Politike

Parlamenti "shkarkon" Presidentin nga betimi i gjyqtarëve

Parlamenti votoi mbrëmjen e sotme pas një seance të gjatë ndryshimet ligjore për mënyrën se si do të betohen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Kryeprokurori. Nevoja për këto ligje, siç ka shpjeguar mazhoranca, erdhi pasi Presidenti Ilir Meta nuk thirri për betim Arta Vorpsin, për pasojë ajo nuk u bë anëtare e Kushtetueses.

Me 86 vota pro, 13 kundër dhe 7 abstenim, shumica ka miratuar projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” të ndryshuar” që i merr Presidentit Ilir Meta të drejtën e betimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Me ndryshimet që u miratuan sot, Presidenti Ilir Meta ka 10 ditë afat për të thirrur në ceremoni betimi një gjyqtar, nëse nuk e bën atëherë gjyqtari e dërgon vetë betimin me shkrim. Po kështu do të veprohet edhe për Kryeprokurorin.

Deputeti i opozitës Andi Përmeti në foltoren e Kuvendit hodhi akuza ndaj mazhorancës teksa foli për dy projekligjet e ndryshuara sa i përket emërimeve në Gjykatën Kushtetuese dhe statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas Përmetit, arsyet pse mazhoranca sjell këtë projekligj në kuvend janë të çuditshme dhe absurde.

“Ky ligj ka një qëllim të mirë, për të parandaluar çdo bllokim të mëtejshëm në gjykatat dhe sistemin e drejtësisë. Për të qenë më të saktë. Ky ligj ka për qëllim që mos të ndodhë më bllokimi si në rastin e fundit të Gjykatës Kushtetuese kur presidenti zgjedh të mos ftojë për betim një nga anëtarët. Arsyet pse mazhoranca e sjell këtë ligj në parlament janë pak të çuditshme, absurd. Mazhoranca deklaron se Presidenti ka shkelur Kushtetutën. Mazhoranca pretendon se ka shkelur Kushtetutën, por nuk ka guxim ta shkarkojë ose ta cojë për gjykim në Gjykatën Kushtetuese, sepse mazhoranca flirton me Ilir Metën”, u shpreh Përmeti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë