Politike

“Meta 2”, për çfarë mund të hetojë komisioni i ri parlamentar

“Ka dy skenarë, i pari është që Ilir Meta që përbetohet se është burrë, të japë dorëheqjen dhe të largohet vetë. Skenari tjetër është që ne të nisim procedurën për shkarkimin e Ilir Metës me Parlamentin tjetër. Për arsyen e gjithë degjenerimit që i ka bërë institucionit të Presidentit”.

Kjo ishte deklarata e Kryeministrit Edi Rama dy ditë para zgjedhjeve të 25 prillit. Skenari i parë, pra ai i dorëheqjes u rrëzua nga Ilir Meta, që tha se do të qëndrojë në detyrë deri në fund të mandatit 5-vjeçar, që mbaron më 24 korrik 2022.

Për këtë arsye, në lojë mund të hyjë skenari i dytë; ai i nisjes së procedurave nga Parlamenti i ri për shkarkimin e tij. Siç përcaktohet nga Kushtetuta, hapi i parë duhet të jetë ngritja e një Komisioni Hetimor për të hetuar veprimtarinë e Presidentit dhe dalë në përfundime nëse e ka shkelur Kushtetutën dhe duhet shkarkuar, apo jo.

Nëse do të ngrihet, ky do të ishte komisioni hetimor “Meta 2”, pasi “Meta 1” mbylli punimet në korrik të 2020-ës, një vit pas ngritjes duke mos këshilluar nisjen e procedurave për shkarkimin e tij. Por, çfarë do të hetojë komisioni i ri kundër Metës?

Nga deklaratat e vetë kryesocialisti Rama dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Qeverisë dhe të Partisë Socialiste, elementi i parë objekt hetimi mund të jetë qëndrimi i mbajtur nga Ilir Meta gjatë fushatës zgjedhore. Për socialistët, Presidenti shkeli Kushtetutën me të dyja këmbët me aktivitetet dhe deklaratat e tij, duke u bërë palë me opozitën.

Elementi i dytë janë deklaratat e bëra nga kreu i shtetit gjatë fushatës zgjedhore. “Po u prek një votë ditën e votimeve u bëj thirrje qytetarëve që t'i mprehin sfurqet, se si gratë trime të Libofshës do t'i ndjekim këmba-këmbës horrat, nëse nuk kanë kuptuar gjë akoma”, deklaronte Presidenti pas një incidenti të ndodhur në ditën e fundit të fushatës në qytetin e Fierit, kur policia bashkiake hoqi banderolat e LSI-së.

Më herët Presidenti kishte folur gjithashtu për “prerje duarsh” për këdo që blinte votën, apo tjetërsonte në forma të tjera vullnetin e shqiptarëve. Këto deklarata socialistët i kanë interpretuar si “nxitëse të dhunës” dhe shkelje të rendit kushtetutes.

Elementi i tretë që mund të jetë objekt hetimi në mënyrë të posaçme janë deklaratat e bëra nga Presidenti Ilir Meta kundër Ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim, të cilën po para zgjedhjeve të 25 prillit e akuzoi se është bërë palë me Edi Ramën. Presidenti u përpoq të diferencojë qëndrimet e Yuri Kim nga qëndrimet zyrtare të Departamentit të Shtetit. Por, këto deklarata mund të interpretohen nga socialistët si kërcënim për marrëdhëniet me SHBA dhe partneritetit strategjik të nënshkruar me të.

Elementi tjetër që mund të jetë objekt hetimi janë edhe dyshimet e hedhura publikisht nga socialistët, përfshirë këtu edhe vetë Edi Ramën, se Presidenti është takuar gjatë fushatës me personazhe të botës së krimit. Në lidhje me këtë akuzë, në disa media ka qarkulluar një foto, ku Presidenti Meta shfaqet në Gjirin e Lalëzit i mbuluar me kapuç në kokë dhe në shoqëri të një personi tjetër.

Meta shpjegoi se kapuçin e vendoste pasi bënte sauna, ndërsa gjatë një konference për shtyp nxorri edhe personin, që sipas tij, e shoqëronte në tavolinë në momentin kur është bërë ajo foto.

Këta janë elementët kryesorë ku mund të bazojë hetimin e tij komisioni i mundshëm “Meta 2”, ndërsa “Meta 1” hetoi për thuajse një vit vendimin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019 dhe përplasja për rendin kohor të emërimeve në Gjykatën Kushtetuese. Në raportin e dorëzuar për miratim në seancën plenare të 27 korrikut të vitit të kaluar, Komisioni i drejtuar nga Ulsi Manja gjeti “shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentit”, por nuk i klasifikoi ato si “mjaftueshëm të rënda” sa për ta shkarkuar atë, duke ndjekur edhe rekomandimin e bërë nga Komisioni i Venecias.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë