Politike

Meta kërkon në KLGj ndërprerjen e mandatit të Ardian Dvoranit

Paralelisht me bashkëpunimin me socialistët në Parlament për përballimin e pasojave shëndetësore, sociale dhe ekonomike të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, Presidenti Ilir Meta po lëviz edhe në betejën e nisur thuajse një vit më parë për të larguar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvoranin.

Kreu i shtetit i ka kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor që të vendosë për përfundimin e mandatit si anëtar i Gjykatës së Lartë për Ardian Dvoranin e rrjedhimisht me këtë edhe largimin e tij nga posti i kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që sipas përcaktimeve kushtetuese të 2016 i takon anëtarit të Gjykatës së Lartë në KED.

Për shkak se në momentin e hedhjes së shortit të KED-së në dy dhjetorët e kaluar, Ardian Dvorani ishte i vetmi anëtar i Gjykatës së Lartë, pasi Medi Bici është anëtar në Këshillin e Lartë Gjyqësor ai emërohej automatikisht dhe pa short si anëtar, ashtu edhe kryetar i KED-së.

Dvoranit i ka përfunduar prej kohësh mandati i anëtarit të Gjykatës së Lartë dhe ka patur debate mbi kushtetueshmërinë e vazhdimit të ushtrimit të detyrës prej tij. Këtë ka shfrytëzuar Presidenti Meta, që i ka dërguar një shkresë KLGj-së ku i kërkon që të ndërpresë mandatin e Dvoranit.

Gazeta “Si” është vënë në dijeni të përmbajtjes së kësaj shkrese, ku Meta pretendon se në 2016-të, në në kohën që Kuvendi po shqyrtonte ndryshimet kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nenet e ligjit për funksionimin e Gjykatës së Lartë, mbi bazën e të cilave Ardian Dvorani vazhdonte të ushtronte detyrën.

Presidenti thotë se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese sjell ndërprerjen e menjëhershme të mandatit të gjyqtarit të lartë për Ardian Dvoranin dhe se ai ka vijuar ushtrimin e detyrës në shkelje të Kushtetutës dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Meta akuzon Qeverinë se ka luajtur një rol thelbësor në këtë shkelje. Presidenti thotë se u bllokua qëllimisht publikimi në Fletoren Zyrtare i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, derisa hynë në fuqi ndryshimet e reformës në drejtësi. Këto ndryshime sollën edhe modifikimet e rregullave për mandatet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, duke u lejuar anëtarëve që u kishte përfunduar mandati qëndrimin në detyrë deri në momentin e zëvendësimit.

Letra e Metës është dorëzuar më 10 prill me protokollin numër nr.1117/2. Këshilli i Lartë Gjyqësor u mblodh më 16 prill duke vendosur që të ngarkojë Komisionin e Zhvillimit të Karrierës në trajtimin dhe përgatitjen për shqyrtim të kësaj kërkese të Presidentit.

Manovra e Presidentit Meta për t’iu drejtuar KLGj-së për largimin e Ardian Dvoranit mbërrin pas denoncimeve të tij penale në prokurori ndaj kreut të KED-së. Nëse Dvorani do të merrej i pandehur nga ana e organit të akuzës në lidhje me paditë e Metës, atëherë ai do të pezullohej nga detyra si kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë