Politike

PS nis mbledhjen e firmave për shkarkimin e Metës

Pas deklaratës së Kryeministrit Edi Rama se Presidenti Ilir Meta do të shkarkohet nga Kuvendi aktual, Partia Socialiste ka nisur mbledhjen e firmave nga deputetët e grupit parlamentar për ndërmarrjen e kësaj nisme.

Top Channel thotë se deputetëve aktualë socialistë u është dërguar një mesazh me këtë përmbajtje:

“Bazuar në disa shkelje të rënda të Kushtetutës, sipas parashikimeve të nenit 90, nga ana e Presidentit Ilir Meta përpara dhe gjatë fushates zgjedhore, në konsultim me Kryesinë e Grupit Parlamentar kemi vendosur të inicijojmë Procedurën e Shkarkimit të Presidentit të Republikës. Për këtë qëllim ju lutem siguroni prezencën tuaj pranë Zyres së Grupit Parlamentar për të firmosur propozimin për shkarkimin e Presidentit”.

Sipas këtij mesazhi, socialistët po shkojnë drejt ngritjes së një tjetër komisioni hetimor, që do të hetojë veprimtarinë e Presidentit Ilir Meta para, gjatë dhe pas 25 prillit.

Ligji për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare ndalon ngritjen e këtyre komisioneve 4 muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit. Mandati i Kuvendit aktual përmbyllet më 9 shtator, që do të thotë se socialistët kanë kohë deri më 9 maj që ta ngrenë një komision të tillë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë