Politike

“Ripërballja” Meta-Dvorani në gjykatë pas 7 vjetësh. Presidenca: Prova të reja për kreun e KED

Presidenca do të dorëzojë ditën e hënë padinë penale në ngarkim të kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Kështu ka siguruar këtë të shtunë të gjitha gazetarët dhe publikun, zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi.

“Pa asnjë diskutim, ditën e hënë do të bëhet kallëzimi penal, madje po administrohen prova të reja përvëluese, që shtojnë mundësinë për të patur edhe padi për persona e zyrtarë të tjerë”, deklaron ai përmes rrjeteve sociale.

Por jo vetëm kaq.

“Ju bëj me dije se brenda javës Institucioni i Presidencës do të publikojë një VIDEO me fakte të pakundërshtueshme për opinionin vendas dhe botëror, që të mos ngelet asnjë analfabet në planet, i cili të mos e kuptojë dhunimin që një bandë ka tentuar t’i bëjë Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, vijon reagimi.

https://www.facebook.com/blushited/posts/10157714898152760

Sa për përmbajtjen e videos, zëdhënësi Blushi thotë se ajo do të zbulojë fytyrën e vërtetë të një individi të papërgjegjshëm, i cili guxoi në mënyrë të tmerrshme kriminale të përvetësojë kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës, që as noterja Miranda Xhemalçe nuk pranoi ta bënte.

Videoja duket se nuk do të synojë vetëm audiencën shqiptare, por edhe “publikun” ndërkombëtar.

“Përveçse në gjuhën tonë të bukur shqipe, kjo VIDEO, po përgatitet edhe në anglisht, në gjermanisht, në italisht, në frëngjisht, dhe në disa gjuhë të tjera europiane, në mënyrë që të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, që janë të interesuar, jo vetëm për realizimin me sukses të Reformës në Drejtësi, që u votua me konsensus, por edhe që janë kaq të shqetësuar për problemet skandaloze të funksionimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri, të mos mashtrohen më”, sqaron Blushi.

Presidenca thotë se përmes këtyre veprimeve, jo vetëm mbron Kushtetutën, por edhe tregojmë përgjegjshmëri për të gjithë taksapaguesit e vendeve partnere.

Meta-Dvorani, “ritakohen” në gjykatë

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të njohur si anëtare të saj Marsida Xhaferllarin dhe jo Arta Vorpsin duket se e bindi Presidentin Ilir Meta, që përgjatë këtyre ditëve ka akuzuar publikisht kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, që të dorëzojë në Prokurori padinë penale për të.

Kulmin e akuzave Meta e njoftoi të premten, ku kreu i KED-së akuzohej për shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit e marrje të kompetencave të Presidentit. Presidenti tha se shkeljet ishin të qëllimshme dhe që fatkeqësisht, sipas tij, u përfshi edhe Kuvendi. Kjo do të thotë, sipas Metës, se shkeljet nuk janë thjesht shkelje që kërkojnë disiplinore, ndaj për këtë arsye do ta padisë penalisht.

Presidenti njoftoi se padia do të dorëzohej në Prokurori në fillim të javës së ardhshme. Kjo do të thotë se nga e hëna e më vonë mund të ketë një përballje në gjykatë mes Ardian Dvoranit si i paditur nga njëra anë dhe Ilir Metës si paditës nga ana tjetër.

Kjo nuk është hera e parë që dyert e gjykatës bashkojnë këta dy emra, megjithëse në rrethana krejt të ndryshme. Ardian Dvorani ka qenë kryesues i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që në 2012 dha vendimin unanim të pafajësisë së Ilir Metës, që pas videos së publikuar nga Dritan Prifti akuzohej për korrupsion.

Ilir Meta pas vendimit të pafajësisë nga Gjykata e Lartë në janar të 2012. Gazeta Si, 16 nëntor 2019

Veç Dvoranit si kryesues, trupa përbëhej nga anëtarët e asaj kohe të Gjykatës së Lartë si Majlinda Andrea, Guxim Zenelaj, Ardian Fullani dhe Gani Dizdari. Të gjithë këta emra, me përjashtim të Ardian Dvoranit u dorëhoqën para nisjes së vettingut.

Ndërkohë, në përplasjen mes Metës dhe Dvoranit, zëra nga mazhoranca kanë mbështetur këtë të fundit duke deklaruar se Presidenti po e sulmon, pasi ai ka qenë i vetmi gjyqtar kundër pafajësisë së Ilir Metës në 2012. Në të vërtetë, Dvorani ka votuar pro pafajësisë, por ka shfaqur rezerva mbi disa akte proceduriale të ndjekura dhe vendime të ndërmjetme të Gjykatës së Lartë në lidhje me administrimin e provave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë