dhe përsonazhet e filmave të tij nuk jetojnë më, më mbetet të pres me kuriozitet si do të pritet nga lexuesit që nuk e kanë jetuar atë kohë”, shton Keko për Gazetasi.al.

Retroperspektivë/ Endri Keko si baba dhe kujtime brenda shtëpisë

Kujtimi më i hershëm i Ilir Kekos me të atin i takon moshës së tij jo më shumë se 7 vjeçare.

“Ai më merrte me vete në periudhën e verës dhe unë kënaqesha që udhëtoja me makinat e Kinostudios, qëndroja në hotele larg shtëpisë e shkoja kudo ku shkonte im atë për të xhiruar. Ky ritual dhe kjo kënaqësi vazhdoi deri në moshën 15 vjeçare. Më pas, as ai nuk më merrte më me vete, as unë nuk doja të shkoja më me të. Eshtë mosha që më pëlqente të rrija e luaja më shumë me shokët”, ndërmend ai ndërsa flet edhe për ditët ku ndiqte filmat dokumentarë të babait në kinema.

“Në kohën për të cilën po flasim, filmi dokumentar kishte një rëndësi të madhe dhe shfaqjet e tij ishin ngjarje artistike. Si i tillë, për të shkruhej nëpër gazeta dhe krijuesit e tij njiheshin e vlerësoheshin po aq sa ata të filmit artistik”, shton Keko për Gazetasi.al ndërsa thotë se të dy prindërit, prej punës, nuk kishin shumë kohë për të përkëdhelur atë dhe të vëllain, Teodor Kekon.

“Marrëdhëniet tona do t’i përcaktoja… brenda shtëpisë, prindër - fëmijë. Jashtë shtëpisë, shoqërore. Jo se nuk kanë dashur të na përkëdhelnin po, nuk kishin kohë. Në një familje artistësh ku puna nis në mëngjes e mbaron në mbrëmje dhe jo detyrimisht të gjitha ditët e vitit në Tiranë, është e vështirë për të mos thënë e pamundur t’i përkushtohesh fëmijëve ashtu si do dhe sa do. Kujtoj këtu që ata përpiqeshin të merreshin me ne aq sa mundnin në pjesën e edukimit dhe shkollimit se, për të tjerat, larjen, veshjen, ngrënien, merrej gjyshja”, rrëfen ai ndërsa shton se më të bukurën e ditëve të asaj kohe e bënin miqtë e babait, përsonalitetet e asaj kohe, që nuk mungonin në shtëpinë e tyre.

Të veçantë dhe interesante i përcakton ai ditët me miqtë e të atit në shtëpi ku biseda rrotullohej rreth filmave, teatrit, operas e librave.

“Situata u bë me e bukur veçanërisht me kalimin e viteve. Pra kur ne fëmijët u rritëm dhe kuptonim për se flitej. Duke menduar sot, them se kjo atmosferë artistike nuk mund të mos ndikonte që ne të përcaktonim drejtimin tonë në të ardhmen. Unë isha më shumë i lidhur me filmin, ndoshta sepse në një kuptim u rrita duke prekur kamerën e pelikulën dhe duke shkelur gjithë ambientet ku realizohej filmi, nga sheshi i xhirimit deri tek laboratori, dhoma e montazhit apo studio e incizimit. Ndërkohë, im vëlla i ktheu sytë nga biblioteka dhe filloi të lexonte gjithçka”, tregon ai ndërsa flet për takimet me miqtë e të atit që për të ishin ngahera të bukura pasi mësonte histori të padëgjuara.

Petro Marko, Skënder Luarasi, Fatmir Gjata, Kin Dushi, Kolë Jakova, Dritëro Agolli, Llazar Siliqi, Xhevahir Spahiu, Bardhyl Londo, Sofokli Afezolli, Prenk Jakova, Kristo Kono, Çesk Zadeja, Limos Dizdari, Kujtim Spahivogli, Mihallaq Luarasi, Naim Frashëri, Pandi Raidhi, Violeta Manushi, Nikolin Xhoja, Tinka Kurti, Sandër Prosi, Kristo Frashëri, Guri Madhi, Nexhmedin Zajmi, Foto Stamo, Teodor Laço, Sotir Andoni, Janaq Paco, Kristaq Dhamo dhe Piro Milkani janë vetëm disa nga miqtë e babait që Ilir Keko sjell në vëmendje.

Endri Keko dhe Dritëro Agolli

Megjithatë, e njohur veç të tjerash është miqësia e tij e ngushtë me shkrimtarin Dritëro Agolli i cili në një letër të 1989, vit kur ndërroi jetë Endri Keko, shkruante se “ndërsa kaloj nga rrugica, aty ku ngrihet një ndërtesë pesëkatëshe, përballë ‘Florës’ së rrugës së Durrësit, hedh sytë padashje në ballkon, por Endri Keko nuk del më…

Ka vdekur? S’e besoj… Njeriu vdes vetëm kur harrohet. Endri nuk harrohet dhe nuk vdes…”

“Çuna, po mundët mos ma prishni biografinë se nuk kam kohë ta rregulloj”

Shkëputjen nga puna Endri Keko e përballoi shumë qetësisht.

“Ai ishte i bindur se e kishte realizuar misionin e tij si kineast, ndaj dhe kërkoi që të shkëputej nga puna pikërisht ditën e lindjes më 31 mars 1979, kur ishte vetëm 55 vjeç. Në fakt, më duhet të them se, megjithë këmbënguljen e Kinostudios që të mos largohej e të vazhdonte të punonte, ai nuk pranoi dhe më në fund Kinostudio ‘u dorëzua’. Në maj të atij viti ai u largua përfundimisht”, vijon më tej për Gazetasi.al Ilir Keko ndërsa kujton me buzëqeshje një drekë familjare ku ishin mbledhur të katërt rreth tavolinës.

“Ai me humorin e tij, në një moment na u drejtua ne djemve me fjalët: ‘Çuna, po mundët mos ma prishni biografinë se nuk kam kohë ta rregulloj’. Përtej humorit, të gjithë e kuptuam domethënien e asaj fraze që na tha babai në ato momente. Ai ishte i komunikueshëm me ne dhe me sa mbaj mend, nuk na tha asnjëherë dhe për asgjë ‘Mos!’

Në vend të kësaj fjale, ai kish zgjedhur fjalën ‘kujdes!’”, thotë ai ndërsa shton se babai i tij nuk pati ndonjë peng profesional nga puna.

“Im atë kur u largua nga krijimtaria ishte padyshim personaliteti më i spikatur i filmin dokumentar dhe më i vlerësuari. Filmat dokumentarë ‘Shqipëria’, ‘Dritë mbi Shqipëri’, ‘Pranvera e nëntë’, ‘Në shtigjet malore’, ‘Letër nga fshat’, ‘Ringjallje’, ‘Vallzim i shqipeve’, ‘Në flakë të revolucionit’, ‘Rruga jote, shok’, ‘Tregim në sytë e nënës’, realizuar në harkun kohor të viteve 1952-1979, janë vetëm disa nga titujt e realizimeve që mbajnë firmën e regjisorit që lëvroi me sukses të gjitha zhanret e saj, që nga filmi kronikal, kinoreportazhi e kinopoema deri tek filmi dokumentar e ai artististik, me çmime të shumta.

Endri Keko, regjisori i 68 filmave dokumentarë, 35 filmave kronikalë dhe 38 kinoditarëve i cili la Shtetet e Bashkuara në moshën 7 vjeçare, erdhi në Shqipëri për të mos ikur kurrë, as pas vdekjes.

Në një jetë të tërë dedikuar kinematografisë ai ia doli të tregonte se arti e gjen përherë shtegun e vet, paçka përmbajtjes së diktuar...


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë