Politike

Rrugët e PS-së për shkarkimin e Metës dhe kur i duhet Basha

Ngritja e një tjetër komisioni hetimor është rruga e vetme ligjore e kushtetutese që kanë aktualisht në dorë socialistët në përpjekjet e tyre për të shkarkuar Presidentin Ilir Meta, e për më tepër ajo ka dy pengesa madhore; afatet kohore në limit të Kuvendit aktual dhe mungesa e shumicës për shkarkim në Kuvendin e ri.

Në lidhje me afatet, nëse PS do të kërkojë që të ngrejë një komision hetimor për Presidentin nga Kuvendi aktual, ku ka shumicën e nevojshme për ta shkarkuar atë, duhet ta bëjë këtë para datës 9 maj. Pas kësaj date, ligji për ngritjen dhe funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare në nenin 4 pika 6 ja ndalon. Kjo nuk ka gjasa që të ndodhë, nisur nga koha e shkurtër në dispozicion.

LEXO EDHE:
- Ligji i PS për Ilir Metën “çimenton” kryeministrin
- “T’i mprehin sfurqet”, Kim dënon deklaratën: Ndal! Reagon Meta: Je palë me Ramën. Kryeministri: Vendi pa president

Rruga e dytë është ngritja e komisionit hetimor nga Parlamenti i ri. Kësaj ideje i ka mëshuar kryesocialisti Edi Rama në disa intervista të dhëna gjatë fushatës zgjedhore. 74 mandatet e fituara më 25 prill janë mëse të nevojshme për socialistët që ta ngrenë komisionin hetimor, por të pamjaftueshme nëse, në një rast hipotetik, ky komision do të propozojë shkarkimin, pasi për shkarkimin nevojiten 92 deputetë.

Ky mund të jetë bashkëpunimi i parë mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, gjithmonë nëse kreu i Partisë Demokratike do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së bërë shpesh nga kryesocialisti para dhe pas 25 prillit. Në këmbim të votave për shkarkimin e Presidentit, Edi Rama mund t’i ofrojë Partisë Demokratike postin e lënë bosh nga largimi i Metës.

Nëse do të ndiqet kjo rrugë, i gjithë ky proces do të kërkojë kohë në Parlament dhe duke marrë parasysh që vendimi i shkarkimit i Parlamentit duhet edhe që të “certifikohet” nga Gjykata Kushtetuese mund të thuhet se brenda vitit nuk mund të përfundojë, për të mos thënë para përfundimit të mandatit të Presidentit Meta, që mbyllet më 24 korrik të vitit të ardhshëm.

Por, asi nën mëngë i socialistëve mund të jetë një nismë e tyre fort e qortuar; ligji për Presidentin. Në nëntor të vitit të kaluar, deputeti socialist, Adnor Shameti njoftonte se propozimi ishte drejt përfundimit dhe se së shpejti do të kalonte për shqyrtim në Komisionet parlamentare dhe më pas për miratim në seancë plenare.

Mes morisë së parashikimeve në këtë projekt-ide të socialistëve është edhe pjesë kur shkarkohet Presidenti. Procedura e parashikuar në këtë propozim duket e gjatë, por në thelb është shumë e thjeshtë.

Sipas këtij ligji, Kryeministri, Ministri i Brendshëm, ose i Shëndetësisë, si dhe nga çdo kryetar grupi parlamentar mund të vënë në lëvizje Kuvendin nëse konstatojnë “pamundësinë e Presidentit për ushtrimin e detyrës”.

Për deklarimin e pamundësisë së përkohshme apo afatgjatë, Kuvendi ngre komision hetimor me detyrën për të shqyrtuar dhe vërtetuar rrethanat e rastit të pamundësisë. Kur pamundësia konstatohet për motive shëndetësore, atëherë komisioni hetimor cakton jo më pak se 5 mjekë, specialistë në fushën përkatëse mjekësore, për t’u shprehur për gjendjen shëndetësore të Presidentit.

Në fund, nëse Komisioni hetimor i ngritur sipas përcaktimeve të këtij ligji propozon shkarkimin e tij, Kuvendi duhet ta miratojë me 92 vota dhe sërish rezultati të “certifikohet” nga Gjykata Kushtetuese, siç parashikohet në Kushtetutë. Aktualisht, PS mund t’i sigurojë 92 vota në Kuvendin aktual dhe kjo mund të nxisë një përshpejtim të procedurave për miratimin e këtij ligji dhe votimin për shkarkim para 9 shtatorit, kur mbyll mandatin ky Kuvend, ose më vonë të kërkohet sërish bashkëpunimi me Bashën.

Megjithatë, më shumë se sa për shkarkimin, miratimi i këtij ligji do t’u shërbente socialistëve që të shmangnin Presidentin në rast se ky i fundit refuzon të dekretojë Edi Ramën si fitues të zgjedhjeve të 25 prillit. Propozimi parashikon se në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin nismëtar të Kryeministrit, ose nuk e nxjerr atë sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj, atëherë Kryeministri zgjidhet drejtpërdrejt nga Kuvendi.

Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin pasues të Kryeministrit, brenda 10 ditëve nga zgjedhja, atëherë Kryeministri i zgjedhur i paraqet Kuvendit për miratim përbërjen dhe programin e qeverisë, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim. Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat e miratuar bëjnë gjithashtu betimin drejtpërdrejt në Kuvend, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë