Gazeta Si – Qindra qytetarë janë mbledhur pasditen e kësaj të diele në Tiranë në një protestë kundër ndërtimeve në zonat e mbrojtura dhe projekteve që, sipas tyre, rrezikojnë pasuritë natyrore të vendit, duke marrë shkas para së gjithash pas përplasjes me rojet e një kompanie private ndërtimi në Zvërnec.
Tubimi nisi fillimisht përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku protestuesit shprehën pakënaqësitë e tyre lidhur me zhvillimet e fundit në disa zona të mbrojtura.
Më pas, ata marshuan drejt Ministrisë së Brendshme, ndërsa protesta vijoi përpara godinës së Kryeministrisë.

Me pankarta në duar dhe thirrje të shumta, qytetarët kërkuan ndalimin e projekteve që prekin mjedisin dhe hapësirat e mbrojtura.
“Shqipëria e shqiptarëve”, “Shqipëria nuk shitet”, “Duam dorëheqje” dhe “Anuloni projektin” ishin disa nga sloganet që dominuan protestën.
Protestuesit u mblodhën edhe para sheshit te kryeministria, duke kërkuar më shumë transparencë dhe përgjegjësi nga institucionet shtetërore për çdo projekt që zhvillohet në zona me rëndësi të veçantë natyrore dhe mjedisore.
Ata kërkuan anulimin e projekteve që prekin mjedisin dhe zonat e mbrojtura, ligjit për investimet strategjike dhe paketen e maleve, duke bërë thirrje për dorëheqje dhe mbrojtjen e pasurive natyrore të vendit.
Organizatorët theksuan se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, ndërsa apeluan për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe interesit publik.
Ndërkohë, teli me gjemba, i cili ndodhej i bashkëngjitur me telin rrethues në kantierit ku po zhvillohen punime në Zvërnec, është hequr këtë të diel.
Kjo vjen pas incidentit të dhunshme një ditë më parë, ku qytetarë kanë protestuar kundër ndërtimeve në këtë zonë me pretendime për probleme në çështjet e pronësisë.
Dhuna ndaj qytetarëve që protestuan ditën e shtunë në Zvërnec kundër projektit turistik që pritet të ndërtohet, ka sjellë zinxhir reagimesh këtë të diel, nga institucionet zyrtare.
Fillimisht ishte Policia e Shtetit, ajo që njoftoi mëngjesin e sotëm se ka arrestuar një nga rojet private dhe ka proceduar penalisht 2 të tjerë.
Edhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari e ka cilësuar të papranueshme indiferencën e policisë si dhe dhunën e ushtruar nga rojet private. Ndërsa kryeministri Edi Rama ka lajmëruar konferencë ditën e hënë (1 qershor) për këtë ngjarje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje