Njerez

‘Endri Keko, historia e kinemasë shqiptare’

Nga Genc Permeti - Një miku im regjizor dikur më ka thënë se kur shohim një film, të gjithë e identifikojmë atë magji me protagonistin duke thënë se është filmi i këtij apo atij aktori.

Ndaj dhe projektorët e almanakëve ditorë dhe të mediave fokusohen drejt aktorëve të cilët falë talentit vishen me mantelin e lavdisë së karaktereve që përfaqsojnë. Shumë evente i dedikohen, institucionet e kulturës angazhohen maksimalisht, përfaqsuesit e politikës vrapojnë për një foto, si dhe përjetësohen në emra ndërtesash kulturore.

Ndërkohë jo shumë janë të ndërgjegjshëm se kinemaja është një formë arti kolektive e cila ndërtohet nga truri i saj që është regjizori. Për më tepër pikërisht atyre që i dedikuan krijimtarinë e tyre ndaj filmit dokumentar të cilët cilësohen si kineastet autentikë të artit të shtatë.

Ndaj sot më 31 Mars që është përvjetori i 100 i një prej themeluesve të Kinostudios  Endri Keko që nuk besoj të jetë nën tymin dhe flakën e këtyre projektorëve, mendoj ja vlen të përmendim çfarë përfaqson.

Për Endri Kekon nuk do e teproja të thoja që është historia e kinemasë shqiptare. Përgjatë 30 viteve të aktivitetit të tij si regjizor, ai ka krijuar memorjen vizuale historike të vendit tonë.

Si të gjithë regjizorët që i dedikuan jetën filmit dokumentar, Endri Keko pranoi ti dedikohet këtij zhanri si një formë që ai e hulumtoi dhe ju dedikua me besnikëri, duke na lënë një trashegimi artistike autentike e cila na pasqyron zhvillimet politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të kësaj periudhe.

Duke filluar me Kinozhurnallet e para dhe ndjekur nga dokumentari i tij i parë “Shqipëria”, “Dritë mbi Shqipëri”, “Pranvera e nëntë”, “Në shtigjet malore”, “Letër nga fshati”, “Ringjallje”, “Vallzim i shqipeve”, “Në flakë të revolucionit”, “Rruga jote, shok”, “Tregim në sytë e nënës”, janë vetëm disa nga titujt e realizimeve që mbajnë firmën e regjisorit që lëvroi me sukses të gjitha zhanret e saj, që nga filmi kronikal, kinoreportazhi e kinopoema deri tek filmi dokumentar e ai artistik.

Bashkëpunimi i Endri Kekos me regjizorin e njohur rus Ilia Kopalin është bashkëpunimi i parë i një regjizori shqiptar me një artist të nivelit të lartë me filmin e tyre “Rruga e Lavdishme”, dokumentar i cili arriti të fitojë çmimin e nderit në festivalin e Karlovi Varit në vitin 1952. 

Dihet që regjizorët e filmave dokumentarë janë kineastët më vetsakrifikues për vetë vështirësitë që imponon ky zhanër dhe Endri Keko pavarsisht se ishte tejet koshient se mund të orientohej ndaj filmit artistik siç qe në rastin e “Krevatit te Perandorit” ku me mjeshtëri arriti që me një aktor të krijojë një fabul e cila i ka rezistuar kohës, prapë ai vazhdoi ti qëndrojë besnik shtratit të mundimshëm të dokumentarit.

Pavarsisht se Endri Keko ka 35 vite që është ndarë nga jeta, edhe sot vazhdon të jetë i pranishëm më shumë se çdo kush në ekranet tona përmes copezave të vogla nga krijimtaria e tij të cilat sillen në ekranet tona si ilustrime të gjalla të një periudhe të rëndësishme të historisë tonë. Ajo që është më e trishtë në këtë 100 vjetor nuk është copezimi i krijimtarisë së tij në qindra sekuenca të shpërndara kuturu jashtë konteksteve për të cilat ato shfrytezohen, por mungesa e etikes së atyre që i shfrytezojnë duke mos i shoqëruar ato imazhe me emrin e veprës nga e cila padrejtësisht i kanë huazuar dhe të autorit që mes sakrificave në kushte jo humane ka arritur ti përjetësojë.

Ndërkohë në këtë 100 vjetor të Endri Kekos inkoshencialisht më krijohet iluzioni i egzistencës së një muzeu të Moving Images diku në Tiranë ku të gjithë të interesuarit ndaj artit të shtatë dhe jo vetëm, të njihen me ata që i kanë krijuar dhe jo ta identifikojnë veprën filmike me aktorin.

*Shkrimi marrë nga Facebook-u i Genc Permetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë