Ngjarje

Ndërtimet shumëkatëshe, a është Tirana e përgatitur për zjarret?

Dilemat e sigurisë teknike të një qyteti që po rritet vertikalisht

Nga Gazeta ‘Si’- Gjatë ndërhyrjes së zjarrfikësve për të shuar zjarrin që përfshiu pallatin tek Farmacia 10, u vu re një problem që në pamje të parë u duk teknik: shkallët e zjarrfikëses nuk arrinin deri në katet e sipërme të ndërtesës. 

Një situatë e tillë në fakt nuk është thjesht një kufizim teknik i momentit por një sinjal alarmi për mënyrën se si po ndërtohet dhe si po mbrohet qyteti. 

Në një realitet urban si Tirana që po rritet me shpejtësi vertikalisht, nuk duhet të diskutohet më nëse zjarrfikësja ka shkallë mjaftueshëm të gjatë, por nëse po ndërtohet duke supozuar se zjarret nuk do të fiken gjithmonë nga jashtë. 

Në fakt, në standardet moderne europiane dhe ndërkombëtare, kjo logjikë është e tejkaluar prej kohësh. 

Në qytetet e zhvilluara, siguria nga zjarri nuk mbështetet te shkalla e zjarrfikëses, por te vetë ndërtesa.

Godinat e larta janë të detyruara të kenë sisteme automatike spriklerash, hidrantë të brendshëm, ndarje rezistente ndaj zjarrit, autoshkallë deri në 100 metra dhe dalje emergjence që mundësojnë evakuim të shpejtë pa varësi nga ndërhyrja e jashtme. 

Pra, ndërtesa është e projektuar për të “rezistuar vetë” në minutat e para kritike të zjarrit. Shembujt në Europë e tregojnë qartë këtë logjikë në praktikë. 

Në Grenfell Tower, zjarri i vitit 2017 në Londër u kthye në një tragjedi të madhe me dhjetëra viktima, pikërisht sepse sistemi i mbrojtjes nga zjarri në ndërtesë rezultoi i pamjaftueshëm dhe materialet e fasadës përhapën flakët me shpejtësi. Aty u pa qartë se edhe në një qytet me zjarrfikëse shumë të avancuara si Londra, ndërhyrja nga jashtë nuk mjafton nëse godina vetë nuk është e sigurt. 

Në Torre dei Moro, një zjarr i madh në një kullë banimi në Milano u përhap me shpejtësi në fasadë, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të zjarrfikësve. 

Edhe në këtë rast, hetimet nxorën në pah rolin kritik të materialeve ndërtimore dhe standardeve të sigurisë, duke e kthyer çështjen nga “si ndërhyri zjarrfikësja” në “si ishte ndërtuar godina”. 

Në raste të tjera të ngjashme në Europë, reagimi ka qenë i njëjtë në thelb: zjarrfikësit ndërhyjnë shpejt, por sistemi real i mbrojtjes është në brendësi të ndërtesës. 

Pra ky model, nuk i ekspozon zjarrfikësit si mjeti i parë i reagimit, por si një shtresë e dytë e mbrojtjes, që hyn pasi sistemi i brendshëm ka fituar kohë dhe ka kufizuar përhapjen e flakëve. 

Ndërkohë, në Tiranë, realiteti duket i kundërt: ndërtesa të reja gjithnjë e më të larta po shtohen, por infrastruktura e emergjencës dhe sistemet e brendshme të sigurisë jo gjithmonë janë në të njëjtin nivel zhvillimi. 

Në këtë kuptim, edhe fakti që autoshkallët e zjarrfikëses kanë një kufi të caktuar lartësie nuk është thjesht çështje pajisjesh, por pasojë e një sistemi rregullator që nuk ka ecur me të njëjtin ritëm si zhvillimi vertikal i qytetit.

Në Shqipëri, ligji për sigurinë nga zjarri dhe ndërtimet ekziston, por problemi që ngrihet shpesh nga ekspertët është vjetërsimi i standardeve teknike dhe mos-përditësimi i tyre me zhvillimin urban.

Kjo krijon një disproporcion të rrezikshëm. 

Nga njëra anë kemi godina shumëkatëshe që po ndryshojnë siluetën e qytetit. 

Nga ana tjetër, kemi mjete zjarrfikëse të kufizuara në lartësi operative dhe shpesh një varësi të madhe nga ndërhyrja manuale brenda ndërtesës, në kushte të vështira dhe me kohë të kufizuar reagimi. 

Rasti i djeshëm nuk duhet parë si një episod i izoluar, por si një pasqyrë e një sistemi që po ecën me dy shpejtësi të ndryshme: ndërtimi dhe siguria. 

E para po modernizohet shpejt, e dyta po përpiqet ta ndjekë pas. 

Ajo që duhet të diskutohet sidomos pas ngjarjeve te tilla është nëse po ndërtojmë një qytet që mund të jetojë në lartësinë që po ngrihet, apo thjesht po ngremë ndërtesa më shpejt sesa aftësia jonë për t’i mbrojtur ato?


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë