Politike

Ligjet miratojnë kërkesën: Të ngrihet Komisioni hetimor “Meta 2”

Komisioni i Ligjeve i propozon Kuvendit ngritjen e një tjetër Komisioni Hetimor për të hetuar nëse Presidenti Ilir Meta ka shkelur, apo jo Kushtetutën me deklaratat e bëra para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 25 prilli.

Propozimi u miratua me 14 vota pro dhe vetëm votën kundër të Adriatik Alimadhit. Pas këtij miratimi, propozimi i Ligjeve do t’i kalojë Kuvendit në seancën plenare të ditës së premte për miratim. Ngritja e Komisionit mund të miratohet me shumicë të thjeshtë. Ai duhet të përbëhet nga 9 deri në 15 anëtarë dhe gjithmonë me numër tek.

Nëse deputetët do ta miratojnë ngritjen e këtij Komisioni, kjo do të jetë hera e dytë që Parlamenti heton Presidentin Meta për shkelje të rënda të Kushtetutës. Hetimi i parë u mbyll në korrik të vitit të kaluar, ku Komisioni i drejtuar nga Ulsi Manja doli në përfundimin se Presidenti kishte kryer shkelje të Kushtetutës, por ato nuk ishin aq të rënda sa për shkarkimin e tij.

Presidenti Meta nga ana tjetër e cilëson këtë nismë të dytë të mazhorancës si “shashkë” që synon të heqë vëmendjen nga parregullsitë e mëdha të procesit zgjedhor të 25 prillit. Gjithsesi, Meta u shpreh i gatshëm që të dëgjohej nga Komisioni i Ligjeve në datën 10 maj, ndërsa Komisioni e ftoi në seancën e kësaj të enjteje (6 maj). Arsye qëndron në faktin se Kuvendi aktual nuk mund të ngrejë komisione hetimore pas datës 9 maj, kur hyn në periudhën 4-mujore nga përfundimi i mandatit.

Lëvizja e përshpejtuar e mazhorancës socialiste për shkarkimin e Metës u njoftua nga Kryeministri Edi Rama fill pas përfundimit të zgjedhjeve të 25 prillit. Rama tha se Meta do të shkarkohet nga Kuvendi aktual dhe jo nga Kuvendi i ri.

Ndërkohë, kalendari i ngjeshur i punimeve në seancë plenare sugjeron se me këtë çështje socialistët pritet që të dalin me një raport përfundimtar brenda kësaj legjislature. Nëse komisioni hetimor do të propozojë në fund të raportit shkarkimin e Presidentit Meta, që ai të miratohet nevojiten 94 vota.

Në rast se sigurohet kjo shumicë, çështja kalon më pas në Gjykatën Kushtetuese, e cila jep vendimin përfundimtar. Nëse kjo gjykatë i gjen me vend hetimet e Parlamentit vulos shkarkimin e Presidentit dhe nëse jo i gjithë procesi i Kuvendit vlerësohet si nul.

“Meta 2”, çfarë mund të hetojë komisioni i ri parlamentar

Nga deklaratat e vetë kryesocialisti Rama dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Qeverisë dhe të Partisë Socialiste, elementi i parë objekt hetimi mund të jetë qëndrimi i mbajtur nga Ilir Meta gjatë fushatës zgjedhore. Për socialistët, Presidenti shkeli Kushtetutën me të dyja këmbët me aktivitetet dhe deklaratat e tij, duke u bërë palë me opozitën.

Elementi i dytë janë deklaratat e bëra nga kreu i shtetit gjatë fushatës zgjedhore. “Po u prek një votë ditën e votimeve u bëj thirrje qytetarëve që t'i mprehin sfurqet, se si gratë trime të Libofshës do t'i ndjekim këmba-këmbës horrat, nëse nuk kanë kuptuar gjë akoma”, deklaronte Presidenti pas një incidenti të ndodhur në ditën e fundit të fushatës në qytetin e Fierit, kur policia bashkiake hoqi banderolat e LSI-së.

Më herët Presidenti kishte folur gjithashtu për “prerje duarsh” për këdo që blinte votën, apo tjetërsonte në forma të tjera vullnetin e shqiptarëve. Këto deklarata socialistët i kanë interpretuar si “nxitëse të dhunës” dhe shkelje të rendit kushtetutes.

Elementi i tretë që mund të jetë objekt hetimi në mënyrë të posaçme janë deklaratat e bëra nga Presidenti Ilir Meta kundër Ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim, të cilën po para zgjedhjeve të 25 prillit e akuzoi se është bërë palë me Edi Ramën. Presidenti u përpoq të diferencojë qëndrimet e Yuri Kim nga qëndrimet zyrtare të Departamentit të Shtetit. Por, këto deklarata mund të interpretohen nga socialistët si kërcënim për marrëdhëniet me SHBA dhe partneritetit strategjik të nënshkruar me të.

Elementi tjetër që mund të jetë objekt hetimi janë edhe dyshimet e hedhura publikisht nga socialistët, përfshirë këtu edhe vetë Edi Ramën, se Presidenti është takuar gjatë fushatës me personazhe të botës së krimit. Në lidhje me këtë akuzë, në disa media ka qarkulluar një foto, ku Presidenti Meta shfaqet në Gjirin e Lalëzit i mbuluar me kapuç në kokë dhe në shoqëri të një personi tjetër.

Meta shpjegoi se kapuçin e vendoste pasi bënte sauna, ndërsa gjatë një konference për shtyp nxorri edhe personin, që sipas tij, e shoqëronte në tavolinë në momentin kur është bërë ajo foto.

Këta janë elementët kryesorë ku mund të bazojë hetimin e tij komisioni i mundshëm “Meta 2”, ndërsa “Meta 1” hetoi për thuajse një vit vendimin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019 dhe përplasja për rendin kohor të emërimeve në Gjykatën Kushtetuese. Në raportin e dorëzuar për miratim në seancën plenare të 27 korrikut të vitit të kaluar, Komisioni i drejtuar nga Ulsi Manja gjeti “shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentit”, por nuk i klasifikoi ato si “mjaftueshëm të rënda” sa për ta shkarkuar atë, duke ndjekur edhe rekomandimin e bërë nga Komisioni i Venecias.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë