Drejtësia

Pushohet padia e Metës ndaj Dvoranit, ish-kreu i KED-së: Iku koha e gjyqeve publike

Gjykata e Posaçme ka vendosur pushimin e çështjes për ish-kreun e KED-së, Ardian Dvorani, duke rrëzuar kështu padinë e presidentit Ilir Meta.

Gjykata ka pranuar kërkesën e SPAK, i cili pas hetimeve që zhvilloi, kërkoi pushim të akuzave dhe mbyllje të çështjes.

Kreu i shtetit paditi në SPAK për shpërdorim detyre, ish-Kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pasi e akuzonte për veprimtarinë kriminale dhe shkelje të Kushtetutës në procesin e miratimit të ndryshimeve ligjore për betimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Kushtetutës.

Në një prononcim për mediat menjëherë pas dhënies së vendimit, Dvorani tha se nuk ka përplasje me asnjë institucion dhe se ka ikur koha e gjyqeve popullore.

Dvorani ka thënë se fillimisht duhet të pritet vendimi i argumentuar i Gjykatës së Posaçme dhe më pas nënvizoi: “Unë nuk kam përplasje me asnjë institucion. Unë thjesht bëj detyrën, jam gjyqtar. Kush mendon se ka përplasje, e ka me veten, unë s'kam më askënd. Është e drejtë e z. Meta të ketë mendimin e tij. Janë institucionet ato që vendosin përfundimisht. Koha e gjyqeve publike ka marrë, çështjet nuk vendosen në media, por këtu", tha Dvorani, aktualisht, gjyqtar i Gjykatës së Apelit Administrativ të Tiranës.

Çështja është pezulluar gjithashtu edhe për ish-ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe zyrtarë të tjerë të përfshirë në kallëzimin e kreut të shtetit.

Përfaqësuesi ligjor i presidentit, Bledar Dervishaj, tha për mediat se kjo çështje duhet të ishte rikthyer për hetim, ndërsa shtoi se do të pret vendimin e zbardhur të gjykatës. Dervishaj, u shpreh se pasi të publikohet argumentimi i vendimit, do ta apelojnë atë.

Meta kallëzoi Dvoranin në SPAK më 18 shkurt 2020, ndërsa e ka akuzuar si shkelës të ligjit dhe të Kushtetutës. Përplasja mes tij dhe ish-kreut të KED-së ka qenë shumë e fortë.

Presidenti Meta e ka akuzuar Dvoranin si "ushtar të partisë" në pushtet, sulme që nisën gjatë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti dhe Parlamenti në bazë të listave me kandidatë të radhitur përmes një sistemi pikëzimi nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Krizë që ka çuar në zgjedhjen e dy gjyqtareve Kushtetuese për të njëjtin pozicion të lirë.

Ardian Dvorani u largua nga detyra si kryetar i KED nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, pasi i kishte mbaruar mandati, por vazhdonte të qëndronte, me pretendimin se nuk i ishte gjetur një zëvendësues.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë