Politike

Shkarkimi i Metës, PS mbledh firmat dhe thërret konferencën e kryetarëve në ditë pushimi

Pas mesazhit drejtuar deputetëve të grupit parlamentar aktual për të firmosur nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, mazhoranca socialiste vijon me hapin tjetër, që me gjasë do të çojë në ngritjen sërish të një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar veprimtarinë e Presidentit.

Konferenca e Kryetarëve u mblodh këtë të hënë, ndonëse në kalendar është ditë pushimi zyrtar për shkak të 1 majit dhe Pashkës Ortodokse. Në përfundim të kësaj mbledhjeje është miratuar kalendari i punimeve trejavore. Është vendosur për seanca plenare në datën 4, 6, 13 dhe 20 maj. Nisma për shkarkimin e Metës pritet që të njoftohet në seancën parlamentare të ditës së martë dhe të miratohet ditën e enjte në seancë plenare.

Nëse synohet që Meta të shkarkohet nga Kuvendi aktual, ashtu siç ka deklaruar edhe Kryeministri Edi Rama, afatet kohore për socialistët nuk premtojnë. Komisioni duhet të ngrihet para datës 9 maj, që është afati i fundit që lejon ligji për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare. I njëjti ligj nuk lejon ngritjen e tyre katër muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit, ndërkohë që mandati i Kuvendit aktual përfundon më 9 shtator.

Sipas Kushtetutës, nisma për shkarkimin e Presidentit duhet të mbështetet nga një e katërta e deputetëve, pra 35 prej tyre. Fill pasi ka siguruar 36 firma, PS ka kërkuar mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Thirrja e kësaj mbledhjeje në një ditë pushimi zyrtar nënkupton se gjasat janë që në këtë konferencë të vendoset futja në rend të ditës të seancës së ditës së martë të nismës për shkarkimin e Metës.

Shumica socialiste e bazon nismën e radhës për shkarkimin e Metës te “disa shkelje të rënda të Kushtetutës para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, sipas parashikimeve të Nenit 90. Ky nen thotë se “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë”.

Kjo është hera e dyte që shumica socialiste kërkon të shkarkojë Presidentin Ilir Meta. Përpjekja e parë u mbyll në korrik të vitit të kaluar, ku ndonëse në raportin përfundimtar, Komisioni Hetimor i drejtuar nga Ulsi Manja gjeti shkelje, nuk i vlerësoi ato “të rënda mjaftueshëm për të ndërmarrë hapin ekstrem të shkarkimit të tij”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë