Kosova

Sulmohen Policia e Kosovës dhe KFOR-i gjatë patrullimit në veri. Të dyshuarit i gjendet një xhaketë me emblemë serbe

Nga Gazeta 'Si'-Në orët e para të mëngjesit të së hënës një person me automjetin e tij ka bllokuar rrugën në një fshat të Leposaviçit dhe ka sulmuar me shishe xhami automjetet zyrtare të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, gjatë patrullimit të përbashkët.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 04:05 të mëngjesit.

I dyshuari më pas ka ikur në drejtim të disa shtëpive afër në fshat, por pas kontrolleve policore, është arrestuar.

“Gjatë realizimit të kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur një xhaketë e ushtrisë me emblemë serbe. Makina me të cilën është bllokuar rruga është sekuestruar, i dyshuari pas intervistimit nga njësia kompetente e hetimeve është liruar në procedurë të rregullt ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar”, thuhet në njoftim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë